Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Deçanit, Korab Mushkolaj, të cilit iu refuzua certifikimi për zgjedhjet e 12 tetorit.
Ditë më parë KQZ-ja refuzoi certifikimin e tij, pasi Zyra për regjistrim të subjekteve kishte marrë përgjigjen nga Ministria e Punëve të Jashtme se Mushkolaj është “është i angazhuar me aktemërim të përhershëm si zyrtar i lartë në divizionin e ceremonialit në Departamentin e Protokollit të Shtetit dhe se kjo pozitë llogaritet si anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësuesit diplomatik”. Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës u ndalohet garimi.
Ndërkaq PDK-ja ka thënë se Mushkolaj është në pozitën e nëpunësit civil dhe se ai veçse e ka pezulluar pozitën në ministri.
E PZAP-ja në vendimin e publikuar të shtunën ka cekur se Mushkolaj s’ka ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij për pezullim të detyrës. Ankesa e tij është refuzuar si e pabazuar.
Kundër vendimit të PZAP-së, Mushkolaj ka 48 orë kohë që të ankohet në Gjykatën Supreme.