Në një atmosferë të qetë dhe pa incidente të mëdha, qytetarët e Kosovës kanë votuar të dielën për të zgjedhur kryetarët dhe përbërjen e kuvendeve komunale. Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, gara solli rezultate të ngushta në shumicën e komunave, të cilat do të shkojnë në balotazh.
Pas një muaji fushatë, premtime e rivalitet politik, qytetarët e vendit u janë drejtuar kutive të votimit të dielën për të vendosur se kush do të udhëheqë komunat dhe kuvendet komunale për katër vjetët e ardhshëm.
Procesi është zhvilluar në atmosferë të qetë, por me pjesëmarrje më të ulët se në zgjedhjet e kaluara. Gara politike solli rezultate që mund ta ndryshojnë hartën elektorale lokale të Kosovës, por pas raundit të dytë.
Në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë – gara mbetet e hapur pasi asnjëri prej kandidatëve nuk siguroi mbi 50 për qind të votave.
Janë 21 komuna që sipas rezultateve preliminare, po shkojnë me përfundim të garës qysh në rund të parë.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve preliminare, ka fituar pa balotazh në Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit, por u thye në bastionin e saj historik, Drenas, nga kundërkandidati që deri para zgjedhjeve të fundit ishte pjesë e PDK-së, Ramiz Lladrovci.
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan e Klinë. LDK-ja ka arritur fitore me të parën në Istog e Lipjan.
Nisma ka fituar në Malishevë e KDTP-ja në Mamushë.
Ndërkohë, Lista Serbe i ka fituar shumicën e komunave me shumicë serbe duke fituar pa balotazh në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Mitrovicë të Veriut. Por kjo parti do të shkojë në balotazh në Kllokot. Kandidati i Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq ka arritur të fitojë 41,62 por do të jetë në rundin e dytë me kandidatin e Unitetit Kombëtar Serb, Sreqko Spasiq.
Sipas KQZ-së, procesi i zgjedhjeve të së dielës ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.
Dalja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit është 39.51 për qind. Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë. Prej tyre kanë votuar mbi 800 mijë. Rreth 44 mijë prej tyre kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit në periudhën 17 shtator – 11 tetor.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës është më e ulët në krahasim me rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 2021, kur ishte regjistruar pak mbi 43 për qind pjesëmarrje në zgjedhje.
Fitore pa balotazh
Pas mbylljes së kutive, KQZ-ja ka nisur publikimin e rezultateve për kryetarë dhe kuvende komunale në kohë reale. E disa prej subjekteve që morën rezultatet nga komisionerët dolën edhe në konferenca për media.
Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pati vetëm një status në “facebook” pas mbylljes së kutive të votimit.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara. Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”, ka shkruar Kurti në “facebook”.
E në një prononcim për media pas mesnatës, kandidati për Prishtinën nga VV-ja, Hajrulla Çeku ka falënderuar të gjithë aktivistët dhe qytetarët që e kanë mbështetur Vetëvendosjen në kryeqytet.
“Për këtë angazhim të jashtëzakonshëm dhe këtë rezultat shumë të mirë që kemi siguruar për të sjellë ndryshimin e madh në Prishtinë, falënderoj të gjithë votuesit dhe aktivistët tanë. Kjo është vetëm fillimi ynë drejt fitores së madhe”, ka thënë ai.

Çeku ka thënë se rivali i tij në balotazh, Përparim Rama,“është kryetari me mbështetjen më të vogël nga të gjithë kryetarët që kanë garuar në këto zgjedhje”.
Ndërkohë, disa kandidatë për kryetarë të kësaj partie shpallën fitoren që në raundin e parë.
Kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në orët e mbrëmjes ka shpallur fitoren pa balotazh. Bulliqi nga Vetëvendosje ka thënë se e ka fituar garën, për të cilin të jetë mandati i dytë. Fitoren e shpallën edhe kandidati i kësaj partie në Komunën e Gjilanit, Alban Hyseni dhe të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, të cilët megjithatë do të jenë në balotazh.
Faton Peci, kandidat i VV-së për kryetar të Mitrovicës, ka reaguar pasi rezultatet e nxorën se do të ketë balotazh mes tij dhe Arian Tahirit të PDK-së.
“Të dua fort Mitrovicë”, ka shkruar ai.
Pas numërimit të mbi 92 për qind të votave fitues ka dalë edhe kandidati i Vetëvendosjes në Kamenicë, Kadri Rahimaj e ai në Shtimje, Qemajl Aliu - dy komuna me të cilat kishte qeverisur katër vitet e fundit. Vetëvendosje, si parti e dytë me kandidatët e saj do të jetë në balotazh në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë e Prizren.
Edhe partitë e tjera shpallën fitore nga komunat ku u konfirmuan si parti të para me mbi 50 për qind në raundin e parë.
Fitoren nga Mitrovica e ka shpallur kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja kryeson me numrin e komunave të fituara pa balotazh, me numër të votave për parti.
Ai ka thënë se kur “numërohen votat e fundit në Mitrovicë, atëherë Arian Tahiri do të jetë kryetar i ri i kësaj komune”.
“I madh e i vogël, prej kryeministrit në detyrë e deri te i fundit në qeveri kanë ardhur duke dashur me i marrë votat e mitrovicalive, por ju keni treguar që vota nuk merret me mashtrim e arrogancë. Unë ju ftoj që me besim të plotë të jemi bashkë deri në numërimin e votës së fundit, e cila jam i bindur që zgjedh kryetar të ri të Mitrovicës, Arian Tahirin”, ka thënë Krasniqi në tubimin e mbajtur në palestrën “Minatori” pas mbylljes së qendrave të votimit.
Por rezultatet e publikuara nga KQZ-ja konfirmuan se Tahiri do të jetë në balotazh me Faton Pecin nga Lëvizja Vetëvendosje-Guxo.
PDK-ja ka fituar pa balotazh në Skenderaj me kandidat Sami Lushtakun, në Ferizaj me Agim Aliun e në Han të Elezit me Mehmet Ballazhin.
LDK-ja e shpall fitoren në tri komuna

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në tri komuna pa balotazh dhe ka deklaruar se LDK-ja është rikthyer si forca e parë politike në Prishtinë pas 12 vjetësh.
Në një konferencë për media pas mbylljes së procesit zgjedhor, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ka fituar pa balotazh në Istog, Lipjan dhe Junik, duke uruar kandidatët për këto fitore. Por të dhënat e KQZ-së tregojnë se në Junik megjithatë do të ketë balotazh.
Afër fitores në raund të parë, kryetari i LDK-së ka thënë se janë edhe në Pejë me Gazmend Muhaxherin e në Dragash me Bexhet Xheladinin. U shpreh i bindur se me votat e diasporës, këto dy komuna do të përfundojnë pa balotazh.
Ai theksoi se partia është fituese, udhëheqëse ose garuese në 12 komuna, duke e cilësuar 12 tetorin si ditë të 12 komunave të LDK-së.
Abdixhiku e uroi “fituesin kryesor” të këtyre zgjedhjeve, Përparim Ramën.
“Pas 12 vjetësh, në Prishtinë jemi parti e parë. Rikthimi ynë në kryeqytet është shenjë e punës së Përparimit dhe rikthimit të LDK-së. Pas numërimit të mbi 70 për qind të vota nga komisionarët tanë, Rama ka 36%, Çeku 32% e Ismaili 26%”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka shtuar se LDK-ja është në prag të fitores në Viti e Obiliq, ndërsa ka thënë se do të garojë në balotazh në Fushë-Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar historik rezultatin në zgjedhjet lokale, vetëm përmes një statusi në “facebook”.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë fitore dhe rezultat historik. Çdo garues, çdo komisioner, çdo vëzhgues, çdo njeri që ka kontribuar për këtë rezultat. Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
AAK-ja sipas rezultateve preliminare, i ka ruajtur komunat që i ka udhëhequr. Ka fituar në Deçan e Klinë.
Garë e fortë ka qenë edhe në komunën e Drenasit. Kryetari aktual, Ramiz Lladrovci i cili garoi me listë të veçantë, pasi PDK-ja nuk e mandatoi edhe për një mandat, ka fituar 52 për qind, derisa Petrit Hajdari i PDK-së, 37,23 për qind. Nisma ka fituar në Malishevë e partia turke, KDTP në Mamushë.
Qetë dhe pa incidente të mëdha
Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa incidente të mëdha të cilat do ta cenonin procesin. Pas përfundimit të votimit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën janë iniciuar dy raste për “cenim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe një në Kllokot, ndërsa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, siç ka thënë Policia me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si “shënim zyrtar”. Janë raportuar 11 raste të tilla. Policia ka thënë se në përgjithësi i tërë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë e pa incidente madhore.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, njëri në fshatin Bare - Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot - DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për ‘fotografim të votës’, me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata. Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu janë trajtuar edhe 10 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, ka njoftuar Policia. Por, është vlerësuar se nuk ka elemente që ndërlidhen me vepra penale.
E për rastin e të shtënave me armë në Komoran, ku është dëmtuar një veturë, janë shoqëruar dy persona, ndërsa është thënë se nuk është i ndërlidhur me procesin zgjedhor.
“PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar. Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion. Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Veç Policisë, edhe rreth 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës kanë qenë kujdestarë në të gjithë Kosovën për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Pas mbylljes së votimit, Prokuroria ka njoftuar se ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm dy prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit.
“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu, për veprën penale: “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në Kllokot - Gjilan, për veprën penale: “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.
Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim” ka deklaruar se procesi i votimit të së dielës në zgjedhjet lokale ka qenë i qetë dhe demokratik, sipas ekipeve të vëzhguesve të saj që kanë ndjekur nga afër ecurinë e procesit të votimit që nga hapja e vendvotimeve.
“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit. Ndërrimet e Qendrave të Votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren, dhe një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në Listën e Votuesve. Përkundër ndryshimeve të shumta në listat e votuesve, gjendja është përkeqësuar si rezultat i mungesës së tavolinave ndihmëse në një pjesë të konsiderueshme të qendrave të votimit”, thuhet në njoftim.
Më tej është thënë se janë evidentuar edhe prani e materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh.
E anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, në njërën prej konferencave të KQZ-së ka thënë se Lista Serbe ka mbajtur tubim masiv. Sipas tij, në mënyrë të organizuar serbët e veriut të Mitrovicës kanë shkuar në vendvotim ku “qëllimisht janë bllokuar korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme, incidente”.
Një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor ka qenë edhe vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ato janë vendosur në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Thirrjet e liderëve

Në zgjedhjet lokale të së dielës votuan edhe liderët shtetërorë, të cilët bënë thirrje për proces të qetë dhe demokratik.
Presidentja Vjosa Osmani pasi votoi në kryeqytet përmendi ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës. Sipas saj, Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë përmes Listës Serbe.
“Siç e dini vazhdimisht Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në procese zgjedhore në Kosovë, ne natyrshëm që me institucionet e sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe atyre në veri t’u garantohet e drejta e lirisë në votë. Megjithatë, shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë e të marrin masa për këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë, që përfshinë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zgjedhjet e një shteti tjetër, e në këtë rast të Kosovës, duke përfshirë metoda të ndryshme, edhe kriminale për këto ndërhyrje”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, sa më masive të jetë dalja në votim, aq më e fortë është demokracia në vend.
“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë... Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë ajo.
Kryeparlamentari Dimal Basha ftoi të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, teksa ka shtuar se "vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme".
"Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie. Kështu dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë demokratike dhe dashurinë e sinqertë për vendin që duam", ka shkruar Basha në Facebook.
E Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ftoi qytetarët të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që i kanë.
“Votojmë për të vendosur për katër vjetet e ardhshme në komunat tona. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës jemi dhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, ka thënë ai.
BE-ja e diplomatë evropianë vëzhguan nga afër zgjedhjet
Përfaqësues të Bashkimit Evropian në Prishtinë e diplomatë të akredituar kanë qenë aktivë në ditën e zgjedhjeve.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves bëri të ditur se ka vizituar disa qendra të votimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan - komuna këto të banuara me shumicë serbe.
“Është shumë bukur të shoh njerëz që dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje lokale shumë të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë ambasadori britanik përmes një video të publikuar në “Facebook”.
“Ambasada Britanike ka ekipe në të gjithë vendin dhe jam shumë i kënaqur të shoh se si po zhvillohet kjo në të gjithë vendin dhe shpresoj të shoh shumë njerëz duke votuar dhe duke marrë pjesë”, ka shtuar ai.
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav ka vizituar qendra të votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut.
Përmes një postimi në rrjetin social "X", Bashkimi Evropian në Kosovë ka njoftuar se Orav iu bashkua kolegëve të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën.
"Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, iu bashkua #Diplomaticwatch për Zgjedhjet Lokale të sotme së bashku me kolegët e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën", thuhet në njoftim.
Orav ka thënë se këto vizita i ofruan pasqyrë të vlefshme të procesit.
"Vizitat në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovica Veriore ofruan një pasqyrë të vlefshme të procesit", ka deklaruar ai.
E korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian i sheh me rëndësi të jashtëzakonshme zgjedhjet lokale në Kosovë.
Sipas tij, këto zgjedhje për BE-në janë më të rëndësishme se ato parlamentare për shkak të veriut të Kosovës.
Në një lidhje direkte në “KTV”, Palokaj ka thënë se për Brukselin zyrtar nuk është me rëndësi se kush do të fitojë në cilën komunë, por se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit.
Palokaj e ka përmendur edhe kthimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës si një ndër çështjet më me rëndësi për BE-në lidhur me këto zgjedhje.
“Bashkimi Evropian është i interesuar për këto zgjedhje, jo që u intereson se kush do të fitojë në cilën komunë, por u intereson që procesi zgjedhor të jetë i qetë dhe që qytetarët të mund të ushtrojnë të lirë dhe pa ndërhyrje nga jashtë mundësinë e tyre të votimit. Nuk duan që të përsëriten raste kur ka pasur ndërhyrje, sidomos në veri të Kosovës. Ajo që u intereson në BE është që pas procesit zgjedhor të konstituohen pushtetet e reja lokale dhe në veçanti, interesi i tyre është në veriun e Kosovës ku presin si një kthim pozitiv sipas tyre, kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Zakonisht Bashkimi Evropian nuk interesohet për zgjedhjet lokale, por ja që në rastin e Kosovës ato kanë rëndësi të jashtëzakonshme, ndoshta edhe më shumë sesa zgjedhjet e përgjithshëm”, ka thënë ai.
Garë e ngushtë ka qenë edhe për kuvendet komunale. Befasi ndodhi në Prishtinë, ku nga partia e parë sa ka qenë deri tash, Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në vendin e tretë me numrin e këshilltarëve që do t’i ketë.
Lidhja Demokratike ka dalë e para me 28.86 për qind të votave nga numërimi i 72 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në vend të dytë me 22.6 për qind të votave.
E VV-ja tani ka 21.67 për qind të votave për kuvendin komunal të Prishtinës. AAK-ja është e katërta me 9.9 për qind, ndërsa Lidhja e Prishtinës e Fehmi Kupinës e katërta me 7.47 për qind.
17 komuna në balotazh, më së shumti VV-ja
Lëvizje Vetëvendosje do të jetë në garë në balotazh për 12 komuna nga 20 që shkojnë në raund të dytë, në bazë të rezultateve nga numërimi i më shumë se 90 për qind të votave. Partia më e madhe në nivelin qendror ka fituar pa balotazh në Kamenicë, Podujevë e Shtime sipas rezultateve të deritashme.
E ajo po udhëheq edhe në Gjilan dhe Fushë-Kosovë si e para. Ndërsa si e dyta do të jetë në balotazh, gjithnjë bazuar në rezultatet e deritashme, edhe në Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti e Vushtrri.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar po ashtu në tri komuna pa balotazh. Ajo ka siguruar fitoren në Skenderaj, Ferizaj e Han të Elezit, ndërsa prin edhe në Kaçanik, Mitrovicë, Prizren e Vushtrri, por nën 50 për qind të votave. E në balotazh kjo parti do të shkojë si e dyta edhe në Dragash dhe Klinë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar Istogun dhe Lipjanin pa balotazh, ndërsa prin si parti e parë në rundin e parë edhe në Dragash, Obiliq, Prishtinë, Pejë, Viti e Junik. Kjo parti do të shkojë në balotazh si parti e dytë në Gjilan, Fushë-Kosovë e Suharekë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar pa balotazh në Deçan. Ajo ka udhëhequr në rund të parë edhe në Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Suharekë. Megjithatë nuk ka arritur të dalë mbi 50 për qind për të siguruar fitoren qysh të dielën e 12 tetorit. E si e dyta, ajo do të garojë në Junik.
Lista Serbe ka siguruar fitore pa balotazh në nëntë komuna, ndërsa në Kllokot do të përballet me Srpska Narodna Sloga në balotazh.
Pa balotazh, sipas rezultateve të para, kanë mbyllur garën edhe Drenasi në të cilin po udhëheq mbi 50 për qind Ramiz Lladrovci, Nisma që po fiton në Malishevë dhe Mamusha e udhëhequr nga KDTP-ja.
Pa balotazh
VV
· Kamenicë
· Podujevë
· Shtime
PDK
· Elez Han
· Ferizaj
· Skenderaj
LDK
· Istog
· Lipjan
AAK
· Deçan
Ramiz Lladrovci
· Drenas
KDTP
· Mamushë
NISMA
· Malishevë
LS
· Graçanicë
· Leposaviq
· Mitrovicë V.
· Novobërdë
· Partesh
· Ranillug
· Shtërpcë
· Zubin Potok
· Zveçan
Komunat në balotazh
Dragash – LDK – PDK
Fushë Kosovë – VV – LDK
Gjakovë – AAK – VV
Gjilan – VV – LDK
Junik – LDK – AAK
Kaçanik – PDK – VV
Klinë – AAK – PDK
Kllokot – LS – SNS
Mitrovicë – PDK – VV
Obiliq – LDK – VV
Pejë – LDK – VV
Prishtinë – LDK – VV
Prizren – PDK – VV
Rahovec – AAK – VV
Suharekë – AAK – LDK
Viti – LDK – VV
Vushtrri – PDK – VV
Çeku: Kemi arritur rezultat shumë të mirë - Rama, kryetari me mbështetjen më të vogël
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se ka arritur rezultat shumë të mirë në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar këtë si hapin e parë drejt fitores në balotazh.
Në një prononcim për media pas mbylljes së procesit të votimit, Çeku ka falënderuar të gjithë aktivistët dhe qytetarët që e kanë mbështetur Vetëvendosjen në kryeqytet.
“Për këtë angazhim të jashtëzakonshëm dhe këtë rezultat shumë të mirë që kemi siguruar për të sjellë ndryshimin e madh në Prishtinë, falënderoj të gjithë votuesit dhe aktivistët tanë. Kjo është vetëm fillimi ynë drejt fitores së madhe”, ka thënë ai.
Çeku ka theksuar se kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, “është i vetmi kryetar me mbështetjen më të vogël nga të gjithë kryetarët që kanë garuar në këto zgjedhje”.
Sipas tij, “dy të tretat e votuesve kanë kërkuar ndryshim, dhe ky ndryshim do të vijë në balotazh”.
Ai shtoi se Vetëvendosje mbetet “opsioni i vetëm për ndryshim në kryeqytet” dhe “partia e vetme që ka rikonfirmuar qytetet ku ka qeverisur”.
Sipas rezultateve preliminare, Çeku ka rreth 1 mijë vota më pak se Rama dhe balotazhi i 9 nëntorit do të jetë vendimtar për Prishtinën.
Çeku paralajmëroi se nesër në orën 10:00, Albin Kurti do të mbajë konferencë lidhur me ecurinë e zgjedhjeve.
Radoniqi: Brenda javës do të përfundojë në tërësi procesi i numërimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paraqitur rezultatet reale në secilën komunë, në bazë të platformës online të KQZ-së. Ai tha se numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit do të fillojë nesër, derisa u shpreh se brenda javës do të përfundojë në tërësi procesi i numërimit.
“Qendrat Komunale të Numërimit do të fillojnë punën për numërimin e Kuvendeve Komunale nesër. Ora e fillimit të numërimit do të jetë 12:00 në mesditë apo në disa vende në orën 16:00...Besoj se brenda kësaj jave do t’i kemi rezultat”, theksoi ai.
