Zgjedhjet lokale

Haradinaj: Sa herë që kemi marrë përgjegjësi, kemi dëshmuar

Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në Mitrovicë për konceptin “Dritë për Mitrovicën”, duke e vlerësuar kandidatin për kryetar komune, Qazim Nimani, si një figurë të angazhuar në çështjet kombëtare. Fushata e Haradinajt vazhdoi në Pejë, ku ai theksoi se me qeverisjen e Aleancës, nën udhëheqjen e Ali Berishës, qyteti do ta rifitojë vendin e vet si qendra e zhvillimit për të gjithë Dukagjinin

Në ditën e tetë të fushatës elektorale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vijuar prezantimin e projekteve të kandidatëve të saj në disa komuna.

Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka vizituar Mitrovicën, ku ka ftuar qytetarët të mbështesin konceptin “Dritë për Mitrovicën”, teksa kandidatin për kryetar komune, Qazim Nimani, e ka vlerësuar si një figurë të angazhuar në çështjet kombëtare.

“Sa herë që kemi marrë përgjegjësi, kemi dëshmuar rezultate. Qazim Nimani, kandidati ynë për kryetar të Mitrovicës, ka qenë gjithmonë aktiv në çështjen kombëtare, duke i shërbyer qytetarëve edhe në kohët më të rënda të okupimit, si dhe në funksione të rëndësishme gjatë shtetndërtimit. Ai dhe lista jonë për Asamble kanë për t’ia rikthyer qytetit madhështinë që meriton”, ka thënë Haradinaj.

Ai aktivitetin në kuadër të fushatës elektorale e ka vazhduar edhe në Pejë. Aty ka thënë se me qeverisjen e Aleancës, nën udhëheqjen e kandidatit për kryetar komune, Ali Berisha, qyteti do ta rifitojë vendin e vet si qendra e zhvillimit për të gjithë Dukagjinin.

“Lista e Aleancës në Pejë bashkon njerëz me vlera të larta, të dëshmuar në të gjitha kohërat dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Në krye të saj qëndron z. Ali Berisha, mjek i luftës çlirimtare dhe një personalitet i dëshmuar në përgjegjësitë e deritanishme. Kandidatura e z. Ali Berisha për kryetar të Pejës po vlerësohet si alternativa e domosdoshme për t’i kthyer qytetit shkëlqimin e dikurshëm”, ka thënë Haradinaj.

Në Rahovec, kryetari aktual i komunës, Smajl Laifi, i cili synon edhe një mandat, ka theksuar para qytetarëve se i duhet ndihmë dhe mbështetje.

“Kjo betejë pavarësisht që ne ja bëjmë hyzmetin tash edhe në fushatë, këndo që ta pyetësh, thonë Rahoveci është i mbyllur. Krejt përpjekja jonë është që edhe pak ndihmë, edhe pak përkrahje me kalu me raundin e parë. Nuk është as dëshira jonë, as interesi ynë i përbashkët me hy edhe njëherë në votime”, ka thënë Latifi.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka prezantuar planin për mbështetje për objektet e kultit.

Ai ka theksuar se një rregullore që do të hartohej për këtë, do të përfshijë heqjen e shpenzimeve për energji elektrike, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe ndriçimin profesional.

E, në Gjilan, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Nazim Gagica, ka prezantuar projektin për Transportin Publik Urban, me të cilin tha se synon të zgjidhë kaosin e përditshëm në rrugët e qytetit.

Ai ka premtuar funksionalizimin e katër linjave të reja të transportit publik, të cilat do të operonin me autobusë modernë.

“Ky projekt do të funksionalizohet në mes katër linjave kryesore të transportit publik. Linja e parë, Pasjak-Qendër-Malishevë. Linja e dytë, Livoq i Poshtëm-Qendër-Udhëkryqi i rrugës tranzit. Linja e tretë, Velekincë-Qendër-Rr. “Halim Orana” e që lidhet me lagjen Dardani I dhe II. Linja e katërt, Livoq i Epërm-Qendër-Shillovë. Qarkullimi në këto linja do të zhvillohet me autobusë modernë, me kapacitet deri më 25 pasagjerë duke ofruar frekuencë prej 14 qarkullimesh në ditë për secilën linjë në fazën fillestare”, ka thënë Gagica.

Në Istog, kandidati për asamblist, Ekrem Metaj, ka premtuar se në qeverisjen e AAK-së do të zgjidhet problemi i rrugëve të paasfaltuara nëpër lagje e fshatra.

Ndërsa në Viti, kandidati për kryetar komune, Labinot Bislimi, ka prezantuar projektin për kanalin e ri të ujit të Moravës, duke theksuar se do të ngjajë me sistemin modern të qytetit suedez Malmo.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e tetë e fushatës