Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 26-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Dula e Kurti zotohen për investime në fushën e arsimit dhe bujqësisë në Rahovec
Mbështetje për bujqësinë dhe investime në infrastrukturë kanë premtuar të mërkurën në Rahovec kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të kësaj komune, Ali Dula dhe kryetari i partisë, Albin Kurti.
Teksa e ka mbështetur Dulën, Kurti ka thënë se udhëheqja lokale e LVV-së në Rahovec do të marrë shembull nga ajo qendrore për sa u përket investimeve në bujqësi.
“Në zemër të programit të Ali Dulës dhe Lëvizjes Vetëvendosje është bujqësia. Motori ekonomik i Rahovecit. Do ta bëjmë bujqësinë krenari e pasuri jo vetëm mbijetesë e rutinë, edhe në nivel lokal”, është shprehur Kurti.
Krahas në bujqësi, Dula ka thënë se investime gjatë qeverisjes së tij do të ketë edhe në infrastrukturë, arsim dhe në shëndetësi.
“Ne duhet të investojmë akoma edhe në infrastrukturë, edhe në arsim, edhe në shërbime cilësore shëndetësore dhe këto premtime nuk janë boshe dhe po zotohem para jush që këto do të jenë investime dhe kontribute të thella të mia personale”, ka thënë Dula.
Kurti ka bërë fushatë edhe në Dragash. Aty, bashkë me kandidatin e LVV-së për kryetar, Filiz Mustafa, është zotuar për ndërtimin e një poliklinike specialistike me synim rritjen e numrit të shërbimeve shëndetësore në këtë komunë. E garanci se Vetëvendosje e mban këtë premtim, ai ka thënë se është puna e Shpejtim Bulliqit në Podujevë.
“Poliklinika Specialistike në Sharr nga qeveria qendrore në bashkëpunim me Komunën e Sharrit e kryetarin e ardhshëm, Filiz Mustafa, do të jetë punë e kryer. Kush nuk beson, le të shkojë ta shohë poliklinikën në Llap, në Podujevë”, ka thënë Kurti.
E kandidati Mustafa ka premtuar që në rast se i fiton zgjedhjet e 12 tetorit, ai do ta ketë një përparësi të cilën nuk e kanë kundërkandidatët e tij.
“Çfarë ne kemi, e çfarë nuk ka as Shaban Shabani e as Bexhet Xheladini është mbështetja e parezervë e Qeverisë së Republikës”, ka thënë Mustafa.
Në Shtime kryetari aktual dhe kandidati për edhe një mandat, Qemajl Aliu, ka përuruar rrugën në fshatin Gllavicë, për të cilën ka thënë se lidhet me zonën e dytë ekonomike të Shtimes. Ai ka shtuar se në plan e ka edhe zgjerimin e rrugës “14 Dhjetori”.
“Presim në pranverën e ardhshme, ashtu siç jemi zotuar, të fillojmë funksionalizmin dhe vendosjen e bizneseve në këtë zonë, e cila do të ndihmojë dhe shërbejë në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Komunës së Shtimes dhe komunave përreth”, ka premtuar ai.
Për investime në infrastrukturë është zotuar edhe kandidati për Fushë-Kosovën, Valon Prebreza, i cili ka shpalosur një projekt bashkë me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Projekti i rrugës përreth Hekurudhës deri te ETC-ja është një projekt i cili do ta shkarkojë komunikacionin e tejngarkuar sidomos të daljes në rrugën kryesore në drejtim të Prishtinës dhe Pejës”, ka thënë Durmishi, i cili ka thënë se këto investime nuk janë bërë deri tash shkaku i mosbashkëpunimit të udhëheqjes lokale të Fushë-Kosovës me Qeverinë.
E Prebreza ka theksuar se krahas rrugës do të pasojnë edhe disa investime të tjera.
“Ky projekt është premtim i yni, do ta vazhdojmë projektin deri prapa ‘Hib Petrolit’ për ta bërë by pass-in funksional, ku këtij by pass-i do t’ia bashkëngjisim edhe dy nënkalime për lagjen Nakaradë”, ka thënë ai.
Në Drenas kandidatja Egzona Tërdevci ka shpalosur programin e saj, në bazë të të cilit synon që ta udhëheqë komunën në katër vjetët e ardhshëm. Në fushën e arsimit, Tërdevci është zotuar të hapë pesë çerdhe të reja, ta zbatojë mësim tërëditor, atë të arsimit dual, të ndërtojë palestra sportive në secilën shkollë, ta përfshijë kodimin si lëndë, të ndajë bursa të rregullta dhe të rrisë numrin e psikologëve e logopedëve në shkolla.
“Ndërtimi i Poliklinikës Specialistike për qytetarët e Drenasit, përfundimi i QKMF-së “Hafir Shala”, ndërtimi i objektit të Urgjencës, ristrukturim të stafit edhe rritje të kualitetit të shërbimeve”, kanë disa nga zotimet për shëndetësinë.
E në Prizren kandidati i LVV-së, Artan Abrashi, premtoi përfshirje të plotë për komunitetin boshnjak, turk, rom, ashkali dhe egjiptian.
Krasniqi premton park botanik në Prizren, Latifi mbështetje për gratë në Rahovec
Shesh modern dhe parking nëntokësor në Prizren, ka prezantuar kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar komune, Besnik Krasniqi, në javën e fundit të fushatës zgjedhore. Projektet e tij infrastrukturore dhe zhvillimore, sipas Krasniqit do ta bëjnë Prizrenin model për qytetet e tjera të Kosovës.
“Qendra e Prizrenit ka nevojë për frymëmarrje të re, ka nevojë për vizion, për plan e mbi të gjitha për punë të mençura. Ne do ta ndërtojmë parkingun më të madh e më funksional të qytetit pikërisht këtu, në pjesën e prapme të Shtëpisë së Bardhë, me tri nivele nëntokësore dhe lidhje direkte në tokë që bashkon rrugën ‘Adem Jashari’ me rrugën Antaria. Kjo do ta zgjidhë përfundimisht trafikun në qendër. Mbi të do ta ngremë objektin e ri të administratës komunale objekt transparent dhe modern, më afër qytetarëve. Rreth tij do të ndërtojmë sheshin e ri të qytetit me një park botanik që do ta bëjë Prizrenin model të jetesës urbane”, ka thënë Krasniqi.
Në Rahovec, kryetari aktual Smajl Latifi, që e synon edhe një mandat, ka premtuar politika të reja që e synojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen më të madhe të grave në vendimmarrje.
“Në programin tonë qeverisës do të merremi me seriozitet të lartë që vajzat dhe gratë tona të jenë të barabarta, të ndihen të barabarta dhe të jetojnë plotësisht të barabarta mes nesh. Prandaj, ne do të kujdesemi që gratë dhe vajzat të jenë të barabarta si në përfaqësim, ashtu edhe në vendimmarrje institucionale. Do të bëjmë buxhetim gjinor në projektet komunale dhe do të vendosim kriter gjinor me subvencionimin e tyre në biznes, në sport, në veprimtari artizanale, në kulturë dhe më gjerë. Do të mbështesim konkretisht vajzat dhe gratë për aftësim profesional, trajnime të ndryshme e posaçërisht në fushën e teknologjisë informative. Politika të reja do të zbatohen për t’i mbështetur gratë fermere, gratë që gatuajnë ushqime tradicionale dhe nënat vetushqyese”, ka premtuar Latifi.
Në Viti, kandidati i AAK-së, Labinot Bislimi kritikoi qeverisjen aktuale për mosfunksionalizimin e zonës ekonomike në Budrikë.
“E ka përsëritur Sokol Haliti (kryetari aktual i Vitisë) se zona ekonomike në Budrikë është funksionale. Kjo zonë e quajtur ekonomike as nuk është funksionale, e as nuk do të funksionalizohet as edhe një herë. E kuptoni një gjë të tillë apo jo? Ne e kemi kërkuar qysh herët që të mos bëhet, por sapo të vijmë në pushtet do ta zhvendosim diku tjetër, sepse ky vend, siç e kam thënë që tri vite e më shumë, është pika më e ulët e komunës së Vitisë”, ka thënë Bislimi.
E kandidati për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, është shprehur i bindur se do të fitojë pa balotazh në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ai ka paralajmëruar urbanizimin e sheshit qendror të Junikut me kosto prej 5 milionë euro.
“Qeverisja jonë ka shumë projekte, por si prioritet ka 4 projekte - përkrahja përmes granteve dhe subvencionimin i bizneseve të vogla dhe të mesme duke përfshirë themelimin e bizneseve të reja. Tjetër gjë me rëndësi është përkundër faktit që ne jemi komunë e re dhe akoma dukemi si komunë rurale, ne po bëjmë përpjekje që sheshin qendror ta urbanizojmë përmes një arkitekture moderne dhe tradicionale, ku përmes këtij sheshi bizneset, të cilat qëndrojnë aty, por edhe ekonomitë familjare, por edhe qytetarët, do ta shijojnë... Projekti ka kosto rreth 5 milionë euro, por unë konsideroj se brenda 5 vjetësh do të jetë i përfunduar, sepse në këtë projekt kemi punuar në vitin 2000”, ka theksuar Kuçi.
Bekë Berisha, kandidat i AAK-së për Prishtinën, të mërkurën mbajti takim me banorët e fshatit Koliq, të cilëve u ka premtuar investime në infrastrukturë dhe në zhvillimin e turizmit në Gollak. Zgjedhjet për kryetar dhe asamble komunale do të mbahen më 12 tetor.
Totaj premton teleferik drejt Kalasë së Prizrenit
Kryetarë komunash nga radhët e Partisë Demokratike (PDK) që synojnë mandatet e reja kanë promovuar të mërkurën punët e deritashme, ndërsa të rinjtë kanë prezantuar ofertat, me të cilat synojnë t’i bindin qytetarët për t’ua dhënë votën më 12 tetor.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili është kandidat edhe për një mandat, ka shpërndarë një video të maketit të projektit të teleferikut që të shpjerë tek Kalaja e Prizrenit. Tha se ka përfunduar studimi i fizibilitetit dhe së shpejti do të aplikojnë edhe për leje. Në video thuhet se projekti do t’i kushtojë komunës 3.5 deri në 5 milionë euro.
Kaçaniku është drejtuar nga PDK-ja e kandidati i ri për kryetar komune, Sabedin Vishi, ka thënë se gjatë katër vjetëve të fundit komuna nën udhëheqjen e PDK-së ka bërë investime të shumta në terrene sportive.
Ai shpërndau një video edhe nga një terren sportiv, i ndërtuar në fshatin kufitar, Glloboçicë.
“Ky terren sportiv përmban edhe ulëse, janë diku 250 ulëse dhe në anën tjetër përmban edhe terrene të tjera sportive që janë edhe për fushën e volejbollit, edhe për sportin e basketbollit. Po ashtu kemi pasur mundësinë nga buxheti komunal të bëjmë edhe terrene të tjera sportive, si në Kaçanik, një kompleks të terreneve sportive mbrapa Sallës së Sporteve, si dhe kemi bërë terrene sportive në fshatin Shtrazë. Në fshatin Rekë po vazhdojmë të ndërtojmë terrene në fshatin Doganaj dhe në fshatin Duraj”, ka thënë Vishi.
Në Mitrovicë nënkryetari, tash kandidati për kryetar komune Arian Tahiri, shpalosi një pjesë të planit të tij për përfshirje të qytetarëve në vendimmarrjen lokale.
“Shtylla e pestë e programit tim është Mitrovica digjitale dhe e afërt me shërbime efikase dhe transparente. Në kuadër të pikave kryesore të kësaj shtylle është platforma ‘Vendosim Bashkë’. Pra si demokraci digjitale e drejtpërdrejtë në veprim qytetarët do të marrin pjesë në konsultime publike, të votojnë për prioritetet e buxhetit komunal dhe të japin ide për projektet zhvillimore. Do të ofrojmë edhe shërbime online për dokumente ku çdo qytetar mund të aplikojë për certifikata, leje ndërtimi, taksë dhe pagesa komunale”, ka theksuar Tahiri.
Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë e kandidat edhe për një mandat, njoftoi për fillimin e punimeve për ndërtimin e një ure të re.
“Kanë filluar punimet për projektin e shumëpritur ‘Rrethoja e Çelikut – Ura e Madhe e Silnicës’. Ky projekt po kthehet në realitet, duke shënuar fillimin e transformimit të një prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit. Ura pranë shëtitores ‘Enver Zymeri’ do të marrë pamje moderne, funksionale dhe të sigurt, duke ruajtur njëkohësisht frymën e traditës që e karakterizon Vushtrrinë”, ka shkruar Idrizi në Facebook.
E, Uran Ismaili, i cili është kandidat për kryetar të Prishtinës, vizitoi njërin nga tregjet e kryeqytetit. Ai tha se për përmirësimin e tij, në rast nevoje, do të punojë edhe me çekiç.
“Nuk është normale, shikoje vendin, në mes të Prishtinës. Ku keni parë të lihet llastra, shikoje drurin? Me çekiç vetë do vij, nëse s’mundem diçka, me çekiç vetë do ia nisi diçka të punoj”, ka thënë Ismaili.
Në Rahovec, Edon Cana tha se nën udhëheqjen e tij kjo komunë do të shndërrohet në destinacion të turizmit agrar.
“Me vizionin tonë Rahoveci 2035, edhe Zoqishtin dhe krejt fshatrat, si ekokomunë e parë, vend të gjelbëruar, të pastër, me trajtimin e ujërave të zeza, me një perspektivë pozitive për të rinjtë edhe ta bëjmë një destinacion turistik, në aspektin e turizmit rural me agroturizëm”, ka deklaruar Cana.
E Rrahim Tërnava, kandidat për kryetar të Fushë-Kosovës, tha se do të ndajë subvencione për nisma ndërmarrësie nga të rinjtë.
“Do të mbështesim 200 ide biznesore dhe “start-up” të të rinjve dhe grave të qytetit tonë, me nga 10.000 euro secila – për t’i kthyer ëndrrat e tyre në biznese të vërteta. Fushë-Kosova ka të rinj të talentuar e kreativë, që mund të krijojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik, por shpesh ndalen, sepse nuk i ndihmon askush”, ka thënë Tërnava.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, gjatë një tubimi në Klinë, tha se këto zgjedhje do ta kthejnë Sokol Bashotën në krye të komunës.
Shehu zotohet ta çojë rrymën në bjeshkët e Junikut, Muhaxheri bibliotekë e parking në Pejë
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, që e synon edhe një mandat, u zotua për investim në vlerë gjysmë milioni euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike në bjeshkët e kësaj komune. Investimet ai i vlerësoi parakusht për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë nëpërmjet shfrytëzimit të potencialit të bjeshkëve të Gjeravicës.
“Energjia dhe drita janë bazë për zhvillimin dhe sigurinë. Prandaj ne do të realizojmë një projekt madhor, ndërtimin e rrjetit të energjisë eklektike në bjeshkët e Junikut, nga Gjocaj deri në gropën e Erenikut, në vlerë prej gjysmë milioni euro. Ky investim do të krijojë kushte më të mira për turizëm, bujqësi dhe jetesë, duke mbështetur banorët dhe vizitorët që e duanë këtë pasuri natyrore. Po ashtu do të vazhdojmë ndërtimin e rrjetit të ndriçimit publik smart në të gjitha lagjet e komunës”, ka thënë Shehu.
Në Pejë kryetari Gazmend Muhaxheri tha se “Peja 0.4” është vizioni i tij për mandatin e katërt. Ai premtoi investim prej 1.8 milionë eurosh për ndërtimin e bibliotekës së qytetit e 1.2 milionë euro të tjerë i zotoi për zonën 2-hektarëshe me panele solare.