Radoniqi shtoi se platforma online e paraqitjes së rezultateve në kohë reale është mbështetur nga Britania e Madhe.
“Platforma elektronike për rezultate është duke vazhduar të funksionojë pa ndonjë problem dhe vetëm gjatë ditës së sotme, më shumë se 3.5 milionë vizitorë unikë janë shërbyer me informacione që janë përditësuar rregullisht”, tha ai.
Përfundon numërimi në 12 komuna
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ka përfunduar numërimi në 12 komuna - Deçan, Gjilan, Dragash, Fushë-Kosovë, Obiliq, Vushtrri, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillugu, Partesh, Kllokot.
Në Deçan, Bashkim Ramosaj i AAK-së ka fituar pa balotazh.
E në Gjilan pritet balotazh mes Alban Hysenit të LVV-së e Arbër Ismajlit të LDK-së.
Bexhet Xheladini i LDK-së do të jetë në balotazh me Shaban Shabanin e PDK-së në Dragash.
Në Fushë-Kosovë, balotazhi do të jetë mes Valon Prebezës të LVV-së e Besnik Osmanit të LDK-së.
Xhafer Gashi i LDK-së në Obiliq do të jetë në balotazh me Halil Thaçin e LVV-së.
Feriz Idrizi i PDK-së në Vushtrri do të jetë në balotazh me Sylejman Mehollin e LVV-së.
Ruzhdi Shehu i LDK-së në Junik do të jetë në balotazh me Agron Kuçin e AAK-së.
Në Mamushë, pa balotazh ka fituar Abulhadi Krasniç i KDTP-së.
Në Graçanicë, Ranillug e Partesh kanë fituar pa balotazh kandidatët e Listës Serbe.
E në Kllokot, Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe do të jetë në balotazh me Srecko Spasiqin e Srpska Narodna Sloga.
Në Vushtrri në balotazh Ferit Idrizi me Sylejman Mehollin
Ferit Idrizi i PDK-së dhe Sylejman Meholli i Vetëvendosjes do të garojnë në balotazh për postin e kryetarit të Vushtrrisë.
Bazuar në rezultatet preeliminare të publikuara nga KQZ-ja, pas procesimit të gjitha qendrave të votimit, kryetari aktual Idrizi kryeson me 45.56 për qind të votave. Meholli është i dyti me 30.63 për qind. E Xhafer Tahiri i LDK-së ka dal i treti me 19.72 për qind.
Në këto shifra s’janë të llogaritura votat nga diaspora dhe ato me kusht.
Votat e diasporës, vendimtare për balotazhin e Gjilanit
Votat e diasporës mund të jenë vendimtare nëse në Gjilan do të ketë balotazh.
Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i të gjitha votave, Alban Hyseni i LVV-së ka 21.463 vota apo 49.79%.
Ndërkohë Arbër Ismajli i LDK-së ka 34.24% apo 14.761 vota.
Në Gjilan, numri i të regjistruarve për votim nga diaspora është 2066. KQZ-ja nuk ka treguar se sa vota i ka pranuar nga jashtë.
Këto vota mund edhe të përcaktojnë nëse Gjilani do të shkoj në balotazh.
Garë e ashpër për Asamblenë e kryeqytetit, PDK-ja kalon VV-në
Nga partia e parë sa ka qenë deri tash, Lëvizja Vetëvendosje ka rënë në partinë e tretë në garën për Asamblenë e Prishtinës.
Lidhja Demokratike ka dalë e para me 28.86 për qind të votave nga numërimi i 72 për qind të votave.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në vend të dytë me 22.6 për qind të votave.
E VV-ja tani ka 21.67 për qind të votave.
AAK-ja është e katërta me 9.9 për qind, ndërsa Lidhja e Prishtinës e Fehmi Kupinës e katërta me 7.47.

Peci reagon pas “dramës” me rezultatet e Mitrovicës
Faton Peci, kandidat i VV-së për kryetar të Mitrovicës, ka reaguar pasi rezultatet po tregojnë se do të ketë balotazh mes tij dhe Arian Tahirit të PDK-së.
“Të dua fort Mitrovicë”, ka shkruar ai.
Nga numërimi i më shumë se 96 për qind të votave, Tahiri prin me 48.07 për qind të votave e Peci është i dyti me 47.66 për qind.
Prebreza i VV-së i bindur se do t’i marrë edhe votat e PDK-së
Valon Prebreza, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë, ka thënë se partia e tij ka pritur fitore në këtë komunë qysh në rund të parë. Megjithatë, ai është shprehur i bindur se do ta largojnë LDK-në nga pushteti pas 25 vjetësh në raundin e dytë.
“Pritjet kanë qenë për fitore qysh në rund të parë. Por i respektojmë rezultatet. Besojmë që në rundin e dytë nuk do të kemi problem. Diferenca është mbi 9 për qind. Qytetarët kanë vendosur për ndryshim. T’i japim fund një pushteti mbi 25 vjet. Kanë vendosë të mos kenë më probleme me ujë e kanalizim. Ndryshimi po vjen. E sjell Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk është befasi sepse që disa vite jemi partia e parë”, ka thënë ai për KTV-në.
Prebreza po udhëheq me 45 për qind pas numërimit të më shumë se 97 për qind të votave. Besnik Osmani i LDK-së i ka mbi 36 për qind
Në vend të tretë është Rrahim Tërnava i PDK-së me 16 për qind. E Prebreza ka shprehur bindjen se edhe votat e PDK-së do të kthehen pro tij në rundin e dytë duke thënë se “edhe ato vota kanë qenë për ndryshim”.
Në Lipjan numërimi drejt fundit, Ahmeti pritet të fitojë pa balotazh
Imri Ahmeti i LDK-së pritet ta fitojë edhe një mandat në krye të Lipjanit.
Kur janë numëruar 96.2 për qind të votave, Ahmeti po kryeson me 51.3 për qind.
I dyti është Shukri Buja i PDK-së me 30.36 për qind. E i treti Ilir Qeriqi i Vetëvendosjes me 16.31 për qind.
Ramiz Lladrovci drejt fitores pa balotazh
Ramiz Lladrovci është në rrugë për ta fituar Drenasin pa balotazh.
Kur janë numëruar mbi 80 për qind të votave, Lladrovci ka 10.822 vota apo 51.74% dhe pritet ta drejtojë komunën edhe për katër vjet.
E Petrit Hajdari i PDK-së ka 7.857 vota apo 37.57%.

Numërimi në Fushë-Kosovë drejt fundit, Prebreza me Osmanin në balotazh
Në Fushë-Kosovë janë numëruar 91.3 për qind të votave, bazuar në të dhënat e KQZ-së.
Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje po kryeson me 45.14 për qind. Besnik Osmani i LDK-së është i dyti me 36.56 për qind.
Këta të dy do të prëballen në balotazh.
Kastrati: Falënderues për 30% të votave, të presim deri në numërimin e të gjithave
Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga PSD-ja, Qëndron Kastrati, ka thënë se është falënderues për 30% të qytetarëve që e kanë besuar e votuar.
Megjithatë thotë se duhet pritur deri në numërimin e çdo vote për të ditur nëse do të ketë balotazh.
“Jam përulësisht falënderues për rreth 30% të qytetarëve që na kanë besuar dhe na kanë vlerësuar. Pushteti aktual, për fat të keq, nuk ka zgjedhur mjete, duke përdorur kërcënime dhe shantazhe ndaj secilit. Jam i bindur se një qasje e tillë nuk i shkon për shtat asnjë politike e asnjë qeverisjeje ndaj qytetarëve të vet. Megjithatë, duhet pritur deri në numërimin e çdo vote për të ditur nëse do të ketë balotazh apo jo”, ka thënë mes tjerash kandidati dhe ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht po fiton në këtë komunë me 50.63 për qind të votave.
Peci përmbys Tahirin
Garë jashtëzakonisht e ngushtë po zhvillohet në Mitrovicë. Kur janë numëruar 93.45% të votave, Faton Peci i VV-së e ka kaluar Arian Tahirin e PDK-së.
Tahiri e shpalli fitoren pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Por sipas rezultateve, Peci ka 14.718 vota apo 47.96%, teksa Tahiri ka 14.662 vota apo 47.77%.
Rezultati në Mitrovicë po ndryshon vazhdimisht.

PDK-ja shpalli fitoren, por Mitrovica drejt balotazhit
Edhe pse PDK-ja e shpalli fitoren, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Mitrovica po shkon drejt balotazhit.
Pas 91 për qind të votave të numëruara, Arian Tahiri ka vetëm 52 vota më shumë se Faton Peci.
Në përqindje, Tahiri ka 47.97% ndërsa Peci 47.80%.

Krasniqi: PDK-ja fituese e zgjedhjeve, Tahiri do të jetë kryetar i ri i Mitrovicës
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij është fituese e këtyre zgjedhjeve lokale.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja kryeson "me numrin e komunave të fituara pa balotazh, me numër të votave për parti".
Ai ka thënë se kur "numërohen votat e fundit në Mitrovicë, atëherë Arian Tahiri do të jetë kryetar i ri i kësaj komune".
“I madh e i vogël, prej kryeministrit në detyrë e deri te i fundit në qeveri kanë ardhur duke dashur me i marrë votat e mitrovicalive, por ju keni treguar që vota nuk merret me mashtrim e arrogancë. Unë ju ftoj që me besim të plotë të jemi bashkë deri në numërimin e votës së fundit, e cila jam i bindur që e zgjedh kryetar të ri të Mitrovicës, Arian Tahirin”, tha Krasniqi, në palestrën “Minatori”.
E kryetari aktual Bedri Hamza ka thënë se Tahiri po udhëheq, por janë ende votat e diasporës dhe ato me kusht.
“PDK-ja si parti në këto zgjedhje ka rritje të jashtëzakonshme”, tha Hamza.
Tahiri ka thënë se "fitorja e tij është fitore e Mitrovicës".
“Do të vazhdojmë të jemi bashkë në secilën shtëpi e lagje...Qytetarët e Mitrovicës janë bsahkë dhe vetëm qytetarët e Mitrovicës vendosin për fatin e tyre. Nuk ka forcë dhe nuk ka invidë që mund të vendosin fatin tonë. Për fatin tonë vendosim vetëm ne mitrovicalitë”, ka thënë Tahiri.
