“Qytet të mençur” ka premtuar për Gjakovën kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar komune, Ardian Gjini, që e synon edhe një mandat në këtë post.
Në fushatën e së enjtes, ai është zotuar që Gjakova të avancojë drejt konceptit të modernitetit, duke e shpjeguar vizionin e tij për transportin publik.
“Dëshirojmë t’i blejmë autobusët e rinj, që normalisht i lidhin krejt fshatrat edhe qytetin e tërë. Qyteti mençur është koncepti i ri që ne kemi hyrë në vitin 2019, gradualisht, por katër vitet e ardhshme kemi për ta vazhduar masivesh”, ka theksuar ai.
Në Prizren, kandidati i AAK-së për kryetar komune, Besnik Krasniqi, është përqendruar te fushat e menaxhimit të mbeturinave, sportit dhe kulturës. Ai ka thënë se komuna tashmë ka ngritur një sistem të besueshëm në menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe se prioritet do të jetë zhvillimi i sportit e rinisë.
“Këtë do ta bëjmë me njerëz që janë kompetentë dhe e njohin këtë fushë. Komuna do të mundohet të jetë avangardë për juve, jo ju t’i shkoni procesit përpara e na t’ju vijmë prapa, por që ne të jemi para jush për ta hapur terrenin, që ju të zhvilloheni sa ma lehtë”, është zotuar ai.
Bekë Berisha, i cili është kandidat i AAK-së për kryetar në Prishtinë, është zotuar që ta bëjë kryeqytetin do të sigurt, më transparent dhe më ët afërt me qytetarët. Ai ka paralajmëruar masa të forta për rendin dhe sigurinë, duke përfshirë instalimin e 1,000 kamerave të sigurisë dhe 100 radarëve, praninë e policëve më afër shkollave e lagjeve, si dhe kontrollin më rigoroz të trafikut.
“Policë më pranë shkollave dhe lagjeve, kontroll më i fortë i trafikut, legalizim i shpejtë i 40,000 ndërtimeve dhe publikim i çdo euro të shpenzuar në kohë reale – ky është vizioni ynë për Prishtinën”, ka thënë ai.
Në Deçan, kandidati për kryetar, Bashkim Ramosaj, u ka premtuar pensionistëve një shtëpi të posaçme në të cilën ka thënë se do t’u ofrohet kujdes profesional, ambient i ngrohtë dhe trajtim dinjitoz.
“Dëgjova me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre. Angazhimi ynë mbetet i palëkundur: do të vazhdojmë të punojmë që ata të ndihen të respektuar, të përkujdesur dhe të mbështetur ashtu siç e meritojnë. Sepse respekti për ta nuk është vetëm detyrim, është një borxh mirënjohjeje ndaj brezit që na dha gjithçka”, ka thënë ai pas takimit me pensionistë.
Kryetari aktual i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, ka premtuar më shumë investime për Kramovikun, Mrasorin e Gurin e Kuq.
“Kemi një mal argumentesh dhe arsye të forta për të kërkuar besimin tuaj edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. Projekti ynë dhe angazhimet e deritanishme kanë dëshmuar se ka projekte të prekshme, konkrete – projekte që e kanë bërë jetën e qytetarëve të kësaj zone, të këtij fshati, por edhe të fshatit Mrasor, më të mirë se sa ka qenë në periudhat e mëhershme. Ju falënderoj për përkrahjen që na keni dhënë në vitin 2021 – një përkrahje shumë e madhe dhe shumë e fortë. Nëse ne, brenda një mandati, kemi arritur të realizojmë 13–14 projekte, merreni seriozisht mundësinë që në një mandat të ri të bëjmë edhe më shumë”, ka theksuar Latifi.
Në Lipjan, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka premtuar se komuna do të bëhet shembull zhvillimi dhe suksesi me kandidatin e partisë së tij për kryetar, Bashkim Budakova.
“Aleanca është e përcaktuar për një program zhvillimor, me njerëz të përkushtuar, profesionistë dhe të afërt me qytetarët. Në krye të kësaj liste qëndron kandidati ynë për kryetar, profesori i nderuar Bashkim Budakova, i cili udhëheq një ekip të përgjegjshëm e me integritet”, ka thënë ai.
E kandidati i AAK-së për kryetar në Istog, Ukë Blakaj, ka bërë zotimin që në rast zgjidhet në krye të komunës punën do ta përqendrojë tek bujqësia, nëpërmjet përkrahjes për kultivuesit e mollës dhe për bujqit. Ai ka theksuar se synon që të ndihmojë fermerët për ta rritur prodhimin, për të gjetur tregje më të favorshme dhe për t’u siguruar familjeve të tyre një të ardhme më të qëndrueshme.
