Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së parë të fushatës zgjedhore për balotazhin e zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 9 nëntor. 18 komuna janë në balotazh.

Kurti: Vushtrria do të jetë komunë që e mbron familjen dhe dinjitetin shoqëror

1 muaj më parë / 3 nën 2025 22:23
Albin Kurti dhe Sylejman Meholli

Me tubime e takime me qytetarë, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje nisën fushatën për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 12 nga 18 komunat ku janë në balotazh.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, vizitoi disa fshatra, në kërkim të votës për të udhëhequr me kryeqytetin. 

Gjatë vizitës në Mramor, ai prezantoi projektin “10 fshatrat” që synon zhvillim përmes investimeve në infrastrukturë, shtigje turistike, ngjarje kulturore dhe mbështetje të aktiviteteve ekonomike.

“Unë mendoj që kemi nevojë me kriju një organizatë turistike të Gollakut, që merret me Gollakun. Është organizatë turistike që i bën bujqit edhe fermerët dhe organizatat tjera dhe ata bashkarisht vendosin se si të ngrenë vlerën turistike kësaj zone”, është shprehur Çeku. 

E bashkëpartiaku i tij, kandidati për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, që po garon edhe për një mandat, premtoi ndërtimin e një strehimoreje për të mbijetuarat e dhunës në familje. Hyseni i munguan “një grusht votash” që të fitojë garën që në raundin e parë. Përballë ai do ta ketë kandidatin e LDK-së, Arbër Ismajli. 

“Për gratë që janë të mbijetuara të dhunës në familje do të ndërrojmë strehimorën e re ku ato do të ndjejnë ngrohtësi dhe siguri. Më pas tek fondi për ndërmarrësit dhe fondi për biznesit mbi 10 punëtorë do të subvencionojmë paga për gratë në mënyrë që të integrohen dhe të bëhen pjesë e tregut të punës”, ka thënë Hyseni.

Kandidati i LVV-së për Gjakovë, Ardian Gola, në nisjen zyrtare të fushatës për balotazh kërkoi nga qytetarët votë për ndryshim të qeverisjes.

“Kjo javë është e fundit dhe vendimtare. Është java ku vazhdojmë t’i vëmë në pah dështimet dhe problemet e thella të qeverisjes aktuale, duke paraqitur njëkohësisht vizionin tonë të qartë për Gjakovën e së nesërmes”, ka deklaruar Gola. 

Halil Thaçi që synon të qeverisë me Obiliqin, bëri katër premtime për fshatin Brzenicë. Sipas tij, ky fshat u diskriminua në katër vitet e fundit. Në garën për kryetar ai do ta ketë rival Xhafer Gashin e LDK-së. 

“Ne si qeverisje e ardhshme premtojmë se do të realizojmë trotuarin, do të kemi edhe një çerdhe, parkun e lodrave për fëmijë, për shkollën “Naim Frashëri” do të bëjmë ndërtimin e sallës së edukatës fizike”, ka premtuar Thaçi. 

Lëvizje Vetëvendosje do të garojë për kryetar në 12 komuna nga 18 sosh sa janë në balotazh më 9 nëntor.

Në mesin e tyre është edhe komuna e Vushtrrisë, ku ky subjekt përfaqësohet nga kandidati Sylejman Meholli. 

Në mbështetje të tij të hënën është angazhuar lideri i LVV-së, Albin Kurti. Në tubimin e mbajtur në Vushtrri, Kurti ka thënë se me modelin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me udhëheqjen e kryetarit të ardhshëm, Sylejman Mehollit dhe bashkëpunëtorëve të tij të koalicionit qeverisës, Vushtrria do të jetë komunë që e mbron familjen dhe dinjitetin shoqëror. Në tubim ishte edhe kandidati i LDK-së në raundin e parë, Xhafer Tahiri. 

