Analisti politik, Artan Muhaxhiri, e ka quajtur turp të madh humbjen e PDK-së në Komunën e Drenasit. Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Muhaxhiri tha se kjo parti, madje duhet t’i kërkojë falje kandidatit Ramiz Lladrovci, i cili e fitoi Drenasin pa balotazh.
Ai ka thënë se ka qenë absurde pse PDK-ja është marrë me Lladrovcin.
Sipas tij, kjo parti duhet ta pranojë sërish atë në strukturat partiake, pasi shton se nëse shkohet në zgjedhjet nacionale, 13 mijë votat e Lladrovcit nuk do të jenë për PDK-në
“Drenasi ka qenë një turp i madh për strukturat vendimmarrëse të PDK-së. Ka qenë një stil mafioz, i tentimit të eliminimit të një kryetari i cili ka fituar mandate pastër. Mirëpo edhe një gjë, Lladrovci në të gjitha vlerësimet e OJQ-ve që merren me performancën e komunave ka dalë gjithmonë shumë larg, në tre më të mirët. Edhe në miratimin e buxhetit, edhe me investimet infrastrukturale edhe me barazitë gjinore. Pra, gjithmonë ka qenë kampion siç do ta quante edhe vetën ai. Pra, ka qenë absurde pse kryesia e PDK-së është marrë me Lladrovcin, kjo mund të jetë një çarje. Tash duhet t’i kërkojnë falje Lladrovcit dhe ta pranojnë sërish në PDK sepse me këtë çarje nëse shkojnë në zgjedhje qendrore, këto 13 mijë vota nuk do të jenë për PDK-në”, ka thënë Muhaxhiri.
E derisa sytë ishin kah Drenasi, analisti Muhaxhiri thotë se “trilleri” i vërtetë po ndodhte në Mitrovicë. Theksin e vuri edhe te fushata sepse sipas tij “Kurti më shumë ka qëndruar në Mitrovicë sesa në Prishtinë dhe se pothuajse çdo ditë shkonte atje duke bërë selfie, me pereca, me gjëra të ndryshme”.
Tutje, Muhaxhiri i ka quajtur qesharake edhe deklaratat e liderëve të cilët siç tha – krekoseshin, se kanë fituar disa komuna të vogla, të dielën mbrëma pas rezultateve preliminare të KQZ-së, në të cilat sipas Muhaxhirit nuk ka pasur betejë.
“Mbrëmë ishte qesharake që dolën liderët e krekoseshin me disa komuna shumë të vogla minimale, ku pothuajse s’ka pasur as betejë politike ndërsa në komunat e mëdha askush nuk ishte fitues i qartë. Është zhgënjyese por e pritshme prej kësaj klase politike”, deklaroi Muhaxhiri në emisionin “Interaktiv” në KTV.