Zgjedhjet lokale

KQZ shpërndan fletëvotimet për balotazhin e 9 nëntorit

kqz

Të shtunën në mëngjes, një ditë para ditës së votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet.

Ky material është dërguar në Qendrat Komunale të Numërimit në 18 komunat ku të dielën do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Sipas planifikimeve nga KQZ, fletëvotimet do të shpërndahen në Qendra të Votimit të dielën në mëngjes, të cilat do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas vendimit të KQZ-së, kanë shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas Listës së Votuesve të aprovuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinjë që kanë mbushin 18 vjeç nga 13 tetori deri më 9 nëntor dhe pas largimit të personave të vdekur dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.

E, në orën 11:00 KQZ-ja ka mbajtur mbledhje ku ka prezantuar një raport lidhur me fazën përfundimtare të përgatitjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Aty u njoftua se ka përfunduar shpërndarja e materialit zgjedhor, një proces i cili është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, më 5 dhe 6 nëntor në Qendra Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit; kabinat e votimit dhe materiale të tjera administrative, ndërkaq më 8 nëntor, nën përcjellje e Policisë së Kosovës janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, si: fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat.