Zgjedhjet lokale

Kandidatët për Han të Elezit shpalosin programet

Suma shpalos planet për arsimin

2 o. më parë / 3 tet 2025 20:58
Refki Suma

Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, ka shpalosur programin e tij përmes së cilit synon të rikthehet në krye të kësaj komune.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Hanin e Elezit”, Suma ka akuzuar kundër kandidatin e tij nga radhët e PDK-së, se nuk është duke thënë të vërtetën në lidhje me digjitalizimin e arsimit në këtë komunë.

Sipas Sumës digjitalizimi i arsimit ka filluar në kohën e tij, jo në atë të Ballazhit.

“ Të gjitha shkollat nga viti 2012 në Han të Elezit në të gjitha dhomat e mësimit ka pasur projektor dhe çdo mësimdhënës ka pasur laptop, që i bie që digjitalizimi ka filluar në vitin 2012 jo në vitin 2023,2024 qysh i përmendi, por natyrisht që tashmë është avancuar teknologjia”, ka deklaruar Suma.

Derisa ka folur për arsimin, kandidati i pavarur ka premtuar edhe nisjen e mësimit gjithëditor në shkollat e kësaj komune, pasi sipas tij ka hapësirë të mjaftueshme për të nisur një projekt të tillë. 

Suma po ashtu ka premtuar edhe heqjen e shpenzimeve të udhëtimit për nxënësit e shkollave të mesme të cilët ndjekin mësime në shkollat profesionale në qytetet tjera.

Ballazhi akuzon Sumën se s’ka qenë asnjëherë kandidat i pavarur

2 o. më parë / 3 tet 2025 20:46
Mehmet Ballazhi

Kandidati për kryetar të Hanit të Elezit nga radhët e PDK-së, Mehmet Ballazhi, ka akuzuar kundër kandidatin e tij, Refki Suma, se nuk është i pavarur.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Hanin e Elezit”, Ballazhi ka deklaruar se prapa Sumës gjithmonë kanë qëndruar parti politike.

“Ajo që thotë z.Suma si kandidat i pavarur, realisht s’ka qenë asnjëherë i pavarur për shkak se gjithmonë ka pasur mbështetje para vitit 2021 duke filluar nga 2009,2013,2017 ka pasur përkrahje nga partitë tjera. Tani më këto zgjedhje ka përkrahjen zyrtarisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e që në veçanti janë individ ata që e mbështesin në kuadër të partive të tyre”, ka thënë Ballazhi.

Gjatë këtij debati kandidati i PDK-së, ka folur edhe për qeverisjen e tij në këtë komunë, ku ka deklaruar se ka arritur të krijojë barazi gjinore në udhëheqjen e kësaj komune, ku 5 nga 9 drejtori sa janë gjithsej drejtohen nga gratë.

E derisa ka shpalosur programin e tij përmes së cilit synon të qeverisë edhe për një mandat tjetër në këtë komunë, Ballazhi ka përmendur ndërtimin e tri çerdheve, si dhe projekte të tjera në arsim dhe fusha të tjera.

Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor.