Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 23-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?
Lushtaku: Skenderaj s’bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje e sanksione
Kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se “Skenderaj është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e me trashëgimtaren politike të saj, Partinë Demokratike të Kosovës”.
Ai ka thënë se Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që “Kosovën i sollën vetëm përçarje e sanksione ndërkombëtare dhe prishje me aleatët”, duke aluduar te kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
“Skenderaj nuk është e nuk do të bëhet kurrë me ata të cilët sapo erdhën në pushtet, na e ndalën projektin e furnizimit me ujë në Brus, i cili do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë për qytetin dhe fshatrat e Skenderajt, e të cilët sot pa fije turpi premtojnë "Pendën e Kuqicës". Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që as FSK-në nuk e dërguan kur ndodhi fatkeqësia natyrore e vërshimeve e 19 janarit 2023, e nuk kompenzuan mbi 10 milionë euro dëme në infrastrukturë publike e private. Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që nuk mbahen mend për asnjë projekt infrastrukturor e zhvillimor në Kosovë. Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë, ShBA-të e BE-në, me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ai ka thënë se “Skenderaj i thotë si gjithmonë ‘jo’ demegaogëve”.
Lushtaku të dielën pati tubime në Polac, Klinë të Epërme, Marinë dhe Makërmali.
“E sonte, Polaci, Klina e Epërme, Marina e Makërmali i thanë sërish fuqishëm “PO” Partisë Demokratike të Kosovës. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen e madhe e të parreshtur. Kjo mbështetje është dëshmia më e mirë se vizioni ynë për zhvillimin e Skenderajt përmes programit tonë zhvillimor po gjen përkrahje të parreshtur në çdo lagje e në çdo fshat të Skenderajt”, ka shkruar Lushtaku.
Kurti ishte po ashtu të dielën në Skenderaj duke ofruar përkrahje për kandidatin e LVV-së për kryetar, Hysni Mehani.
“Kandidati tjetër rival i Hysni Mehanit është kandidat më shumë se multimilioner, që garon për të sunduar jo për të shërbyer”, tha Kurti.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
Abdixhiku: Prishtina ka nevojë për vazhdimësi, Rama është zgjedhja e duhur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim zgjedhor në Kodrën e Trimave në Prishtinë dhe ka prezantuar kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar atë si zgjedhje të duhur për kryeqytetin.
Abdixhiku tha se Kodra e Trimave ka qenë përkrahëse ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Është një emocion i madh të jem sonte këtu, në Degën e Parë të kryeqytetit tonë. Këtu ku historia e Lidhjes Demokratike është shkruar thellë, ku besnikëria ndaj vlerave tona është e pathyeshme, ku qytetarët kanë treguar gjithmonë se qëndrojnë në krah të drejtësisë, të lirisë dhe të Kosovës evropiane. Këtu tek Kodra e Trimave – tek lagjja ikonike e Prishtinës, bastioni i pathyeshëm i LDK-së, simbol i qëndresës, i besnikërisë dhe i guximit – LDK është në shtëpi të veten. Në çdo fushatë, në çdo zgjedhje, në çdo betejë politike, Kodra e Trimave ka qenë krah nesh dhe sot, si gjithmonë, është këtu për të dëshmuar se Lidhja Demokratike është forca kryesore e këtij qyteti!”, tha ai, raportoi Ekonomia Online.
Abdixhiku foli edhe për projektet që Përparim Rama i ka realizuar gjatë mandatit të tij derisa theksoi se krenaria më e madhe mbetet mësimi tërëditor.
“Katër vjet më parë, ne i dhamë këtij qyteti një vizion të ri dhe një kryetar ndryshe. Katër vjet më parë, ne sollëm Përparim Ramën – një njeri të dijes, të arkitekturës, të urbanizmit modern, me përvojë ndërkombëtare dhe me ide që shohin përpara. Ai nuk erdhi nga politika e fjalëve të thata, ai erdhi nga bota e punës konkrete. Ai nuk erdhi për pushtet, por për qytetin. Ai nuk erdhi për retorikë, por për vizion. Dhe katër vite më pas, kryeqyteti është dëshmia më e qartë e suksesit të këtij vizioni. Projekti më i madh, krenaria më e madhe e këtyre katër viteve, është mësimi tërëditor. Për herë të parë në historinë e Prishtinës, fëmijët tanë kalojnë ditën e tyre në shkolla moderne, me kushte të denja, me ushqim të sigurt, me kujdes të veçantë pedagogjik, me aktivitete të shumta që i përgatisin për jetën”, theksoi ai.