Kur janë numëruar rreth 90 për qind të votave në Mitrovicë.
Tahiri kryeson me 47.92 për qind, krahasuar me 47.81 për qind sa i ka Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.
Elezaj: Votat e diasporës do ta konfirmojnë fitoren pa balotazh
Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, e ka shpallur fitoren. Elezaj, që është nga radhët e AAK-së, pas numërimit të mbi 64 për qind të votave kryeson me 49.79 për qind të votave. Sokol Bashota i PDK-së është i dyti me 35.21 për qind.
Elezaj në një postim në Facebook e ka shpallur fitoren, duke thënë se votat e diasporës do ta konfirmojnë triumfin pa balotazh.
“Rezultatet e para tregojnë qartë se po prijmë bindshëm në Klinë. Kjo është fitore e madhe e besimit dhe e punës së përbashkët, e cila do të vuloset nga vota e qytetarëve tanë brenda dhe jashtë vendit. Votat e diasporës do ta konfirmojnë fitoren tonë pa balotazh. Faleminderit nga zemra secilit anëtar, aktivist dhe qytetar që besoi në vizionin tonë për një Klinë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar!” – ka shkruar Elezaj.
Mbi 72 për qind të votave të numëruara në Podujevë, Bulliqi pritet të triumfojë pa balotazh
Janë numëruar mbi 72 për qind të votave në Podujevë. Sipas rezultateve aktuale, kryetari aktual dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi po kryeson me 52.89 për qind dhe po pritet ta fitojë pa balotazh një mandat të dytë.
Ekrem Hyseni i LDK-së është i dyti me 39.2 për qind, ndërsa Isak Shabani i PDK-së i treti me 6.41 për qind.
Abdixhiku shpall fitoren e LDK-së pa balotazh në tri komuna: Jemi të parët pas 12 vjetësh në Prishtinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në tri komuna pa balotazh dhe ka deklaruar se LDK-ja është rikthyer si forca e parë politike në Prishtinë pas 12 vjetësh.
Në një konferencë për media pas mbylljes së procesit zgjedhor, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ka fituar pa balotazh në Istog, Lipjan dhe Junik, duke uruar kandidatët për këto fitore. Afër fitores në raund të parë, kryetari i LDK-së ka thënë se janë edhe në Pejë me Gazmend Muhaxherin e Dragash me Bexhet Xheladinit. U shpreh i bindur se me votat e diasporës, këto dy komuna do të përfundojnë pa balotazh.
Ai theksoi se partia është fituese, udhëheqëse ose garuese në 12 komuna, duke e cilësuar 12 tetorin si ditë të 12 komunave të LDK-së.
Abdixhiku e uroi “fituesin kryesor” të këtyre zgjedhjeve, Përparim Ramën.
“Pas 12 vjetësh, në Prishtinë jemi parti e parë. Rikthimi ynë në kryeqytet është shenjë e punës së Përparimit dhe rikthimit të LDK-së. Pas numërimit të mbi 70 për qind të vota nga komisionarët tanë, Rama ka 36%, Çeku 32% e Ismaili 26%”, u shpreh ai.
Ai shtoi se LDK-ja është në prag të fitores në Viti e Obiliq, ndërsa thotë se do të garojë në balotazh në Fushë-Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.
Numërimi deri tash: 23 komuna pa balotazh, Lista Serbe rikthen komunat me shumicë serbe
Lista Serbe i ka kthyer të gjitha komunat me shumicë serbe duke fituar pa balotazh në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot e Mitrovicë të Veriut, nga numërimi i deritashëm.
Ndërkaq, janë edhe 13 komuna të tjera që sipas numërimit të deritashëm po shkojnë me përfundim të garës qysh në rund të parë.
Partia Demokratike e Kosovës po fiton pa balotazh në Ferizaj, Skënderaj e Han të Elezit. Lëvizja Vetëvendosje po ecën me mbi 50 për qind të votave në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po fiton në Deçan e Klinë. LDK-ja po fiton në Istog e në Lipjan.
Ramiz Lladrovci po udhëheq në Drenas, Nisma në Malishevë e KDTP-ja në Mamushë.
Ferizaj pa balotazh, PDK-ja edhe një mandat
Bazuar në rezultatet e deritanishme të numërimit të votave, Ferizaji nuk pritet të ketë balotazh. Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin dhe kryetarin Agim Aliu, ka fituar më shumë se gjysmën e votave në këtë komunë.
Aktualisht janë mbi 50% të votave të numëruara, pas tij renditet Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje me rreth 20% të votave.
Numërohen rreth 84 për qind e votave në Pejë, Muhaxhiri kryeson, pritet balotazh
Në Pejë janë numëruar 83.7 për qind të votave. Po kryeson Gazmend Muhaxheri i LDK-së me 46.23 për qind të votave. Kryetari aktual i Pejës pritet që në balotazh të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.
Kelmendi ka marrë 28.47 për qind. Ali Berisha i AAK-së 17.88 për qind.
Gjilani drejt balotazhit
Njëra prej qendrave më të mëdha në Kosovë, Gjilani, po shkon drejt balotazhit pas numërimit të mbi 38 për qind të votave.
Kandidati i VV-së dhe kryetari aktual, Alban Hyseni, është i pari me 48.96 për qind apo 8.426 vota.
E në balotazh pritet të jetë kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli, që ka 33.04 për qind apo 5.686 vota.
Numërohen mbi 56 për qind të votave, Gjini kryeson
Janë numëruar 56.6 për qind të votave në Gjakovë. Në këtë komunë po kryeson kandidati aktual Ardian Gjini, kandidati i AAK-së.
Ai i ka marrë 48.51 për qind të votave. I dyti është Ardian Gola i AAK-së me 30.1 për qind.
Me rezultatin aktual Gjakova do të shkojë në balotazh.
Numërohen mbi 22 për qind të votave në Prishtinë, Rama e Çeku drejt balotazhit
Pas numërimit të më shumë se 22 për qind të votave në Prishtinë, Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosjes duket se po shkojnë drejt raundit të dytë.
Rama po udhëheq me 34 për qind të votave, ndërsa Çeku është me një për qind më pak si i dyti.
Uran Ismaili i PDK-së është i treti me 27.35 për qind.

Lladrovci: Këtë fitore ia dedikoi Thaçit, Veselit dhe Krasniqit
Ramiz Lladrovci, kandidati për kryetar të Drenasit nga iniciativa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, teksa ka shpall fitoren në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, tha se këtë fitore ia ka dedikuar ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Simpatizantë të Lladrovcit tashmë kanë dal në sheshin e Drenasit dhe po festojnë.
Lladrovci ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë treguar qetësi, pasi procesi zgjedhor shkoi pa incidente.
“Erdha këtu në sheshin e dëshmorëve, në sheshin Fehmi dhe Xhevë Ladrovci për t’ia dedikuar këtë fitore të madhe presidentit Hashim Thaçi, kryetarit Kadri Veseli, kryetarit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe gjithë bashkëluftëtarëve tanë. Një falënderim i veçantë i shkon gjithë qytetarëve të Drenasit për disiplinën e 30 ditëve për qetësin për gjithçka kanë bërë që Drenasi të shkoi i qetë dhe pa incidente në zgjedhje”, tha ai.
Sipas rezultateve të KQZ-së në këto zgjedhje po prinë në Drenas Lladrovci me 52.96%, ndërsa pas tij renditet Petrit Hajdari i PDK-së me 38’02%.
Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, u ka thënë përkrahësve të tij se nëse festojnë sonte atëherë ta bëjnë me qetësi e dashuri.
“Faleminderit shumë dhe ju kisha ftuar se nëse festoni, atëherë bëjeni me qetësi e dashuri. Sepse të gjithë qytetarët që janë në garë kundër nesh, janë qytetarë të Drenasit. E unë jam kryetar i gjithë qytetarëve të Drenasit”, tha Lladrovci.
VIDEO:
Suhareka e Rahoveci në balotazh
Komuna e Suharekës dhe ajo Rahovecit që udhëhiqen nga AAK-ja janë rrugës për në balotazh.
Gara pritet të jetë me kandidatët e LDK-së.
Në Suharekë, pas numërimit të mbi 24 për qind të votave, Bali Muharremaj, kryetari aktual dhe kandidati i AAK-së, ka 45.51 për qind apo 7.657 vota. Ndërkohë Ardian Shala i LDK-së ka 32 për qind apo 5.386 vota.
Në Rahovec, pas numërimit të gati 20 për qind të votave, kandidati i AAK-së dhe kryetari aktual, Smajl Latifi, pritet të jetë përballë kandidatit të LVV-së, Ali Dula ose të LDK-së, Burim Krasniqi, në balotazh.
Aktualisht, Latifi ka 39.69 për qind apo 6.434 vota, ndërsa Dula ka 22.68 për qind apo 3.677 vota teksa Krasniqi ka 22.57 për qind apo 3.659vota.
Latifi në Facebook e ka shpallur “fitoren e padiskutueshme”.
LDK-ja pas 25 vjetësh, “s’e ka primatin” në Fushë-Kosovë
Lidhja Demokratike e Kosovës pas 25 vjetësh udhëheqjeje, nga numërimi i deritashëm i votave në zgjedhjet lokale, nuk del të jetë partia më e madhe.
Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje po udhëheq pas numërimit të më shumë se 20 për qind të votave, me 44.17 për qind të votave.
Besnik Osmani i LDK-së është i dyti me 38.08 për qind.

Bulliqi e shpall fitoren në Podujevë
Kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shpallur fitoren pa balotazh. Bulliqi nga Vetëvendosja ka thënë se e ka fituar garën. Për të do të jetë mandati i dytë.
Ai i është drejtuar numrit të aktivistëve të Vetëvendosjes që ishin mbledhur për të festuar.
Ai ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve që të shpërndahen e të vazhdojnë festën në shtëpitë e tyre.
VIDEO:
Dramë në Fushë-Kosovë: Dallimi më pak se 10 vota
Vetëm 6 vota ka më shumë Besnik Osmani i LDK-së në krahasim me Valon Prebrezën e VV-së në garën për kryetar të Fushë-Kosovës, nga numërimi i më shumë se 10 për qind të votave.