Muhaxheri premtoi të ndërtojë edhe Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare në vlerë prej 1.5 milionë eurosh e një parking prej 3 milionë eurosh.
“Peja 4.0 është vizioni im për mandatin e katërt - i ndërtuar mbi përvojën institucionale, bashkëpunimin me qytetarët dhe partneritetin me të gjitha palët zhvillimore. Me përvojën që kemi fituar së bashku jemi gati ta çojmë Pejën në një nivel edhe më të lartë”, u shpreh Muhaxheri.
Kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka premtuar se fokus i qeverisjes së tij, nëse fiton mandatin, do të jetë zhvillimi ekonomik. Ai është zotuar për funksionalizimin e parkut industrial.
“Fokusi kryesor i programit tonë është ekonomia, sepse ne si LDK edhe si parti e djathtë besojmë shumë që bizneset, ndërmarrësia janë shpirti i gjithçkaje për këtë shoqëri. Këto vitet e fundit problem ka qenë komuna, jo qeveria. Sepse Komuna e Prizrenit nuk ka aplikuar për marrjen e licencës, për licencimin e parkut industrial, që është një obligim ligjor. Ka me qenë çështje muajsh momenti kur ne arrijmë me i fitu zgjedhjet, me e funksionalizu atë park”, ka deklaruar Selmanaj.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e bëri përurimin e shtigjeve të reja prej 3 kilometrash që lidhen me ato ekzistueset në Gërmi, teksa premtoi që qasje në to do t’i sigurohet edhe Gollakut, brenda dy vjetëve të ardhshëm.
“Sot i kemi përuruar 3.2 km shtigje të reja që lidhen me shtigjet ekzistuese të Gërmisë. Në dy vitet e ardhshme i gjithë Gollaku do të jetë i ndërlidhur me shtigje, për të gjithë vrapuesit dhe adhuruesit e natyrës”, tha Rama.
Kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka premtuar investime të reja për qytetarët e Livoçit të Poshtëm dhe Blinajës.
Në një takim me banorët e këtyre zonave, ai është zotuar për ndërtimin e rrugëve të reja, ndriçim publik dhe investime tjera që, sipas tij, do të përmirësojnë jetesën.
“Në një atmosferë të jashtëzakonshme u takuam me qytetarët e Rrugës së Ferizajt, Livoçit të Poshtëm dhe Blinajës, njerëz punëtorë, të sinqertë dhe të vendosur që e duan ndryshimin e madh të 12 tetorit me zemër e me bindje. Në çdo fytyrë shihej shpresa për një qeverisje të re që dëgjon, që punon dhe që i mban premtimet. Folëm hapur për projektet që do të nisin shumë shpejt, për rrugë të reja, ndriçim publik, investime në lagje, përmirësim të jetesës dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë”, u shpreh Ismajli.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka premtuar se nëse merr edhe një mandat tjetër, prioritet i qeverisjes së tij do të jetë fuqizimi i grave. Në një takim që ka mbajtur me gratë ndërmarrëse, Ahmeti tha se kur gratë janë të fuqishme financiarisht, sipas tij, ka një shoqëri më të qëndrueshme.
“Sot kisha kënaqësinë të zhvilloja një bashkëbisedim me gratë ndërmarrëse nga Lipjani, të cilat me përkushtim dhe guxim po zhvillojnë bizneset e tyre të vogla në qytetin tonë. Fuqizimi i grave është ndër objektivat tona kryesore, kemi ofruar programe me grante, sepse kur gratë janë të fuqishme financiarisht, kemi një shoqëri më të qëndrueshme, më të drejtë dhe më të begatë”, ka thënë Ahmeti.
Fuqizimin e grave e ka listuar si prioritet edhe kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Ai ka premtuar se nëse fiton mandatin e ardhshëm, do të ndajë 500 mijë euro nga buxheti komunal për punësimin e grave. Gjatë vizitës që u bëri bizneseve në Vushtrri, ai u zotua për mbështetje të bizneseve që udhëhiqen nga gratë.
