Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur një konferencë për media të martën, ku ka prezantuar 10 vendimet e para që, sipas tij, do të merren menjëherë pas 12 tetorit.
Sipas tij, vendimet e para do të nisin me fillimin e procedurave për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla, nënshkrimin e vendimit ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara, krijimin e task-forcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, nënshkrimin e vendimit ekzekutiv për dyfishimin e subvencioneve për fermerë dhe agrobiznese.
“Hapja e sheshit ‘Xhorxh Bush’ në javën e parë; Pezullimi i lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë; Fillimi i procedurave për krijimin e Qendrës digjitale të menaxhimit të trafikut; Fillimi i procedurave për blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave; Krijimi i task-forcës për ndriçimin e 1.000 rrugëve të Prishtinës; Fillimi i procesit për ndërtimin e një strehimoreje të re për trajtimin e qenve endacakë”, ka renditur Ismaili disa nga zotimet.
Ai ka thënë se qyteti nuk ka kohë për eksperimente e plane afatgjata, por për veprime të shpejta që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente, për kaos e bllokada që ua vështirësojnë jetën qytetarëve. Nuk ka kohë për konflikte e akuza të pafundme politike që e mbajnë peng nëpër gjykata. Nuk ka kohë për plane 10-vjeçare e projekte megafuturistike. Prishtina ka nevojë për ndryshim, për guxim dhe për një kryetar që u del zot punëve dhe zotimeve që jep”, ka thënë ai.
E kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka premtuar investime në fshatin Bardh i Madh.
Në Vushtrri kryetari Ferit Idrizi ka përmendur si arritje kryesore rinovimin e banesave kolektive dhe rritjen e transparencës buxhetore.
“Sheshi i qytetit do të mbetet kryevepra e qytetit që do lërë gjurmë, ku ka filluar transformimi i qytetit. Projektin më human që e kemi bërë, një investim kapital, është rinovimi i banesave kolektive, që vërtet këta qytetarë kanë jetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Te transparenca buxhetore, nga 100 pikë, vetëm 64 i ka pasur Komuna e Vushtrrisë. Kur e kemi marrë mandatin, në vitin e parë kemi shkuar 94 pikë, dy vjetët e fundit 100 pikë”, ka deklaruar Idrizi.
Ndërsa Petrit Hajdari në Drenas ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se ka tradhtuar besimin e qytetarëve dhe vlerat e PDK-së.
“Drenasi është keqqeverisur. Kryetari aktual ka tradhtuar dy gjëra që nuk falen — besimin e qytetarëve dhe vlerat e PDK-së. Nuk ka as arsyetim, as justifikim për këtë lloj qeverisjeje që na ka lënë pas, pa vizion dhe pa dinjitet. Bashkohuni me mua për ta kthyer besimin në institucionet tona dhe për ta ringjallur krenarinë e Drenasit”, ka thënë ai.
Në Gjilan, Riad Rashiti ka paraqitur një plan prej 3.5 milionë eurosh për kulturën.
E Bekim Azizi, kandidat për kryetar të Vitisë, ka deklaruar se Pozherani do të marrë statusin e një qyteze urbane, duke premtuar një shesh të ri dhe hapësira publike moderne.
“Sheshi i Pozheranit dhe hapësira pranë shkollës së parë shqipe do të trajtohen me kujdes përmes një projekti konkret, të cilin sot po e prezantojmë para jush. Ky është vetëm një nga projektet që kemi paraparë për Pozheranin”, ka thënë Azizi.
Uran Ismaili nga “Mati”: Prishtina s’mund të mbetet peng i inateve politike
Kandidati nga radhët e PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar planin e tij për lagjen “Mati”.
Në një tubim në “Mati”, Ismaili tha se Prishtina ndodhet në një udhëkryq vendimtar.
“Ju mund të vendosni se a do të shkojmë drejt zhvillimit, apo do të rrimë në të njëjtin vend, ashtu si 25 vjetët e fundit,” theksoi ai.
Ai shtoi se qytetarët e Prishtinës nuk mund të jenë më peng i konflikteve politike dhe akuzave të ndërsjella mes kandidatëve.
“Konfliktet politike dhe fajësimet duhet të marrin fund, sepse në këtë mes të vetmit që po e pësojnë janë qytetarët e Prishtinës. Përderisa të tjerët merren me inate politike, qytetarët nuk i kanë kushtet bazike për jetë dinjitoze në kryeqytet” tha ai.
Ismaili theksoi se ka ardhur koha për një Prishtinë që kujdeset për qytetarët e saj, ku asnjë individ, asnjë lagje e asnjë fshat nuk mbetet anash.
Duke folur për Matin, ai tha se kjo lagje është fytyra e re e Prishtinës, mirëpo ndërtimet e pakontrolluara viteve të fundit nuk janë përcjellur me infrastrukturën sociale dhe publike që nevojitet.
“Kjo nuk do të vazhdojë më. Mati dhe qytetarët e saj duhet, dhe do të marrin trajtimin që meritojnë,” u shpreh ai.
Ai ka prezantuar projektet për “Matin”, që janë: Çerdhe e re për fëmijët e lagjes; Ndërtimi i shkollës së re; Qendër komunitare multifunksionale; Rrugë të sigurta me ndriçim publik; Lagje e pastër 24/7; Lirim i hapësirave publike për trotuare dhe ecje të lirshme; Riorganizim i rrugëve për zhbllokim të trafikut; Krijimi i korridoreve funksionale me lagjet përreth.