Deri tash Osmani ka marrë 42.52 për qind të votave, ndërsa Prebreza 42.41 për qind.
Osmani i ka 2399 vota të konfirmuara e Prebreza 2333.
I treti deri tash është Rrahim Tërnava me 13.2 për qind.

Garë shumë e ngushtë në Shtime
Kur janë numëruar gati 14 për qind e votave, në Shtime është garë tejet e ngushtë mes kandidatit të VV-së dhe kryetarit aktual Qemajl Aliu dhe atij të PDK-së, Përparim Ramusa.
Deri tash, Aliu ka 47.29 për qind apo 1807 vota.
E Ramusa ka 45.15 për qind apo 1726 vota.

Prokurori i Shtetit: S’është ndaluar asnjë person për veprat penale kundër të drejtave të votimit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se deri në mbyllje të procesit të votimit janë konstatuar vetëm dy raste që paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtës së votimit.
Një rast është iniciuar në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti tjetër është regjistruar në Kllokot, Gjilan ku e dyshuara po ashtu është liruar në procedurë të rregullt.
“Rasti i parë është iniciuar në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu, për veprën penale: “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq, rasti i dytë është iniciuar në Kllokot - Gjilan, për veprën penale: “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit. Me këtë rast Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Bulliqi fton qytetarët për të festuar fitoren
Kryetari aktual i Komunës së Podujevës, njëherit kandidat për një mandat tjetër nga LVV-ja, Shpejtim Bulliqi, ka ftuar qytetarët për të festuar, siç tha – festën e fitores.
“Të dashur qytetarë, Ju presim në festën e fitores, nga ora 21:00 në Sheshin e Qytetit para Zyreve të Lëvizjes. PODUJEVË TË DUA!”, ka shkruar Bulliqi.
Aktualisht, në bazë të numërimit të votave nga KQZ-ja, Bulliqi po prin.
Dalin rezultatet e para në Drenas
KQZ-ja ka publikuar rezultatet e para në Drenas.
Sipas numërimit të 1.08% të votave, kryetari aktual Ramiz Lladrovci ka 48.06% apo 297 vota.
Ndërkohë, Petrit Hajdari i PDK-së, ka 33.98% apo 210 vota.
Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë e pa incidente madhore
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën janë iniciuar dy raste për “venim të fshehtësisë së votimit”, një në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe një në Kllokot, ndërsa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, siç ka thënë Policia me autorizim të prokurorëve kompetentë kanë mbetur si “shënim zyrtar”. Janë raportuar 11 raste të tilla. Policia ka thënë se në përgjithësi i tërë procesi zgjedhor ka kaluar i qetë e pa incidente madhore.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, njëri në fshatin Bare - Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot - DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për ‘fotografim të votës’, me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata. Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu janë trajtuar edhe 10 informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, ka thënë Policia. Por, është vlerësuar se nuk ka elemente që ndërlidhen me vepra penale.
E për rastin e të shtënave me armë në Komoran, ku është dëmtuar një veturë, janë shoqëruar dy persona, ndërsa është thënë se nuk është i ndërlidhur me procesin zgjedhor.
“PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar. Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacion. Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, ka thënë Policia e Kosovës.
Lushtaku: Fitore e thellë
Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt nga PDK-ja, Sami Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, e ka shpallur fitoren në këtë komunë. Rezultatet thotë se janë fitore e thellë dhe bindëse.
“Të dashur qytetarë të Skenderajt, Sonte nga ora 21:00 në sheshin “Adem Jashari”, e festojmë fitoren tonë të thellë dhe bindëse. Duke ju falënderuar për besimin e madh, ju ftoj në këtë festë të përbashkët!”, ka shkruar në Facebook, Lushtaku.
Aliu feston fitoren në Ferizaj
Kryetari i deritashëm i Ferizajt, Agim Aliu, po feston fitoren në këtë qytet edhe për një mandat katërvjeçar.
Ai u shpreh i bindur se ka fituar pa balotazh.
Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur për ta festuar fitoren.
Haradinaj: Rezultat historik
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar historik rezultatin në zgjedhjet lokale.
“Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë fitore dhe rezultat historik. Çdo garues, çdo komisioner, çdo vëzhgues, çdo njeri që ka kontribuar për këtë rezultat. Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
AAK-ja sipas të dhënave fillestare po i ruan komunat që i ka udhëhequr.
Nisma ruan bastionin
Nisma Socialdemokrate është rrugës ta ruajë bastionin e vet, Malishevën.
Sipas numërimit të gati 3 për qind të votave, Ekrem Kastrati i Nismës ka marrë 1.140 vota apo 67.58 për qind.
Pas tij, vjen Valon Hoti i LVV-së me 196 vota apo 11.62 për qind.
Abrashi: Balotazhi na pret, tash fillon beteja e vërtetë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi, ka thënë se gara për kryetar të kësaj komune do të vendoset në balotazh.
Abrashi në një postim në Facebook ka thënë se “qytetarët e Prizrenit kanë folur qartë dhe se shumica duan ndryshim”.
“Balotazhi na pret! Qytetarët e Prizrenit folën qartë! Shumica duan ndryshim, duan drejtim të ri. Tani fillon beteja e vërtetë. Me besim, me zemër e me dashuri për qytetin tonë. Prizreni do të fitojë!” – ka shkruar Abrashi në Facebook.
Sipas exit-polleve në balotazh pritet të jetë kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj dhe Abrashi.
Ismajli i LDK-së në Gjilan: Rezultatet tregojnë qartë se do të ketë balotazh
Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga LDK-ja, Arbër Ismajli, teksa ka falënderuar qytetarët për mbështetje, ka thënë se rezultatet tregojnë qartë se do të ketë balotazh.
“Faleminderit nga zemra secilit prej jush që e ushtruat të drejtën tuaj kushtetuese dhe besuat në një të ardhme më të mirë për Gjilanin. Rezultatet e deritanishme tregojnë qartë se Gjilani shkon në balotazh! Ky është një hap i madh drejt fitores përfundimtare dhe drejt ndryshimit që qyteti ynë e meriton dhe e kërkon me ngulm”, shkroi Ismajli në Facebook.
Në Gjilan pritet që balotazhi të jetë mes LDK-së dhe LVV-së.
Kurti: Tani është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve për numërim dhe ruajtje të votës
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se qytetarët e Kosvës sot kanë dëshmuar kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet dhe përgjegjësi.
Në postimin në Facebook pas mbylljes së vendvotimeve, Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë mbështetur partinë që ai drejton dhe kandidatët e saj nëpër komuna.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi. Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara”, ka shkruar ai.
Sipas Kurtit, tani është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, t’i numërojnë votat dhe t’i ruajnë ato e vullnetin e shprehur të qytetarëve.
Aktivistët e VV-së nisin festën në Gjilan e Podujevë
Në Gjilan dhe Podujevë kanë filluar festën aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Gjilan aktivistët e Vetëvendosjes janë të bindur se Alban Hyseni ka shënuar fitore qysh në raundin e parë dhe do ta drejtojë edhe në një mandat.
E njëjtë edhe në Podujevë për Shpejtim Bulliqin.
Publikohen rezultatet e para në Prishtinë
Ka nisur publikimi i rezultateve zyrtare nga zgjedhjet lokale në Prishtinë. Nga numërimi i krejt fare pak votash, Përparim Rama i LDK-së prin me 34 për qind, ndërsa dy për qind më pak i ka Hajrulla Çeku i VV-së.
Uran Ismaili është i treti me 29 për qind.
Ferati: Rrugëtimi ynë vazhdon
Kandidati për kryetar të LDK-së në Istog, Ilir Ferati, ka lënë të kuptohet se është fitues i këtyre zgjedhjeve.
“Rrugëtimi ynë vazhdon, Istog”, ka shkruar ai.
PDK-ja thotë se është fituese e zgjedhjeve
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se janë fitues të zgjedhjeve të lokale. Në një konferencë për media, ajo u shpreh se kanë fituar më së shumti komuna pa balotazh.
E u shpreh i bindur se Uran Ismaili ia ka dalë të jetë në balotazh në Prishtinë.
“PDK-ja është fituese e këtyre zgjedhjeve, ka fituar më së shumti komuna pa balotazh dhe është në më shumti komuna në balotazh. Ka marrë më shumë vota partiake, duke u konfirmuar si forca e parë për asamblistë. Jemi të bindur se Uran Ismaili është në balotazh”, ka thënë ajo.
Mbi 39% e qytetarëve votuan në zgjedhjet e sotme
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e mbajtur pas mbylljes së vendvotimeve, ka njoftuar se mbi 39 për qind e votuesve me të drejtë vote e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë mbështetur në të dhënat preliminare nga 95 për qind e vendvotimeve.
Radoniqi ka thënë se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore.
“Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. Gjatë ditës janë evidentuar disa probleme të natyrës teknike, por ato janë adresuar me efikasitet përmes ndërhyrjes së shpejtë, nën koordinimin e drejtpërdrejtë të KQZ-së, duke mundësuar vijimin e votimit pa ndërprerje në funksionimin e qendrave të votimit”, ka thënë ai.
Radoniqi tutje ka njoftuar se në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve.
“Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Arian Tahiri shpall fitoren në Mitrovicë
Kandidati për kryetar të PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri, e ka shpallur fitoren për zgjedhjet lokale.
“Mitrovicë, faleminderit nga zemra! Sot fituam së bashku! Së bashku edhe do të festojmë! Ju pres sonte në orën 22:00, në Palestrën Sportive ‘Minatori’ “, ka shkruar Tahiri.
E në Mitrovicë ka filluar festa e PDK-së. E Policia ka bllokuar rrugën që çon te Ura e Ibrit.
Krasniqi: Sot fituan qytetarët e demokracia
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas përfundimit të procesit zgjedhor se sot kanë fituar qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen. I ka falënderuar votuesit e PDK-së
“Faleminderit Kosovë! Sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen. Faleminderit për çdo votë, anekënd vendit, me të cilën qytetarët u përcaktuan për modelin më të mirë të qeverisjes lokale - atë të Partisë Demokratike të Kosovës. Vazhdojmë me përkushtim dhe besim drejt rikonfirmimit të fitoreve në çdo komunë ku jemi në balotazh. Kosova meriton ma mirë!”, ka shkruar ai.
