Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar raportin e Listës Votuese për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili, sipas rezultateve preliminare do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues. Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave është 29,725 votues, ka njoftuar KQZ.
Lista Votuese brenda vendit, e raundit të dytë, është plotësuar me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor 2025 arrijnë moshën e votimit, ndërkaq janë larguar personat që nga shtatori i këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.
Gjithashtu në mbledhje, KQZ-ja mori vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave e nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.