“Gratë nuk do të mbeten më të vetme me barrën e jetës familjare. Komuna do të ecë përpara me ekonomi që punon për qytetarin. Zona Ekonomike e Lumadhit do të zhvillohet dhe hapet për investim. Bizneset e vogla do të mbështeten, procedurat do të thjeshtohen, prodhimi do të rritet. Shkolla do të jetë qendër komunitare, e hapur për aktivitet, për dijen, për rininë dhe prindërit. Qyteti do të ketë parqe, shëtitore dhe hapësira publike të gjalla. Kjo është Vushtrria që jeton, zhvillohet dhe rritet bashkë. Bashkë më 9 nëntor, bashkë për Vushtrrinë, bashkë 105!”, ka thënë Kurti. 

Partia më e madhe në nivelin qendror ka fituar pa balotazh në Kamenicë, Podujevë e Shtime. Në rundin e dytë garon në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Pejë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Obiliq, Rahovec, Viti dhe Vushtrri.

Gjini premton kapitull të ri për Gjakovën, Latifi vazhdim të projekteve të mëdha për Rahovecin

1 muaj më parë / 3 nën 2025 22:21 Nga: Sanie Jusufi
Ardian Gjini

Pesë kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetarë komunash, të hënën kanë hapur fushatën për rundin e dytë me synimin për të udhëhequr me qytetet ku garojnë. Në katër komuna ata synojnë ta vazhdojnë qeverisjet e tyre edhe për katër vjet.

Ardian Gjini, i cili është kryetar aktual i Gjakovës, përmes një videomesazhi të hënën, ka thënë se do të vazhdojnë projektet e mëdha edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.

“Gjakova ka qenë në kapitullin e vet më të mirë ndonjëherë. Nuk jemi udhëheq as prej urrejtjes, edhe njëjtë do të vazhdojmë. I duam të gjithë, i duam të qytetarët e komunës sonë. E duam komunën tonë më të mirën që mundet me qenë diku”, ka thënë Gjini.

Bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, po ashtu ka kërkuar votën e qytetarëve, siç ka thënë, për të vazhduar projektet e mëdha.

“Duke ju falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen që më motivon të vazhdoj me punë e përkushtim për komunën tonë, unë do të jem para jush dhe me ju në këto ditë, për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja, për të dhënë sqarime për planet e mia dhe për të shtjelluar hollësisht programin tim qeverisës. Le të mobilizohemi për fitoren që na pret dhe të bëhemi gati, edhe më shumë, për punët e shumta dhe projektet e mëdha që kemi para vetes për t’i bërë realitet, e që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Rahovecit”, ka deklaruar Latifi. 

E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, të hënën ka inspektuar punimet në rrugën Shirokë – Topliqan, për të cilën ka thënë se i lidhë katër fshatra.  

“Brenda një muaji presim që të kryhet kjo urë dhe do t’ua mundëson qytetarëve që të lëvizin më lirshëm”, ka premtuar Muharremaj. 

Kandidati për Junik, Agron Kuçi ka akuzuar të hënën kundërshtarin e tij, kandidati i LDK-së për kryetar komune, Ruzhdi Shehu, për siç ka thënë fushatën e tij mbi propagandë dhe pretendime të pabazuara ndaj qeverisjes së AAK-së. 

“Nëse këto pretendime do të kishin qënë të vërteta, ai ka pasur plot 4 vite, apo 1460 ditë, për t’i bërë publike.! Tani, kur ka ardhur koha për t’u ballafaquar në debate publike, z. Shehu po i shmang ato, duke dëshmuar se nuk ka argumente, por vetëm fjalë boshe. E vërteta nuk i frikësohet debatit ,vetëm propaganda frikësohet prej tij”, ka shkruar Kuçi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pos në Gjakovë, Rahovec, Junik e Suharekë, është në balotazh edhe në Klinë me kryetarin aktual Zenun Elezaj.

Elezaj, që është kryetar aktual i komunës, të dielën ka promovuar fazën e dytë të riasfaltimit të rrugës Klinë-Shtupel, me gjatësi 3.6 km dhe investim prej 339,000 euro. Ai ka thënë se ky është edhe një tjetër investim që dëshmon përkushtimin për infrastrukturë moderne dhe zhvillim të vazhdueshëm të komunës të Klinës. 

