Zgjedhjet lokale

KQZ-ja themelon komision për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë dhe Gjakovë

kqz

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar rekomandimin për themelimin e Komisionit për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në vendvotime për zgjedhjet e rundit të dytë për kryetar komune.

Besnik Buzhala, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se në raportet e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve në Mitrovicë dhe Gjakovë janë evidentuar gabime në kodet e vendvotimeve në fletëvotime, të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të shtypjes. 

“Në raportet e pranuara nga komisionet komunale në zgjedhjet në Komunën e Mitrovicës dhe Gjakovë, ku janë evidentuar problematika e kodeve të vendvotimeve në fletëvotime dhe dërgimit të tyre tek kompania për shtypjen e fletëvotimeve, e njëjta ka konstatuar që ka pasur gabime në shtypjen e kodeve në fletëvotime. Rekomandojnë formimin e komisionit i cili do të bëjë vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. Me qëllim që të realizohet një vlerësim i detajuar lidhur me fletëvotimet e përdorura dhe numrin e përgjithshëm të fletëvotimeve në komunat Mitrovicë dhe Gjakovë, është e nevojshme vendimmarrja e formimit të komisionit”, ka thënë Buzhala.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njoftoi se është pranuar një raport nga kompania “Cetis”, ku janë konstatuar disa raste të fletëvotimeve me kode të gabuara, dhe se raporti do të shërbejë për hetimet e Prokurorisë dhe për përgjigjen ndaj PZAP-së.

"Para një ore kemi pranuar edhe një raport nga kompania Cetis, i cili është raport i detajuar për të gjitha komunat për fletëvotimet që i kanë printuar, dhe në atë raport saktësohen të gjitha dënget e fletëvotimeve të printuara, kur rezulton që në këto dënge janë diku dy votat e fundit që kanë pasur numrat e vendvotimeve të ndryshme apo të një qendre tjetër. Është e rëndësishme që këtë raport komisioni ta trajtojë në përputhje me kutitë që gjenden të mbyllura për Mitrovicë dhe Gjakovë. Ata kanë dhënë edhe numrin e saktë që ka ndodhur gabimi, por na nevojitet ta vlerësojmë nga kutitë e votimeve. E njëjta do të shërbejë në përgjigjen e PZAP-së. Për komunat tjera do merren mostra për të parë nëse ka qenë një trend i njëjtë. Është paraqitur rast për Gjakovë nga këshillat e vendvotimeve ditën e votimit, ndërsa për Mitrovicë në mbrëmje dhe ka vazhduar edhe ditën e nesërme. Për komunat tjera duhet të shikojmë mostrat. Raporti nuk është për PZAP, por për ne, së dyti është për prokurorinë, për shkak se kjo çështje në mbrëmjen e së mërkurës është hapur në prokurori. Raporti duhet të jetë i detajuar për ne, për prokurorinë, por edhe PZAP. Sa për numrin e këtyre, nuk mundemi të konstatonim numrin pa hapur kutitë e votimit”, tha Radoniqi.

Në Mitrovicën e Jugut pati rinisur procesi i verifikimit të votave me urdhër të Prokurorisë Themelore pas raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime. KQZ-ja e ka arsyetuar rastin si “gabim teknik” nga kompania “CETIS”. E kjo kompani shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë. 

Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë u përcoll me reagime. PDK-ja kërkoi rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serikë të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik. 

Lexo përditësimet tjera
Balotazhi - 9 nentor

VV-ja thotë se fletëvotime me gabime ka pasur në të gjitha komunat në balotazh, PDK-ja s'pajtohet

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, ka thënë se gabimet në fletëvotime nuk...