Shahini falënderon qytetarët që nënshkruajnë peticionin për taksë për banesat e zbrazëta
Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga PSD-ja, Besa Shahini, përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, falënderon qytetarët që gjatë këtyre ditëve e kanë nënshkruar peticionin për taksë për banesat e zbrazëta.
“Peticioni për banimin – Dita e tretë - I falënderoj qytetarët që, përkundër motit të ftohtë, ndaluan për të nënshkruar ose për t’u informuar rreth taksës mbi banesat e zbrazëta”, shkroi në Shahini.
Taksa për banim nënkupton një pagesë si lloj takse ndaj pronarëve të banesave të cilat i mbajnë pronat të zbrazëta për një periudhë të caktuar kohore. Një kësi takse vendoset edhe në disa vende evropiane.
Fushata e Shahinit është fokusuar kryesisht në sfidën e kostos së shtrenjtë të jetesës në Prishtinë, pikërisht për shkak të qirave të larta të banesave, pavarësisht se mijëra sosh janë të zbrazëta.
Agron Kuçi nga AAK-ja shpalos planet për udhëheqjen e Junikut
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, është shprehur i bindur se do të fitojë pa balotazh në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kuçi ka premtuar vazhdimësi të projekteve të nisura dhe një qeverisje të mbështetur në transparencë, zhvillim ekonomik dhe menaxhim efikas.
Në fokus të programit të tij janë përkrahja e bizneseve të vogla dhe të mesme, punësimi i të rinjve, zhvillimi i turizmit malor dhe urbanizimi i sheshit qendror – një projekt prej 5 milionë eurosh. Kuçi ka siguruar se Juniku do të vazhdojë të jetë shembull i suksesit dhe bashkëpunimit në nivel lokal dhe qendror.
Në një intervistë për KSP-në, Kuçi ka thënë se synon vazhdimësinë e projekteve të nisura në Junik, duke u mbështetur në një program me katër shtylla: ekonomi rurale, turizëm e trashëgimi kulturore, infrastrukturë dhe menaxhim të mirë.
“Është kërkesë e përgjithshme e qytetarëve natyrisht edhe e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Junik, por kërkesë e kryetarit (Ramush) Haradinaj të jemi sërish kandidat për faktin se kemi mbetur në gjysmë të rrugës, dhe vizionit të një qeverie të kaluar plot energji vizion, angazhim, përkushtim, transparencë gjithmonë në interes të mirëqenies të përgjithshme të qytetarit dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm për komunën e Junikut. Programi ynë qeverisës mbështetet me potencialet, rrethanat dhe kushtet ekonomike dhe sociale, po ashtu edhe pasuritë natyrore, duke marr parasysh dhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike të Junikut. Programi ynë qeverisës konsiston dhe mbështet në katër shtylla, të cilat janë një ekonomi rurale dhe agro-turizëm, turizëm dhe trashëgimi kulturore dhe historike, dhe mjedis, si dhe menaxhim dhe partneritet”, është shprehur Kuçi.
Ky kandidat ka theksuar si prioritet mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të reja përmes granteve dhe subvencioneve, me qëllim punësimin e të rinjve dhe ndaljen e migrimit.
Po ashtu, ai ka paralajmëruar urbanizimin e sheshit qendror të Junikut si projekt madhor prej 5 milionë eurosh, duke e quajtur model unik në Kosovë.
