Policëve që kërkojnë një punë të dytë, e atyre që kanë dalë në pension, mundësi punësimi u ka ofruar Uran Ismaili, kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prishtinës, në planin e tij për siguri në shkolla. E Riad Rashiti, në garën e tij për kryetar të Gjilanit, ka premtuar themelimin e Drejtorisë për Investime, ndarjen e 500 hektarëve tokë komunale për investime strategjike, zero taksë për lejet ndërtimore për bizneset prodhuese, e masa të tjera në drejtim të zhvillimit ekonomik. Në Harilaq, Rrahim Tërnava, ka premtuar se do ta ndërtojë një strehimore për qentë endacakë, e cila do të funksionojë edhe si zonë rekreative e turistike. Investime në lagjen “Tuneli i Parë” në Mitrovicë ka premtuar nënkryetari Arian Tahiri, në fushatën e tij për t’u bërë kryetar. Ai tha se do të rinovohen ndërtesat e lagjes, përfshirë ndërrimin e dyerve dhe dritareve e do të ketë edhe shtigje për ecje e biçikleta, ndriçim e gjelbërim. Edon Cana në Rahovec premtoi ndërtimin e Parkut Teknologjik, qendër dedikuar për bujqësinë digjitale dhe vreshtarinë inteligjente. E kandidati Agim Aliu prezantoi planin e tij 8-milionësh për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Ferizaj.
“Do të ndërtojmë së paku edhe një objekt të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në zonën urbane, duke sjellë shërbimet shëndetësore më pranë qindra familjeve ferizajase. Do të hapim qendrën e dytë emergjente në QMF-2, në rrugën ‘Remzi Hoxha’. Kjo do të thotë reagim më i shpejtë, shpërndarje më e mirë e fluksit dhe siguri më e madhe kur çdo minutë vlen. Disapnzeri i vjetër po kthehet në një Qendër Moderne të Kujdesit Shëndetësor Specialistik, ku do të ofrojmë shërbime shëndetësore si në radiologji, stomatologji, fizioterapi, ftiziatri dhe të tjera, pa pasur nevojë për kosto shtesë për qytetarët apo udhëtim jashtë Ferizajt për analizat dhe ekzaminimet bazike”, tha Aliu.
“Do të nisim punën për vendosjen e 200 oficerëve të trajnuar të sigurisë të cilët do të angazhohen në shkollat e Prishtinës, që do të angazhohen me rotacion dhe në bazë të nevojës. Oficerët e sigurisë që do të shërbejnë në shkolla, do të jenë policë që do të kenë punë dytësore apo edhe policë të pensionuar”, tha Ismaili.
