Sopi: Kurti krijoi narrativën se me fitoren e Pecit do të bashkohet Mitrovica

2 min. më parë / 10 nën 2025 21:52
Agim Sopi

Opinionisti Agim Sopi ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti, në garën për Mitrovicën, krijoi narrativën se me fitoren e Faton Pecit, do të bashkohet Mitrovica.

Sopi në emisionin “Konfront” në KTV theksoi se një pjesë e qytetarëve që e kanë votuar Pecin për kryetar, në fakt mendojnë se do të bashkohet Mitrovica.

“Për Vetëvendosjen ka qenë e motivuar politikisht sepse ka qenë narrativa e Kurtit çlirimi i veriut. Megjithatë pwr Kurtin të gjithë jemi dëshmitarë të një qeverisje me shumë defekte, vështirë se shquhet për ndonjë sukses. Sukses të vetmin ka krijuar narrativën se e ka çliruar Mitrovicën. Shumica e atyre që kanë votuar Faton Pecin, mendojnë se Mitrovica do të bashkohet. Sikur të humbte në Mitrovicën e Jugut, nga andej e deri në Kaçanik do të përhapej dështimi i narrativës së çlirimit të Mitrovicës. Atje për 10 ditë do t’i kemi të gjitha komunat me udhëheqje dhe do të kthehen strukturat serbe në të gjitha dimensionet sepse e kemi kusht politik që të hiqen sanksionet”, deklaroi Sopi.

Opinionisti Sopi shtoi se Mitrovica është një nyjë politike e lënë me qëllim që të përdoret si strehë politike e dështimeve.

Në balotazhin e së dielës në Mitrovicën e Jugut, bazuar në rezultatet preliminare të publikuara në faqen e KQZ-së, kandidati i LVV-së Faton Peci, mori 53.47% apo 17 mijë e 837 vota, ndërsa kundër-kandidati i tij nga PDK-ja, Arian Tahiri, mori 46.53% apo 15 mijë e 522 vota.

Në këto rezultate nuk janë të përfshira votat me kusht dhe ato me postë. 

Koci: Të kënaqur në zgjedhjet lokale duhet të ndihen LVV-ja dhe AAK-ja

1 o. më parë / 10 nën 2025 20:44
Melazim Koci

Opinionisti Melazim Koci, ka thënë se nga këto zgjedhje lokale, Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e kënaqur për faktin se në vitin 2013 ka udhëhequr vetëm me një komunë, ndërsa tani ka fituar në shtatë.

Koci në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, ka thënë se edhe AAK-ja pavarësisht që nuk bën pjesë në tri partitë më të mëdha, megjithatë fitoi pesë komuna.

“Ndoshta nëse veç duhet thënë kush duhet të jetë i kënaqur mendoj që janë Lëvizja Vetëvendosje për faktin se në vitin 2013 kanë pasur vetëm një komunë, sot i kanë shtatë dhe AAK-ja e cila pavarësisht që nuk është në mesin e tri partive më të mëdha, megjithatë fitoi pesë komuna dhe në nivelin lokal është në mesin e katër partive”, deklaroi Koci.

Megjithatë sipas Kocit, partitë nuk mund t’i referohen rezultateve të njëjta edhe për në zgjedhjet nacionale. Prishtinën megjithatë, Koci e sheh si barometrin kryesor.

“Rezultati në Prishtinë tregon që në zgjedhjet e ardhshme qendrore, në bindjen time do të jetë identik me shkurtin. 48 përqindëshi i Çekut mund të bie sa ka qenë në shkurt, 42%. Rezultati në Prishtinë ndoshta është barometri më i mirë për zgjedhjet qendrore që në bindjen time paralajmëron rezultat identik me atë të shkurtit të këtij viti”, deklaroi Koci në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”, në KTV.

Hajrullahu: Qytetet e mëdha u ndanë ndërmjet subjekteve kryesore

1 o. më parë / 10 nën 2025 20:36
Muhamet Hajrullahu

Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi ka thënë se shtatë qytetet më të mëdha të vendit janë ndarë ndërmjet subjekteve kryesore.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nga 12 komuna që ishte në balotazh ka fituar 4 prej tyre, duke shkuar në shtatë komuna gjithsej.

Sipas tij, LDK-ja ka humbur dy komuna, në të cilat historikisht fitonte.

Hajrullahu ka shtuar se PDK-ja po ashtu ka humbur dy komuna, duke llogaritur Mitrovicën e Jugut dhe Drenasin.

“Një lloj fituesi tjetër në këtë situatë është AAK-ja që i ka mbajtur komunat ekzistuese. Shtatë rajone janë ndarë ndërmjet subjekteve kryesore”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka thënë se koalicionet që u bënë nuk sollën asnjë rezultat për ata që ishin në vendin e dytë. Sipas tij, i vetmi rast është ai i Obiliqit.

Salihu: Zgjedhjet lokale nuk nxorën fitues absolut

1 o. më parë / 10 nën 2025 20:32
Bekim Salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se nuk ka fitues absolut të zgjedhjeve lokale.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” ka thënë se si fitues relativ e sheh Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij, është rritur numerikisht me komuna.

Sipas tij, partitë tjera po  e shohin fitore që kanë arritur t’i ruajnë komunat ku kanë udhëhequr.

“Përjashto LDK-në që po del me dy komuna më pak dhe PDK-ja me një komunë të madhe më pak. Kreu i PDK-së në postimin që e pati sot i renditi komunat ku ka fituar, por jo edhe Drenasin, duke nënkuptuar që nuk e ka konsideruar fitoren e PDK-së në Drenas”, ka thënë ai.

Sipas tij, po të humbte Përparim Rama në Prishtinë do të humbte edhe Lumir Abdixhiku, e që sipas tij, nuk do të mund të rrinte më si kryetar i kësaj partie.