DnV: Votim i qetë, por me parregullsi dhe probleme në listat e votuesve
Demokracia në veprim ka deklaruar se procesi i votimit të sotëm në zgjedhjet lokale ka qenë i qetë dhe demokratik, sipas ekipeve të vëzhguesve të saj që kanë ndjekur nga afër ecurinë e procesit të votimit që nga hapja e vendvotimeve.
Sipas DnV-së, procesi është përcjellë edhe me disa parregullsi.
“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit. Ndërrimet e Qendrave të Votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren, dhe një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në Listën e Votuesve. Përkundër ndryshimeve të shumta në listat e votuesve, gjendja është përkeqësuar si rezultat i mungesës së tavolinave ndihmëse në një pjesë të konsiderueshme të qendrave të votimit”, thuhet në njoftim.
Më tej është thënë se janë evidentuar edhe prani e materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh.
Përfundon periudha për votim
Në gjithë territorin e Kosovës në orën 19:00 ka përfunduar periudha e votimit për zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë të diel.
Sipas KQZ-së, procesi ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.
Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë orëve në vazhdim.
32.68% e qytetarëve votuan deri në orën 17:00
Deri në orën 17:00 kanë votuar 661,905 qytetarë apo 32.68 për qind, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Këto të dhëna të publikuara nga KQZ-ja në faqen zyrtare, janë nxjerrë nga procesimi I 94 për qind të vendvotimeve.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë gjatë ditës se nuk është raportuar për parregullsi në ndonjë prej qendrave të votimit.
Ai ka thënë se dalja në votim ka qenë më e ulët krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021 për të njëjtën periudhë.

Pula: Një i ri që sapo kishte mbushur 18 vjet e fotografoi votën nga entuziazmi
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, në emisionin special që i kushtohet ditës së zgjedhjeve në KTV, teksa ka thënë se incidentet më të shpeshta të regjistruara janë fotografimi i votës, ka ndarë një rast siç e quajti – interesant, që ka ndodhur gjatë ditës së sotme.
Një i ri, që para dy ditësh ka mbushur 18 vjet, ka fotografuar votën nga entuziazmi për ta ndarë me prindërit këtë proces që po e kalonte për herë të parë.
“Ne gjatë ditës e patëm një rast shumë interesant te rastet e fotografimit të votave, sa për dijeninë e juaj. Ishte një djalë që para dy ditësh i kishte mbushur 18 vite dhe për herë të parë po votonte në një qendër votimi dhe e ka fotografuar nga entuziazmi për t’iu treguar prindërve të vet që më erdhi radha edhe mua të votoj. Në këto raste nuk ka elemente të veprës penale, i cenimit të fshehtësisë së votimit që është neni 210”, deklaroi Pula.
Cakolli: Disa komuna në garë tejet të ashpër, shumica dërrmuese shkon në balotazh
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se sipas matjeve të deritashme, shumica dërrmuese e komunave do të shkojnë edhe në raund të dytë të zgjedhjeve. Madje sipas tij, ka komuna në të cilat nuk dihet ende as renditja se cili kandidat mund të shkojë në balotazh me cilin.
Në një lidhje direkte në KTV, në ditën e zgjedhjeve lokale, Cakolli ka thënë se pjesëmarrja ka qenë më e lartë se ajo e para katër vjetëve. E ka cilësuar të qetë dhe pa incidente që kanë mundur ta minojnë procesin e përgjithshëm.
Incidenti më i madh sipas tij ka qenë votimi i organizuar në veri.
Parregullsitë kryesore i ka vlerësuar ato të abuzimit me asistencë, sidomos në zonat rurale dhe në mëngjes. Sipas Cakollit, më së shumti ka pasur raste kur burrat u kanë asistuar grave. Tjetër element dallues negativ ka qenë, sipas tij, edhe prania e materialeve propaganduese e kandidatëve nëpër qendra të votimit apo ka ndodhur që të ketë edhe shtabe të partive afër shkollave ku është votuar.
Parregullsi tjetër sipas tij ka qenë edhe fotografimi i votës.
Kanoset kryesuesi i një vendvotimi në Shtime, i dyshuari në kërkim
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke kërkuar një person, nën dyshimin se ka kërcënuar kryesuesin e vendvotimit në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime.
I dyshuari B.V. po kërkohet për “pengim në procesin e votimit”.
“Sot, rreth orës 15:40 në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Shtime është raportuar se një person ka hyrë në dhomën e votimit dhe dyshohet për kanosje ndaj kryesuesit të vendvotimit. I dyshuari është identifikuar si B. V. Hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, kanë zhvilluar hetimet për palët e përfshira dhe me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar " Pengim në procesin e votimit" ndaj B.V., i cili është në kërkim policor”, ka njoftuar për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Palokaj: Për BE-në zgjedhjet lokale më të rëndësishme se ato parlamentare, shkak veriu
Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian i sheh me rëndësi të jashtëzakonshme zgjedhjet lokale në Kosovë.
Sipas tij, këto zgjedhje për BE-në janë më të rëndësishme se ato parlamentare për shkak të veriut të Kosovës.
Në një lidhje direkte në “KTV”, Palokaj ka thënë se për Brukselin zyrtar nuk është me rëndësi se kush do të fitojë në cilën komunë, por se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit.
Palokaj e ka përmendur edhe kthimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës si një ndër çështjet më me rëndësi për BE-në lidhur me këto zgjedhje.
“Bashkimi Evropian është i interesuar për këto zgjedhje, jo që u intereson se kush do të fitojë në cilën komunë, por u intereson që procesi zgjedhor të jetë i qetë dhe që qytetarët të mund të ushtrojnë të lirë dhe pa ndërhyrje nga jashtë mundësinë e tyre të votimit. Nuk duan që të përsëriten raste kur ka pasur ndërhyrje, sidomos në veri të Kosovës. Ajo që u intereson në BE është që pas procesit zgjedhor të konstituohen pushtetet e reja lokale dhe në veçanti, interesi i tyre është në veriun e Kosovës ku presin si një kthim pozitiv sipas tyre, kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Zakonisht Bashkimi Evropian nuk interesohet për zgjedhjet lokale, por ja që në rastin e Kosovës ato kanë rëndësi të jashtëzakonshme, ndoshta edhe më shumë sesa zgjedhjet e përgjithshëm”, ka thënë ai.
18-vjeçari dyshohet se fotografoi votën në Mitrovicë, shoqërohet nga Policia
Një 18-vjeçar në Bare të Mitrovicës dyshohet se ka fotografuar votën gjatë procesit të votimit.
I dyshuari për këtë u shoqërua në Polici, ka bërë të ditur Fetije Bajrami, prokurore në Prokurorinë e Mitrovicës.
“Është në ndalim policor, te shohim tash. Ka bërë fotografim të votës. Është i moshës 18 vjeçare. Është duke dhënë deklaratë”, ka thënë Bajrami për KSP.
Gjatë ditës është raportuar se në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit” në Carabreg të Deçanit një person dyshohet se ka fotografuar votën dhe me të janë marr organet e drejtësisë, ndërsa po në këtë qendër votimet janë ngritur dyshime për presion tek votuesit. Këto dyshime i paraqiti kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Deçanit, Jeton Mushkolaj.
Pula: Tetë incidente të raportuara, s’ka të ndaluar
Tetë raste janë raportuar si incidente në ditën e zgjedhjeve, por nuk kanë rezultuar me elemente të veprës penale, thotë koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula. Ajo për KosovaPress konfirmon se nuk është arrestuar asnjë person për keqpërdorim të votës në këto zgjedhje lokale, deri në mesditë.
Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja nga Zyra e Prokurorit të Shtetit thotë se janë 100 prokurorë dhe staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve.
“Roli i prokurorit në zgjedhje, jo vetëm në këto por duke filluar që nga viti 2013, bazuar në memorandum-bashkëpunimin që e kemi me të gjitha organet dhe institucionet relevante është që ta mbrojë votën e lirë të qytetarëve. Kjo ka treguar sukses ndër vite edhe në secilën palë zgjedhje. E them sukses ngase nëse e bëjmë një krahasim me zgjedhjet të cilat kanë qenë pothuajse zgjedhjet e këqija në Republikën e Kosovës, ka një ndryshim drastik të numrit të personave të cilët kanë manipuluar votën e qytetarit. Kjo falë këtij bashkëpunimi dhe rolit të prokurorit që tanimë e ka bërë pothuajse rutinë punën e tij në zgjedhje. Në këto zgjedhje kemi të angazhuar diku 100 prokurorë së bashku me staf mbështetës të shpërndarë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe qëllimi është që në mënyrë efikase dhe proaktive të veprohet në parandalimin e kryerësve të veprave penale apo që kanë të bëjnë me të drejtën e votimit, apo manipuluesve dhe mashtruesve në çdo lloj mënyrë”, deklaron ajo.
Deri më tani, Pula thotë se nuk është ndaluar asnjë person për veprën penale që lidhet me keqpërdorim të votës.
“Bazuar në numrin e votuesve dhe raportimit të rasteve mund të themi lirisht se nuk e kemi asnjë person të ndaluar deri më tani për veprën penale që ka të bëjë me të drejtën e votimit apo nga kapitulli i posaçëm që në vete ngërthen 11 vepra penale...Nëse një votë fotografohet dhe ekspozohet dhe i tregohet dikujt që mund të jetë për qëllime të ndryshme, qofshin ato kanosje apo përfitime materiale, gjendje ekonomike atëherë kjo bie në domenin e veprës penale. Çdo person që fotografon votën do të ndalohet dhe do të verifikohet se për çka e ka fotografuar atë votë. Është e vërtetë që kemi pasur raportime për tri raste, mirëpo ata janë intervistuar dhe janë liruar ngase nuk është vërtetuar që ka pasur ndonjë pretendim të caktuar”, shton Pula për KosovaPress.
Prokurorja Laura Pula thotë se janë raportuar deri në tetë raste si incidente, por asnjë nuk është vërtetuar që ka elemente të veprës penale.
