Labinot Bislimi, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar të Vitisë, ka dhënë premtimin kryesor në funksion të mbrojtjes së mjedisit. Ai është zotuar se nëse merr drejtimin e komunës, do të ndërmarrë hapa për rrënimin e hidrocentralit në Binçë, të cilin e ka cilësuar të paligjshëm. E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi se komuna do të kthehet në shembull të zhvillimit për gjithë Kosovën, nëse e fiton garën elektorale Bislimi
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar aktivitetin kryesor paraelektoral në Komunën e Vitisë, ku kryetari i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, ka premtuar reforma në arsim, ndërtimin e pistave të çiklizmit dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne.
Haradinaj ka deklaruar se në Viti ka pasur neglizhencë nga pushteti aktual, dhe ka theksuar se me kandidatin e AAK-së për kryetar, Labinot Bislimi, komuna mund të marrë drejtimin e duhur dhe të shndërrohet në shembull të zhvillimit për gjithë vendin.
“Kandidatin tonë për kryetar, Labinot Bislimin, e njoh prej vitesh. Njeri i përkushtuar, i drejtë dhe i dashuruar me qytetin e vet. Ai nuk e ka braktisur kurrë Vitinë, edhe pse është diplomuar në Francë dhe ka sjellë përvojë ndërkombëtare. Labi ka ditur të mbledhë rreth vetes një ekip profesionistësh e të rinjsh plot energji. Ai nuk flet vetëm për ndryshim, por ka plan konkret për ta bërë realitet Vitinë e së ardhmes”, ka thënë Haradinaj.
E, Bislimi është zotuar se nëse merr drejtimin e komunës, do të ndërmarrë hapa për rrënimin e hidrocentralit në Binçë, të cilin e ka cilësuar të paligjshëm.
“Nën qeverisjen tonë, ky abuzim me natyrën do të marrë fund. Hidrocentrali do të rrënohet pa humbur kohë: sa hap e mbyll sytë. Sepse Morava është fryma e Vitisë. Kush prek lumin, na prek ne të gjithëve. Dhe në këtë qytet nuk do të ketë më vend për padrejtësi të tilla. Shumë gjëra do të lëvizin: e mira publike nuk privatizohet”, ka thënë ai.
Aktivitete janë zhvilluar edhe në komuna të tjera.
Në Suharekë, kryetari aktual i komunës Bali Muharremaj, i cili synon edhe një mandat, ka zhvilluar një takim me të rinjtë. Ai ka theksuar se rinia është energjia që, siç tha, “kthen ëndrrën në realitet” dhe se do të mbetet prioritet i qeverisjes së tij edhe në mandatin e ardhshëm.
Ndërkaq, kryetari i Rahovecit, që po ashtu synon mandatin e ri si kandidat i AAK-së, ka marrë pjesë në disa aktivitete, përfshirë edhe ceremoninë e hapjes së një biznesi të ri. Ndërkaq, programin dhe projektet i ka shpalosur edhe në tubimin me banorët e Xërxës, si dhe nën nëndegën e tretë të AAK-së në Rahovec.
“Platforma jonë po përqafohet nga të gjithë qytetarët e Rahovecit”, ka thënë ai.
Prej vitesh AAK-ja e ka humbur pushtetin në Pejë, të cilin synon ta kthejë me kandidatin për kryetar, Ali Berisha. Të shtunën, ai ka dhënë zotime për shumë lehtësira për nxënësit.
“Pse duhet që nxënësit dhe prindërit të paguajnë për çdo shpenzim që ka shkolla? Ku është komuna? Ku është Drejtoria e Arsimit?”, ka pyetur ai. “Më 12 tetor, i japim fund njëherë e mirë kësaj neglizhence dhe arrogance të pushtetit aktual. Më 12 tetor, rikthehemi për Pejën tonë”.
Kritik është treguar edhe për një sektor tjetër.
“Peja dikur krenohej me sport, por sot gjendja e sportit, si me infrastrukturë, përkrahje institucionale e rezultate është më keq se ka qenë ndonjëherë. Me rikthimin tonë, sportistëve tanë dhe klubeve tona ua kthejmë dinjitetin që e meritojnë”, ka thënë Berisha. “Ky është ndryshimi, me qytetarin në qendër të vëmendjes: ujë i pastër, kanalizim funksional dhe shërbim i barabartë për çdo familje”.
Ai ka zhvilluar aktivitet elektoral edhe në Qyshk dhe ka theksuar se është nder i madh që “koncepti politik dhe programi ynë për Pejën po gjen mbështetje të gjerë”.
“Mbështetja nga gjenerali Agim Çeku dhe familja e gjerë Çeku na ofron motiv shtesë për fitoren e konceptit tonë politik dhe rikthimin për Pejën”, ka thënë Berisha.
Kandidatët e AAK-së kanë zhvilluar aktivitet elektoral edhe në një numër komunash të tjera, gjatë të cilit kanë kritikuar kryetarët aktualë dhe kanë dhënë zotime për ndryshime.