Totaj përuron hapësire të gjelbër në Prizren, Vishi kërkon unitet në Kaçanik

1 muaj më parë / 3 nën 2025 22:01 Nga: Rrezon Gashi
Shaqir Totaj

Gjashtë kandidatë të Partisë Demokratike janë në garën e balotazhit për kryetarë të komunave. 

Në ditën e parë të fushatës 6-ditëshe, kandidati i PDK-së për kryetar të Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka kërkuar mbështetjen e secilit qytetar për të mbajtur bastionin e partisë edhe për katër vjet.

“Vota juaj është zëri juaj për të ardhmen e fëmijëve tanë, kudo në komunën tonë. Kjo është koha që të bashkohemi të gjithë pa dallim, t’i lëmë anash hatër mbetjet dhe të dielën të hedhim së bashku hapin e duhur për Kaçanikun. Këtë të diel vendosim për të ardhmen e qeverisjes së Kaçanikut. Kaçaniku ka nevojë për vendimin tuaj”, ka thënë Vishi.

Në Prizren, kryetari aktual i komunës, njëherësh kandidat për një tjetër mandat, Shaqir Totaj, përuroi rregullimin e një hapësire publike mes ndërtesave në lagjen Ortakoll. 

Ai tha se shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra është prioritet i tij. 

Në zgjedhjet e 12 tetorit, Totaj doli i pari me 41% të votave. Ai lidhi koalicion me partinë e tretë në këtë komunë, LDK-në.

Në Mitrovicë, Arian Tahiri, kandidat i PDK-së për kryetar ka dhënë mesazhe përbashkuese tek ka lidhur marrëveshje për koalicion me LDK-në, AAK-në dhe Partinë Demokratike Turke të Kosovës. 

Tahiri në raundin e parë mori 47.57% të votave e doli i dyti me 122 vota më pak se i pari – kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci. 

“Këto ditë kam vizituar familje dhe kam folur me qytetarë që punojnë çdo ditë për një jetë më të mirë. Kam folur me të rinj të talentuar, me prindër që kërkojnë siguri dhe me të moshuar që duan respektin. Për ta, për ju, për çdo qytetar që beson në këtë qytet, unë jam këtu. Jam këtu për Mitrovicën. Kemi kaluar sfida, por kurrë nuk e kemi humbur besimin. Kemi dallime, por qytetin që na rriti e duam të gjithë”, ka deklaruar Tahiri. 

E kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, njëherësh kandidat i PDK-së për mandatin e dytë njoftoi se nuk do të marrë pjesë në debatet televizive, me arsyetimin se kundërkandidati i tij nga Vetëvendosje, siç tha, nuk e njeh gjuhën e argumentit. 

Idrizi doli i pari në zgjedhjet e 12 tetorit. Në balotazh përballet me Sylejman Mehollin e LVV-së, i cili ka lidhur marrëveshje me kandidatin e LDK-së, Xhafer Tahiri, dakordim ky që nuk mori aprovimin e selisë qendrore të Lidhjes Demokratike. 

PDK-ja në balotazh është edhe në Klinë me kandidatin Sokol Bashota dhe në Dragash me Shaban Shabanin.

Abdixhiku: LDK-ja do ta kthejë Suharekën në folenë e vet biologjike

1 muaj më parë / 3 nën 2025 21:52 Nga: Rrezon Gashi
Ardian Shala dhe Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me kandidatin për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, kanë nisur të hënën fushatën për balotazhin e 9 nëntorit me një takim me qytetarët në sheshin e qytetit.  Në këtë tubim, Abdixhiku tha se në Suharekë tashmë është krijuar një shumicë që kërkon ndryshim dhe se ditët e fundit të fushatës do të jenë përcaktuese për rezultatin përfundimtar. 