“Ka pasur edhe raste të tjera, të iniciuara, të ndryshme, të cilat nuk kanë përbërë vepër penale. Dua të ju bëjë me dije edhe një trajtim tjetër të incidenteve të ndryshme, se këto incidente gjatë ditës së zgjedhjeve mund të ndahen në tri kategori, ndahen në kategorinë e shkeljes administrative, që nuk kanë të bëjnë fare me Prokurorin e Shtetit, mund të jenë kundërvajtje prapë nuk kanë të bëjnë me përgjegjësi penale dhe trajtohen nga Policia, e treta nëse përmbushet ndonjë element i veprës penale nga 11 veprat penale që i kemi, atëherë Prokurori ka të drejtë të merr veprime adekuate për të cilat i ka standardet e veprimit së bashku me Policinë e Kosovës dhe mund të vendos aty për aty edhe ndalimin e këtyre personave...Janë 7-8 raste të cilat janë raportuar si incidente, por pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre të mirëfilltë kanë rezultuar që nuk kemi të bëjmë me vepër penale dhe prandaj nuk mund të themi se sot kemi persona të arrestuar për veprën penale që lidhen me keqpërdorimin e votës në zgjedhjet lokale”, përfundon ajo.
Gjatë ditës, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka vizituar Dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u prit nga koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula.
KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 25.21% të votuesve
Deri në orën 15:00 kanë votuar 510,525 qytetarë, apo 25.21 për qind.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se deri në orën 15:00 nuk është raportuar për parregullsi në ndonjë prej qendrave të votimit.
Ai ka thënë se dalja në votim ka qenë më e ulët krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021 për të njëjtën periudhë ku kishin votuar 26.95 për qind.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 94 për qind të vendvotimeve.
Ambasadori britanik vëzhgon nga afër zgjedhjet në veri
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves bëri të ditur se ka vizituar disa qendra të votimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan - komuna këto të banuara me shumicë serbe.
“Është shumë bukur të shoh njerëz që dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje lokale shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha ambasadori britanik përmes një video të publikuar në Facebook.
Ai njoftoi se do të vizitojë edhe pjesë të tjera të Kosovës sot kur po votohet për zgjedhjet lokale në 38 komuna.
“Ambasada Britanike ka ekipe në të gjithë vendin dhe jam shumë i kënaqur të shoh se si po zhvillohet kjo në të gjithë vendin dhe shpresoj të shoh shumë njerëz duke votuar dhe duke marrë pjesë”, tha ai.
Ambasadori i BE-së viziton qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav ka vizituar qendra të votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut.
Përmes një postimi në rrjetin social "X" Bashkimi Evropian në Kosovë ka njoftuar se Orav iu bashkua kolegëve të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën.
"Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, iu bashkua #Diplomaticwatch për Zgjedhjet Lokale të sotme së bashku me kolegët e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën", thuhet në njoftim.
Orav tha se këto vizita i ofruan pasqyrë të vlefshme të procesit.
"Vizitat në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovica Veriore ofruan një pasqyrë të vlefshme të procesit", tha ai.
KQZ: Deri në orën 13:00 votuan 16.53 për qind e votuesve
Deri në orën 13:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 16.53 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve, deri në orën 13:00 kanë votuar 334 mijë 677 qytetarë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 95,14 për qind të vendvotimeve.
Një person shoqërohet nga Policia në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime
Një person është shoqëruar nga Policia gjatë pasdites në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime.
Ekipi i KOHËS në terren ka siguruar pamjet e momentit të shoqërimit të këtij personi nga zyrtarët policorë.
Policia ka njoftuar se atij i është shqiptuar një tiketë për kundërvajtje.
“Pas intervistimit dhe veprimeve të ndërmarra nga policia, prokurori i shtetit ka konstatuar se nuk ka pasur elemente për vepër penale. Personit në fjalë i është shqiptuar tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt Kanun Veseli.
VIDEO:
Policia po trajton tri raste për fotografim të votës, s’ka të arrestuar
Tri raste për fotografim të votës janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.
Rastet janë raportuar në Prishtinë, Podujevë dhe Drenas.
Sipas zëdhënëses së Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, nuk ka të arrestuar.
“Deri tani në rajonin e Prishtinës kemi pranuar tri informata (Një në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë), ku dyshohet se janë fotografuar fletëvotimet. Informacionet po trajtohen në koordinim me prokurorinë”, ka shkruar ajo.
Basha: Vota është mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë
Kryeparlamentari Dimal Basha ka votuar në zgjedhjet lokale të dielën.
Basha ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, teksa ka shtuar se "vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtëpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme".
"Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie. Kështu dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë demokratike dhe dashurinë e sinqertë për vendin që duam", shkroi Basha në Facebook.
Berisha voton, fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar
Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka votuar për zgjedhjet lokale në shkollën “Meto Bajraktari” në kryeqytet.
Berisha ka bërë thirrje për një fillim të mbarë.
“Qytetarë të nderuar të Prishtinës, ju ftoj që të dalim të shfrytëzojmë të drejtën që të votojmë… Ju uroj shëndet dhe suksese të gjithë juve”, tha Berisha./KP
Kurteshi: Serbët e veriut qëllimisht kanë shkuar të organizuar për votim për të shkaktuar probleme
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se Lista Serbe ka mbajtur tubim masiv në raport me numrin e popullsisë që është në veri.
Ai ka thënë se në mënyrë të organizuar serbët e veriut të Mitrovicës kanë shkuar në vendvotim. Sipas tij “qëllimisht janë bllokuar korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme, incidente”.
Ai në konferencën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka kritikuar raportimet e mediave serbe lidhur me zgjedhjet lokale në Kosovë duke deklaruar se “e kanë thyer kodin e mirësjelljes me gjuhën e urrejtjes”.
Voton Shahini, bën thirrje që më shumë gra ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë
Kandidatja e PSD-së për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka votuar në shkollën fillore "Iliria".
Shahini ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e procesit të votimit, sidomos gratë.
"Sapo votova në shkollën fillore Iliria, ftoj të gjithë qytetarët të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, sidomos gratë. Kemi fol shumë që në zgjedhjet lokale votojnë më pak sesa burrat, i ftoj të gjitha që sot ta përmbysim këtë statistikë edhe të jemi në numër sa më të madh duke marrë pjesë në zgjedhje...", tha Shahini.
Numri i përgjithshëm i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës në Prishtinë është mbi 224 mijë. Janë 54 qendra të votimit të rregullta, me 268 vendvotime dhe një qendër votimi me kusht.
KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 7.84 për qind të votuesve
(Tekst i përditësuar) - Deri në orën 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 7.84 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve, deri në orën 11:00 kanë votuar 158 mijë 691 qytetarë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 94,00 për qind të vendvotimeve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media, ka thënë se dalja deri në këtë kohë, ka qenë më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara lokale që janë mbajtur në vitin 2021.
Atëherë, sipas tij, deri në orën 11:00 patën votuar 8,2 për qind.
E, prokurorja koordinatore për zgjedhjet, Laura Pula, tha për Kohën se asnjë incident i natyrës penale nuk është shënuar deri në orën 12.
Limaj: Qytetarët sot kanë shansin të vlerësojnë punën e kandidatëve
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarët sot kanë shansin që t’i japin mundësi përmirësimit të jetës në komunën e tyre, duke dalë për të votuar.
Pasi ka votuar edhe vetë, Limaj ka thënë se pret që nga këto zgjedhje lokale të fitojnë kandidatët që vlerësohen për punën e tyre.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë një shans të jashtëzakonshëm për të vlerësuar punën, angazhimin e atyre që kanë qenë, dhe për t’i dhënë mundësi vetes së tyre për të përmirësuar jetën. Gjithmonë komunat, qytetarët, do t’ vlerësojnë punën e secilit kryetar veç e veç dhe mbi bazën e punës shpresoj të votojnë. Dua sonte që kur kandidatë fitues të shpallin fitoret, shpresoj që në atë fitore kanë fituar edh qytetarët e jo vetëm ata vetë. Ka raste shumë në Kosovë që sonte ka shanse që kandidatët të fitojnë bashkë me qytetarët. Presim këso rezultatesh”, u shpreh ai.
Rama uron që të fitojë kryeqyteti
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka votuar.
Në një deklarim për media pasi që ka votuar ka thënë se uron që në këto zgjedhje të fitojë kryeqyteti.
“Uroj që sot të fitojë kryeqyteti, të fitojë zhvillimi i vendit tonë, të fitojë një bashkëpunim i mirësjellë nga të gjithë, një unifikim, një zgjidhje e përbashkët për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka theksuar Rama.
Voton Abdixhiku: Zgjedhjet në Kosovë janë festë e madhe e demokracisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar së bashku me bashkëshorten e tij.
Ai në një prononcim për media ka thënë se zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë dhe janë festë e madhe e demokracisë.
“Janë ditë ku vendimmarrja kthehet të qytetarët për katër vjetet e ardhshme. Le të urojmë që Kosova do të jetë sërish shembull i organizimit të zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Osmani: Ndërkombëtarët të marrin masa për ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë, kur ajo është pyetur për organizimin e serbëve në veri nga Lista Serbe që t’iu drejtohen kutive të votimit.
Osmani ka shtuar se institucionet ndërkombëtare duket të reagojnë për shkelje flagrante të tilla nga Serbia.
“Siç e dini vazhdimisht Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në procese zgjedhore në Kosovë, ne natyrshëm që me institucionet e sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe atyre në veri t’iu garantohet e drejta e lirisë në votë. Megjithatë shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë e të marrin masa për këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë, që përfshinë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zgjedhjet e një shteti tjetër, e në këtë rast të Kosovës, duke përfshirë metoda të ndryshme, edhe kriminale për këto ndërhyrje”, deklaroi Osmani.
“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë... Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë ajo.
Krasniqi voton: Të gjithë qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka votuar.
Ai dhe bashkëshortja e tij, e kanë ushtruar të drejtën e votës në shkollën “Hasan Prishtina”.
Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë masivisht.
“Katër vite janë shumë dhe verdikti i tyre duhet të jetë ai i cili vendos për të ardhmen e tyre, për një jetë më të mirë për ta. Besoj që sot do të jetë një ditë feste për qytetarët ane e mbanë”, ka thënë ai.
Voton Uran Ismaili
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka votuar.
