Zgjedhjet lokale

KQZ: Numërimi i votave me kusht drejt fundit

Votat - QNR

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se numërimi i fletëvotimeve me kusht për zgjedhjet lokale të 12 tetorit është drejt fundit, ndërsa në proces numërimi janë votat e personave me nevoja të veçanta.

Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime të veçanta, në 38 komuna.

“Pas përmbylljes së këtij procesi, gjatë ditës së mërkurë, në këtë qendër do të vijojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të personave me nevoja të veçanta, i cili është zhvilluar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve dhe përmes ekipeve mobile. Numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467. Rezultatet nga ky numërim do të pasqyrohen në platformën për rezultate, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, raportoi televizioni publik. 

Një ditë më parë me urdhër të PZAP-së, në QNR janë rinumëruar edhe pesë kuti votimi që i takonin tri komunave të ndryshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se tashmë është në fazën përfundimtare të aktiviteteve, të cilat duhet të zhvillohen pas ditës së votimit për të ardhur deri te shpallja e rezultateve përfundimtare.