Ai u bëri thirrje mbështetësve të LDK-së që të angazhohen maksimalisht për ta kthyer, siç tha ai, “Suharekën në folenë e vet biologjike”. 

“Është e qartë që qytetarët e Suharekës kanë nevojë për ndryshim. Rrjedhimisht shumica e tyre e kanë votuar këtë ndryshim. Ju bie barra që këto 5-6 ditë të mbetura të angazhoni të gjithë – derë më derë, familje për familje, lagje për lagje, fshat e qytet në Suharekë – që ta ktheni këtë qytet në folenë e vet biologjike. Suhareka është e djathtë, Suhareka është me LDK-në”, ka deklaruar Abdixhiku.  

E kandidati i kësaj partie për kryetar, Ardian Shala, që sfidon kryetarin aktual, Bali Muharremajn e AAK-së, tha se synimi i tij është të rikthejë qeverisjen e ndershme dhe të përqendruar te qytetari.

Në Prishtinë, kandidati i kësaj partie dhe kryetari aktual, Përparim Rama, publikoi një video në Facebook nga lagjja “Dardania”, në të cilën premtoi dy projekte nëntokësore që, sipas tij, do ta lehtësojnë qarkullimin në kryeqytet.

“Prej rrethit të flamurit deri te rrethi i tjetër atje te stacioni i autobusëve do të jetë nënkalim. Edhe parku i ri, parku i madh, edhe këto pjesë këtu që tash janë pjesë që do transformohen në parking nëntokësor”, ka thënë Rama.

E kolegu i tij nga partia, Besnik Osmani që kandidon për kryetar të Fushë Kosovës, premtoi investime në ndërtesat e banimit kolektiv. 

“Banesat e Bresjes kanë nevojë për renovim dhe zotimi ynë është që këto banesa do të rinovohen në tërësi dhe do të jenë në shërbim të pronarëve të tyre”, ka deklaruar Osmani.

Xhafer Gashi që synon edhe një mandat si kryetar i Obiliqit, foli për projektin e ngrohtores së qytetit, ku një pjesë e punëve veçse kanë përfunduar. 

“Për të arritur deri te ky projekt dhe projekte të tjera që jemi duke i zhvilluar, fillimisht falënderoj në 2017 GIZ-in gjerman për termat e referencës që më pastaj nga fillimi i implementimit të buxhetit nga Ligji për Obiliqin, ne filluam të mendojmë edhe më gjatë për projektin e ngrohjes qendrore duke e ditur që është një projekt i jashtëzakonshëm, shumë i domosdoshëm për qytetarët e Obiliqit”, ka premtuar kandidati i LDK-së, Xhafer Gashi. 

Në Suharekë, Ardian Shala, u shpreh se votimi për të është zgjidhja e problemeve të qytetit. 

“Më shumë se gjysma e qytetarëve kanë votuar për ndryshim, për një qeverisje që i shërben qytetarit dhe jo grupeve të privilegjuara. Ky është një mesazh i qartë, Suhareka është gati për një epokë të re. Ne jemi në anën e përgjegjësisë dhe të vlerave. Besojmë në punë të ndershme, në transparencë, në bashkëpunim dhe respekt për secilin qytetar”, ka theksuar Shala. 

Në Prishtinë LDK-ja hyn në garë si partia e parë e dal nga raundi i parë i mbajtur më 12 tetor. Në Fushë Kosovë, Osmani doli i dyti e tash është në koalicion me të tretin, Rrahim Tërnavën e PDK-së. Në Obiliq, Gashi doli i pari. 

Të tri këto komuna udhëhiqen nga LDK-ja dhe kandidatët e saj garojnë kundër atyre të Vetëvendosjes. 

LDK është në balotazh edhe në Gjilan, Viti, Pejë, Junik e Dragash. 

Rundi i dytë mbahet më 9 nëntor.

Krasniqi: Mitrovica është bashkuar me Arian Tahirin

1 muaj më parë / 3 nën 2025 21:41
Arian Tahiri

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ndarë disa fotografi nga tubimi në Mitrovicë, ku shkroi se shumë qytetarë u mblodhën e u bashkuan për “Mitrovicën që punon, që bashkon dhe që beson”.