Ai ka ushtruar të drejtën e votës bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij.
“Sot është një ditë e mirë për Prishtinën në të cilën vendosim të gjithë për të ardhmen e saj për katër vitet e radhës...Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të gjithë pa dallim të votojnë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe që e kemi, për t’i dhënë Prishtinës atë që e meriton si një kryeqytet që ka nevojë të jetë simbol për të gjithë ne”, tha ai.
Voton Kurti: Ftoj qytetarët të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës.
Kurti ka thënë se sot është një ditë shumë e rëndësishme.
“Votojmë për të vendosur për katër vjetet e ardhshme në komunat tona. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës jemi dhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, ka thënë ai.
Kurti ka votuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Rreth 100 prokurorë nëpër Kosovë, Prokuroria: Denonconi keqpërdorimet
Rreth 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës po qëndrojnë kujdestarë në të gjithë Kosovëm për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Në njoftimin nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në njoftim.
Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.
Prokuroria u ka bërë thirrje qytetarëve, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Voton Hajrulla Çeku
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka votuar.
Të drejtën e votës e ka ushtruar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.
“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste…”, tha Çeku pas votimit.
Lista Serbe mbledh qytetarët për të votuar në mënyrë të organizuar, Burjani: E paligjshme
Serbët në veri të Kosovës në grup të organizuar janë drejtuar drejt kutive të votimit.
Ata janë mbledhur fillimisht para zyrës së Listës Serbe e më pas nën drejtimin e Zlatan Elekut dhe Igor Simiqit kanë vazhduar për në qendër të votimit.
Analisti Blerim Burjani ka thënë se ky lloj organizimi është joligjor dhe kundër demokracisë. Ai në KTV ka theksuar se nuk mund të ndodhë një organizim i tillë i qytetarëve e se ata “duhet të votojnë pa u nënshtruar”.
“Në veri nuk ka demokraci elektorale”, ka thënë Burjani.
Voton Haradinaj: Sot është dita për t'i marrë vendimet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në komunën e Deçanit.
Haradinaj ftoi qytetarët të votojnë për të marrë vendimin e tyre për qeverisjet komunale për vitet në vijim.
"Unë e kam kryer obligimin tim qytetar, e shfrytëzova të drejtën time për të votuar. I ftoj qytetarët të votojnë të gjithë. Parlamentet Komunale, kryetarët e komunave kanë shumë rëndësi për standardin e jetës, për të gjitha çështjet, sot është dita për t'i marrë vendimet, pra votoni vendosni", tha Ramush Haradinaj.
Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.
Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në këtë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.
KQZ: Votimi ka nisur me kohë
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali në të gjitha qendrat e votimit.
Ai ka thënë se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka nisur me kohë në të gjitha qendrat, përjashtimisht në ndonjërën që ka pasur sipas tij ndonjë vonesë të vogël.
Sipas tij, sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra.
Elezi ka thënë se përveç organizimit të votimit në vendet e rregulla, është organizuar edhe votimi përmes ekipeve mobile.
“KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sot “pas numërimit të fletëvotimeve, pas përfundimit të procesit të votimit do të arrijnë të prezantojnë rezultatet preliminare”.
“Është punuar shumë që të mos kemi vonesa”, ka thënë ai.
Radoniqi pret numërim më të rregullt të votave
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur votën në Qendrën e Votimit në Pejë.
Radoniqi pas votimit tha se KQZ është siguruar që nuk do të ketë probleme sikur që kishte ndodhur mbrëmjen e 9 shkurtit.
“Kemi ndryshime në proces sipas ligjit që ka hyr në fuqi në 2023. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën për të cilën presim të dalim me rezultatet preliminare, Gjithashtu edhe qendrat komunale të numërimit të gjitha janë të pajisura me të gjitha pajisjet me numërim. Presim që në mëngjesin e së nesërmes të nis numërimi për asamblistë”, tha Radoniqi.
Në një shkollë në Prizren mungon zyrtari ndihmës: Qytetarët s'po i gjejnë emrat
Qytetarë nga qytete të ndryshme qysh në minutat e para të hapjes së qendrave të votimit u janë drejtuar kutive ku do të hedhin votën e tyre për të zgjedhur kryetarin e komunës.
Ekipet e KOHËS nga disa komuna të vendit kanë raportuar se në qendrat gjithandej Kosovës ka numër të konsiderueshëm të qytetarëve që po ushtrojnë të drejtën e tyre.
Drejtoresha e një shkolle në Prizren ka thënë se të gjitha klasat e kanë filluar me kohë procesin e votimit.
Ajo ka thënë se ka mungesë të përfaqësuesve në tavolinën e ndihmës. Sipas saj, ata janë zgjedhur me konkurs nga KQZ-ja, duke shtuar se për këtë kanë problem sepse disa qytetarë nuk po i gjejnë emrat e tyre.
“Shpresojmë që shpejt do ta kemi një zyrtar”, ka thënë ajo.
Si të votohet?
Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme. Secili kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50% plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë, zgjidhet kryetar i komunës. Edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvendet Komunale ka mbetur e njëjtë, si në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, në anën e majtë të fletëvotimit votohet vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, vota për subjektin e politik konsiderohet si votë për kandidatin e parë apo bartësin e listës të atij subjekti politik.
Votuesi ka të drejtë të votojë në mënyrë të pavarur për secilën garë. Kjo do të thotë që një votues mund të votojë një kandidat për Kryetar Komune nga një subjekt politik dhe një subjekt tjetër politik në zgjedhjet për Kuvend Komune. Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunale janë procese të ndara dhe kanë fletëvotime të veçanta. Pra, votuesi nuk është i detyruar të votojë për të njëjtin subjekt në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe në zgjedhjet për Kuvend Komunale.
Zgjedhjet lokale kanë një kosto tjetër nga ato parlamentare, në zgjedhje lokale parashihet mbajtja e raundit të dytë nëse kandidatët nuk arrijnë të marrin votat e mjaftueshme, sa do të jetë numri i komunave që do jetë i domosdoshëm raundi i dytë nuk mund ta dimë ende në këtë fazë, por kosto në zgjedhje lokale është më e lartë, në këtë proces zgjedhor KQZ është kujdesur që votuesit jashtë vendit të ua dërgoj përmes postës pakon e votimeve në adresat ku janë të regjistruar votuesit dhe ajo kosto përfshihet në KQZ.
Hapen vendvotimet
Nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.
Sipas Komisionit Zgjedhor janë 948 qendra të votimit, anë e mbanë vendit.
Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.
Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.
Kosova voton për udhëheqësit e komunave
Qytetarë të 38 komunave të dielën do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale. E për këtë synim, 948 qendra votimi në gjithë Kosovën do t’i hapin dyert në orën 7 të mëngjesit e do t’i mbyllin, në orën 19.
Para se të hapen, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se gjithçka do të jetë gati.
“Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në qendra të votimit”, ka thënë Elezi.
Për përgatitjet e bëra, kanë diskutuar të shtunën edhe anëtarë të KQZ-së.
Përfaqësues të Sekretariatit të KQZ-së njoftuan se 3 mijë e 467 qytetarë do të votojnë përmes ekipeve mobile, prej të cilëve 1 mijë e 508 votues janë në shtëpi, 1 mijë e 956 votues në klinika shëndetësore, shtëpi të të moshuarve, qendra të paraburgimit e qendra korrektuese dhe 3 votues që janë në arrest shtëpiak.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi që të kihet kujdes me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që administrohet nga ekipet mobile.
“Në zgjedhjet e fundit kemi pasë votime edhe përtej orarit të paraparë... Kërkoj që të jeni në kontakt me zyrtarët komunalë që ata t’i krijojnë me kohë ekipet mobile, ekipet që do të merren me këtë proces votimi në mënyrë që të mbyllen në kohën e paraparë”, ka thënë ai.
Rezultati me kohë
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja dështoi që t’i publikojë në kohë rezultatet preliminare.
E sqarime lidhur me përgatitjet e bëra për ta shmangur përsëritjen e kësaj situate edhe më 12 tetor ka kërkuar anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi.
“A keni ndonjë shenjë, ndonjë element që ju bën me dyshu ose që mundet me paraqitë probleme nesër për nxjerrjen e rezultateve preliminare qysh na ka ngja në shkurt 2025? Sa është garancia e madhe?”, e ka pyetur ai ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KQZ-së, Besnik Buzhala.
“Shpresojmë që mos me ndodhë ajo që ka ndodhë më 9 shkurt, por angazhimi i stafit në këta 3 muajt e fundit ka qenë jashtëzakonisht i madh, i stafit profesional që është marrë me zhvillimin e rezultateve për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër”, është përgjigjur Buzhala.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit.
Zëdhënësi Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja ka bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Ndërkaq, gjatë zhvillimit të procesit të votimit, në orare të caktuara është planifikuar të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, qendër votimi dhe vendvotim.
Apeli i Radoniqit
Një ditë para zgjedhjeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Radoniqi.
Ai ka apeluar për përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë anëtarët e këshillave të vendvotimeve.
“Ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, ka thënë ai.
Në mesazhin e tij, kryetari i KQZ-së nënvizoi se institucioni që e udhëheq po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, për të garantuar një proces të qetë, të drejtë dhe të sigurt në të gjitha komunat e vendit.
Kamera gjithkund
Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, siç janë Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë për ruajtje të integritetit zgjedhor, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim. Ai ka thënë se kjo është bërë në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë Elezi.
E, Policia ka bërë të ditur se ka bërë përgatitjet dhe planifikimet lidhur me zgjedhjet e së dielës.
Sipas Policisë, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, të përfshirë në njësite të ndryshme.
Policia ka marrë masa shtesë duke caktuar koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet e tjera të angazhuara, si dhe duke hartuar udhëzues për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit zgjedhor.
“Qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, si dhe sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale, depove zgjedhore dhe materialit sensitiv”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky institucion gjithashtu ka apeluar te drejtuesit e subjekteve zgjedhore dhe qytetarët që për çdo informacion të dyshuar lidhur me sigurinë e procesit të njoftojnë institucionet kompetente përmes linjës 192, emailit [email protected] ose në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat ligjore menjëherë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, janë gjithsej 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet lokale, prej të cilëve 43 mijë e 933 janë të regjistruar nga diaspora.