Zgjedhjet lokale

KQZ-ja nuk i certifikon dy subjekte politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar të shtunën 39 subjekte politike për zgjedhjet lokale – 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur. Ndërsa dy subjekte politike nuk morën miratimin për certifikim. Për këtë vendim, KQZ-ja është kritikuar nga monitorues të proceseve zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të shtunën grupin e tretë prej 39 subjektesh politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

Nga to, 25 janë iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur.

Dy subjekte politike, “Lidhja për Prishtinën” dhe “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve”, që pritej të certifikoheshin nuk morën miratimin nga anëtaret e KQZ-së.

Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti, tha se emërtimi i iniciativës qytetare “Lidhja e Prishtinës” është në kundërshtim me parimet e certifikimit, pasi është i ngjashëm me identitetin dhe brendin historik të LDK-së.

“Lidhja e Prishtinës është brend dhe pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës… është sinonim i asaj që e kemi pasur ne, këtë emërtim apo këtë brend, e kemi pasur në zgjedhjet e 2017-ës si pjesë në faqen zyrtare të Lidhjes Demokratike. Nëse kësaj radhe ka ardhur Lidhja e Prishtinës, si e tillë për tu certifikuar, ju e dini që në vitin 2021 e kemi pasur të njëjtin rast me Drenasin. Dekada e Re për Drenasin, është shqyrtuar dhe nuk është certifikuar, është rasti i njëjtë”, ka thënë Hamiti. “Në aspektin fonetik e ka vetëm një dallim Lidhja e Prishtinës dhe për Prishtinën te lidhësja. Në aspektin semantik asgjë nuk ndryshon”.

Por drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala, tha se pas shqyrtimit ligjor nuk është gjetur asnjë bazë për të refuzuar certifikimin.

“Platformat politike dhe sloganet e partive politike që janë përdorur në të kaluarën nuk kategorizohen si ndalesa ligjore për secilin subjekt politik të ri që e përdor një emër të ngjashëm në sloganin ose në platformën politike. Ne kemi ardhur në përfundim që zyra duhet ta rekomandojë për certifikim ‘Lidhjen e Prishtinës’”, ka thënë Buzhala.

Megjithatë, në votim, me pesë vota për, një kundër dhe disa abstenime, certifikimi i kësaj iniciative u refuzua.

Ndërsa, zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, ka tërhequr nga lista iniciativën qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.

Kundër certifikimit u shpreh anëtari i KQZ-së nga AAK, Muharrem Nitaj.

“Këtu për shembull fjala e “shqiptarëve” është e shkruar gabim dhe kur emrin e kombit e shkruajnë gabim, kanë drejtë apo si? Këto tjerat i kuptoj, por kur është emri i kombit, nuk do të duhej t’u lihej në diskrecion aty të shkruajnë qysh ju teket”, ka thënë Nitaj.

KQZ-në për moscertifikimin e dy subjekteve politike e ka kritikuar shoqëria civile.

Hulumtuesi në KDI, Eugen Cakolli, i cili monitoron proceset zgjedhore, ka thënë se është e papranueshme që të refuzohen subjekte për gabime gjuhësore dhe ngjashmëri me sloganin e një partie tjetër.

“Kjo është thjesht burokraci e shndërruar në censurë. E drejta për të garuar është themel i demokracisë. Asnjë parti nuk ka monopolin mbi brendet apo kujtimet e fushatave. Për më keq, është e papranueshme të refuzohen subjekte për gabime gjuhësore, thua ti se anëtarët e KQZ-së janë lektorë. Rregullat duhet të zbatohen me barazi, jo sipas tekeve apo interesave të përfaqësuesve partiakë në KQZ”, ka thënë Cakolli.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 380 kandidatë, prej të cilëve 25 kandidatë për kryetarë të Komunave dhe 355 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.