“Qeverisja jonë ka shumë projekte, por si prioritet ka 4 projekte - përkrahja përmes granteve dhe subvencionimin i bizneseve të vogla dhe të mesme duke përfshirë themelimin e bizneseve të reja. Gjithnjë edhe duke i përcjellë sepse shumë të rinj kanë migruar dhe është urgjente punësimi i të rinjve dhe mbështetja e tyre përmes këtij punësimi, dhe funksionimin e pavarur të këtyre bizneseve dhe natyrisht edhe fitimin e tyre. Tjetër gjë me rëndësi është përkundër faktit që ne jemi komunë e re dhe akoma dukemi si komunë rurale, ne po bëjmë përpjekje që sheshin qendror ta urbanizojmë përmes një arkitekture moderne dhe tradicionale, ku përmes këtij sheshi bizneset, të cilat qëndrojnë aty, por edhe ekonomitë familjare, por edhe qytetarët, do ta shijojnë... Projekti ka kosto rreth 5 milionë euro, por unë konsideroj se brenda 5 vjetësh do të jetë i përfunduar, sepse në këtë projekt kemi punuar në vitin 2000. Kemi bërë studimin e fizibilitetit dhe kemi master-planin. Tash jemi në fazën përfundimtare që konsideroj që në pjesën e dytë të vitit 2026 të fillojmë edhe me hapjen e konkursit - do të thotë realizimin e këtij projekti, prandaj edhe janë gjetur dhe investitorët, qoftë qeveria apo partneriteti, që jemi sigurt se do të jetë diçka unike në të gjitha komunat e Kosovës”, ka theksuar Kuçi.
Ai ka nënvizuar bashkëpunimin me të gjitha qeveritë qendrore dhe besimin se përvoja e tij do të sjellë edhe më shumë rezultate në të ardhmen.
“Unë kam pasur gjithmonë relacion të shkëlqyeshëm me të gjitha qeveritë, Qeverinë Thaçi 1, Qeverinë Thaçi 2, Qeverinë e Isa Mustafa, por edhe me Qeverinë Kurti, me Qeverinë Hoti. Përkundër se një vit i gjysmë ka qenë qeveria Haradinaj, por unë kam arritur që të jem një sinonim i bashkëpunimit në nivel vendi për të gjitha komunat e Kosovës. Për më tepër, kemi qenë komuna më e mirë e shpallur në Kosovë në vitin 2016-2017-2018. Eksperienca, bashkëpunimi dhe reflektimi si opozitar më bën të jemi shumë i sigurt që në nën menaxhimin e qeverisjes jonë sukseset nuk do të ndalen, përkundrazi do të jenë ende më dinamike”, ka thënë Kuçi.
Ai ka premtuar një qasje të integruar për ta shndërruar Junikun në model të turizmit në nivel vendi.
“Unë jam shumë i sigurt që pa balotazh do të jem fitues, të pakontestueshëm të këtyre zgjedhjeve për faktin e punës tonë që do të thotë të dëshmisë një punë e shumtë . Nuk kemi plan B, por do të jem fitues që në raundin e parë. Po ashtu, është një prej potencialeve, sepse komuna e Junikut mbi 75 për qind e territorit e saj e ka pjesë e cila është i takon pjesës malore dhe bjeshkore dhe fokusi është të zhvillojmë turizmin dimëror dhe veror. Ne kemi pasur dokument të studimit të fizibilitetit, por është ngadalësuar me marrjen e kompetencave nga Parku Nacional i Bjeshkëve të Nemuna. Ne kemi dokumentet strategjike që na mundësojnë dhe është në fokus të programit qeverisës zhvillimi i turizmit përmes formave të ndryshme qoftë ai turizmi rural, turizmi shoqëror, alpin, sportiv, dhe forma tjera përmes operatorëve. Kemi filluar përgatitjen e një këshilli që do të jetë komunë- parku nacional-qeveri, tur-operatorët, por edhe pjesët e partnerëve ndërkombëtarë në programet IPA2 dhe IPA 3. Konsideroj se do të jetë një prej risive të turizmit dhe shembujt e turizmit se si bëhet edhe turizmi rural, por edhe llojet e tjera të turizmit në nivel vendi”, ka deklaruar ai.
Agron Kuçi ka qenë kryetar i Junikut për disa mandate. Ai ka bashkëpunuar me të gjitha qeveritë qendrore dhe konsiderohet figurë me përvojë në administratë lokale. Në zgjedhjet e ardhshme, ai garon për t’u rikthyer në krye të komunës me mbështetjen e AAK-së. /KSP
Rama: Rruga “Rexhep Luci” duket si në Madrid e Barcelonë
Kryetari i Prishtinës dhe kandidati edhe për një tjetër mandat, Përparim Rama, është lavdëruar me rregullimin e rrugës “Rexhep Luci”.
Ai ka thënë se tashmë ajo rrugë duket si në Madrid e Barcelonë.
“‘Këtu në sheshin ‘Xhorxh Bush’ do ta bëjmë si në Prishtinë. Kjo do të thotë më së miri në botë”, ka thënë ai në një video të publikuar në Facebook. Ndërkaq në përshkrimin e saj ai ka shkruar “Veç imagjinoni qysh ka me u dok kur t’kryhet Sheshi ‘Xhorxh Bush’. Prishtina ka me qenë referencë për krejt”.
Ismaili premton rivitalizim të pazarit të vjetër të Prishtinës
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se është e pabesueshme që pazari i vjetër i Prishtinës është në gjendje të mjerueshme.
Ai ka premtuar rivitalizim të tregut dhe kthimin në jetë të tij me projekte konkrete.
“‘Turistët vijnë çdo ditë, por s’kemi çka t’u tregojmë’. Këto fjalë i dëgjova sot nga një tregtar në Pazarin e Vjetër të Prishtinës. E pabesueshme që kjo zonë e rëndësishme ekonomike dhe historike e kryeqytetit është në gjendjen e mjerueshme ku është sot: e braktisur, e vjetërsuar, me mungesa bazike të sigurisë dhe pa kushtet minimale për punë. Me mua si kryetar, Pazari i Vjetër i Prishtinës do të rivitalizohet dhe do të kthehet në jetë me projekte konkrete për rregullim të infrastrukturës, funksionalizim të tregut, dhe promovim turistik. Prishtina funksionale do të jetë një kryeqytet i shpresës, punës dhe strategjisë së mirëfilltë të zhvillimit, dhe atë do ta sjellim bashkë pas 12 tetorit”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti: S’mund të bëhesh kryetar i Prishtinës kur oligarkët ta përcaktojnë zhvillimin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka ashpërsuar tonin kundrejt pushtetit aktual komunal në Prishtinë, duke e akuzuar për ndikim të oligarkëve në drejtim dhe zhvillim të qytetit.
Në një postim në Facebook, ku Kurti ka kërkuar votë për kandidatin nga partia e tij për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ai ka thënë se kryeqyteti është bërë i vështir për t’u jetuar.
“Na duhet ky ndryshim, sepse Prishtina është bërë qytet i vështirë për ne që jetojmë në kryeqytet, por edhe për ata që e vizitojnë. Nuk mund të bëhesh e as të jesh kryetar i Prishtinës kur oligarkët ta përcaktojnë kahjen e zhvillimit të qytetit. Nuk kalojnë të tillët më në Prishtinë e Prishtina nuk e lejon më këtë”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje e ka cilësuar qeverisjen e Përparim Ramës si të zhveshur nga vizioni dhe respekti për qytetarin.
“Ata nuk kanë vizion e as respekt për qytetarin. Ne e kemi vizionin për Prishtinën, e kemi platformën qeverisëse, e kemi edhe dashurinë për qytetin. E kemi edhe kandidatin që e mishëron atë dashuri dhe ky është Hajrulla Çeku. Hajra e njeh më mirë se kushdo tjetër Prishtinën sepse e jeton, e ka përjetuar dhe studiuar. Ai është profesionist i dalluar, ministër i dëshmuar, njeri i ndershëm dhe zyrtar i përkushtuar. Hajra nuk favorizon lagje dhe nuk bën pazare, nuk punon për emra të përveçëm dhe nuk i frikësohet askujt. Është njeri që bashkon e punon, jo që ndan e improvizon. Hajrulla Çeku dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta bëjnë Prishtinën qytet ku planifikohet me dije, investohet me prioritet dhe ku çdo lagje merr trajtimin që i nevojitet dhe e meriton. Le ta sjellim fitoren e madhe për Matin, për Prishtinën e për të mirën e secilit banor të kryeqytetit”, ka shtuar ai.