Krasniqi shkroi se kandidati i PDK-së për këtë komunë, Arian Tahiri, nuk përfaqëson vetëm PDK-në, por të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa dallim.

“Qindra qytetarë, të rinj e të moshuar, nga çdo lagje e çdo pjesë e qytetit, edhe sonte u bashkuan me një zotim të përbashkët: për Mitrovicën që punon, që bashkon dhe që beson. Arian Tahiri tashmë nuk përfaqëson vetëm PDK-në, por të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa dallim. Ariani, me edukatën dhe vlerat e tij, mishëron drejtimin për të cilin ky qytet qëndron. Përfaqëson vazhdimësinë e një Kryetari të mirë, si Bedri Hamza, që besimin e qytetarëve e ka të shenjtë - ndërsa punën e ka valutë”, shkroi në Facebook Memli Krasniqi.

Në balotazh në Mitrovicë të Jugut është Faton Peci nga LVV-ja dhe Arian Tahiri, kandidati i PDK-së.

Abdixhiku nga Suhareka: LDK-ja do ta kthejë qytetin në “folenë e vet biologjike”

1 muaj më parë / 3 nën 2025 15:55
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidatin për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, kanë zhvilluar të hënën një bashkëbisedim me qytetarët në sheshin e këtij qyteti, në kuadër të fushatës zgjedhore për balotazhin që do të mbahet të dielën më 9 nëntor, raporton Ekonomia Online.

Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, Abdixhiku tha se shumica e qytetarëve të Suharekës kanë vendosur për ndryshim dhe se këto ditë të fundit të fushatës do të jenë vendimtare për fitoren e LDK-së.

“Është e qartë që qytetarët e Suharekës kanë nevojë për ndryshim. Rrjedhimisht shumica e tyre e kanë votuar këtë ndryshim. Ju bie barra që këto 5-6 ditë të mbetura të angazhoni të gjithë – derë më derë, familje për familje, lagje për lagje, fshat e qytet në Suharekë – që ta ktheni këtë qytet në folenë e vet biologjike. Suhareka është e djathtë, Suhareka është me LDK-në. Ne si LDK jemi të bindur për fitoren e madhe që po vjen këtu, presim që të dielën të na ftoni për një festë të madhe”, tha Abdixhiku.

Ndërsa kandidati për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, u shpreh se qytetarët tashmë kanë vendosur për ndryshim dhe se më 9 nëntor ai do të bëhet realitet.

“Shumica e qytetarëve tashmë më veç janë përcaktuar në këto zgjedhje që i patëm më 12 tetor, 55% e qytetarëve ishin për ndryshim, ai ndryshim do të vijë më 9 nëntor. Sot e filluam fushatën ku e patëm edhe kryetarin e partisë, i cili ishte për një hapje të fushatës, për një mbështetje në këtë komunë. Sepse është një komunë që frymon krah LDK-së. Ne do t’i kthejmë punët e mira në Suharekë, punë me ndershmëri, punë ku qytetari do të jetë ai që do të jetë në qendër të qeverisjes së ardhshme. Do të punojmë për t’i dhënë projekte të mëdha në bujqësi, infrastrukturë, zhvillim, do të ketë punësim dhe të gjitha ato që qytetari veç e di, sepse në program i kemi bërë publike”, ka thënë Shala.

Totaj: Mbështetja e të rinjve garanci për rrugën e mirë që kemi ndjekur

1 muaj më parë / 3 nën 2025 11:59
Shaqir Totaj

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se të rinjtë janë shtylla e zhvillimit të qytetit. Ai ka thënë se mbështetja e të rinjve është "garanci për rrugën e mirë që është ndjekur".  

“Të rinjtë janë shtylla e zhvillimit të qytetit tonë. Mbështetja e tyre është garancia për rrugën e mirë që kemi ndjekur dhe punët e mëdha që na presin në Prizren. Faleminderit për fjalët!” – ka shkruar Totaj në Facebook. 

Totaj tha se gjatë 6 ditëve të fushatës për balotazhin do të ketë takime me qytetarët në lagjet e fshatrat e Prizrenit. 

PDK-ja dhe LDK-ja të dielën kanë arritur marrëveshje koalicioni për balotazh. 


 

Hyseni premton të ndërtojë strehimore të re për të mbijetuarat e dhunës në familje

1 muaj më parë / 3 nën 2025 11:39
Alban Hyseni

Kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, që është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për edhe një mandat në krye të qytetit, ka thënë se qeverisja e tij do t’i ketë në fokus edhe në të ardhmen gratë dhe vajzat. 
Hyseni në balotazhin e 9 nëntorit garon kundër Arbër Ismajlit të LDK-së. 

Hyseni ka premtuar se për të mbijetuarat e dhunës në familje do të ndërtojë një strehimore të re dhe do të subvencionohen pagat për gratë që kanë nevojë për punësim. Po ashtu do të ofrojnë mundësi bursash studimore për studentet. 

“Në të ardhmen, do të vazhdojmë të angazhohemi për barazi, dinjitet dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, tha Hyseni.
 

Rama takohet me gastronomët: Gjithmonë kemi synuar t’i ndihmojmë dhe t’ua lehtësojmë punën

1 muaj më parë / 3 nën 2025 11:31
Përparim Rama

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, njëherit kandidat i LDK-së për edhe një mandat, ka thënë se gastronomët dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit janë zemra e Prishtinës si ekonomi. 

Rama ka thënë se pa ta Prishtina është më e varfër, si ekonikimisht ashtu edhe shpirtërisht. 

“Gastronomët dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, janë zemra e Prishtinës si ekonomi dhe si energji. Puna e tyre është përjetimi i parë që e ndiejnë turistët, por edhe vetë prishtinalitë, që nisin ditën me kafe, takohen në drekë me kolegë e me festojnë me familje në këto vende që i japin jetë qytetit. Si kryeqytet, kemi synuar gjithmonë t’i ndihmojmë dhe t’ua lehtësojmë punën. Edhe këtë herë kemi dëgjuar me kujdes ankesat dhe sugjerimet e tyre. Sigurisht, ka ende shumë për të bërë dhe bashkë do t’i bëjmë më mirë. Një gjë është e sigurt: Prishtina pa ju është më e varfër, ekonomikisht dhe shpirtërisht. Ju jeni një segment i vlefshëm i shoqërisë sonë, që e respektoj dhe e vlerësoj thellësisht për kontributin që i jep qytetit çdo ditë”, ka shkruar Rama në Facebook. 

Rama në balotazhin e 9 nëntorit garon me kandidatin e Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku.

ek

Kurti: Shipoli e bën dallimin

1 muaj më parë / 3 nën 2025 10:21
Faton Peci e Albin Kurti ne Shipol

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Shipoli do ta bëjë dallimin dhe se Faton Peci do të zgjidhet kryetar i ri i Mitrovicës të dielën në balotazh. 

Peci në balotazh do të përballet me Arian Tahirin e PDK-së. 

Kurti e Peci të dielën, një ditë para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore për balotazhin e 9 nëntorit, mbajtën tubim në Shipol të Mitrovicës. 

“Në Shipol fillon ndryshimi, Shipoli e bën dallimin. Nga aty ngrihet Mitrovica dhe nis kapitulli i mirëqenies dhe progresit, me Fatonin kryetar të Mitrovicës.  Faleminderit për besimin dhe për mbështetjen!” – ka shkruar Kurti në Facebook. 

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Peci doli i parë 15 mijë e 830 vota, 128 më tepër se Tahiri. 

Gëzim Plakolli i LDK-së doli i treti me 1225 vota. 

Të dielën PDK-ja e LDK-ja njoftuan se kanë arritur marrëveshje koalicioni për balotazhin në Mitrovicën e Jugut.