Abdixhiku riktheksoi në këtë tubim se Prishtina ka nevojë për Përparim Ramën.
“Këto projekte nuk kthehen prapa. Sepse Prishtina ka nevojë për vazhdimësi. Ka nevojë për një dorë që punon dhe nuk ndalet. Ka nevojë për një kryetar që nuk dorëzohet para sabotimeve. Ka nevojë për Përparim Ramën. Dhe Përparim Rama nuk është vetëm. Ai krah vete ka listën më të mirë elektorale që Prishtina ka sot. Më 12 tetor, qytetarët e Prishtinës do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Në njërën anë është stagnimi, propaganda dhe kaosi. Në anën tjetër është puna, vizioni dhe zhvillimi. Në njërën anë janë ata që flasin shumë e nuk bëjnë asgjë. Në anën tjetër jemi ne që punojmë dhe ndërtojmë. Në njërën anë janë ata që e shohin qytetin si plaçkë. Në anën tjetër jemi ne që e shohim si amanet”, ka theksuar ai.
Kandidatët e AAK-së premtojnë projekte të reja, mburren me ato që i realizuan
Duke premtuar zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Vitisë, Labinot Bislimi, është zotuar se nëse fiton zgjedhjet më 12 tetor, do të nisë ndërtimin e kanalit të lumit Morava në fshatin Binçë.
Sipas Bislimit, ky projekt do të hapë mundësi për zhvillim të industrisë e tregtisë.
“Jemi këtu në Binçë, në fshatin e bukur të Vitisë, që për ne është një pikë strategjike, ku do të fillojë ndërtimi i kanalit të lumit Morava. Kjo pjesë e majtë, nga perspektiva ku jemi, do të ofrojë mundësi për ndërtim dhe zhvillim të industrisë, tregtisë dhe shërbimeve të ndryshme, ku investitorë të shumtë do të mund ta shfrytëzojnë në maksimum. Ndërkohë, në të dy anët – e sidomos në anën e majtë të bregut të këtij lumi – do të ndërtohet një shëtitore e gjatë, rreth 4 kilometra, të cilën qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë në çdo mbrëmje apo pjesë të ditës. Një shëtitore super e bukur”, ka thënë Bislimi të dielën.
Ndërkohë në Pejë, kandidati i AAK-së, Ali Berisha, i cili synon të kthehet në krye të komunës pas 12 vjetësh, ka kujtuar arritjet gjatë mandatit të tij të kaluar si kryetar.
“Në atë kohë kemi investuar shumë në shëndetësi. U ndërtua Qendra e Mjekësisë Familjare dhe u bë një riorganizim total i shëndetësisë. Në atë periudhë janë ndërtuar shumë shkolla – shumë prej atyre që përmenden sot se i kanë ndërtuar të tjerët. Në fakt, atëherë janë ndërtuar më shumë shkolla sesa në 12 vjetët që kanë pasuar. Po ashtu, është investuar edhe në ujësjellës. Në atë kohë kishte probleme me furnizimin me ujë në pjesën e sipërme të qytetit, por janë ndërtuar kapacitete akumuluese për ujë në mënyrë që të mos ketë probleme në periudhat e ardhshme”, ka thënë Berisha.
Në Rahovec, kryetari aktual, Smajl Latifi, që synon mandat të ri, gjatë një tubimi në Ratkoc, të dielën, ka folur për bashkëpunimin me qytetarët dhe punët e kryera gjatë qeverisjes së tij.
“Bashkë kemi ecur para lufte, bashkë kemi ecur në luftë, bashkë po ecim edhe pas luftës, bashkë po ecim në qeverisje. Dhe gjithë ky rrugëtim i përbashkët, me etapa, na ka bërë krenarë me punën, me emrin e mirë dhe me veprat që kemi bërë. Pra, veprat e mira dhe kontributet e shumta – para luftës, gjatë luftës, në paqe dhe në qeverisje – i kanë dhënë emër të mirë këtij vendi, kësaj komune, këtij fshati dhe kësaj treve. Jemi gati për 12 tetor – fitoren tonë nuk e ndal askush. Ratkoci është fuqia e madhe që do të sjellë fitoren e madhe, pa balotazh”, ka deklaruar Latifi.
Kryetari aktual i komunës së Gjakovës dhe kandidati i Aleancës, Ardian Gjini, ka theksuar investimet dhe përmirësimet në infrastrukturë që, sipas tij, janë realizuar, veçanërisht në furnizimin me ujë të pijshëm në fshatra. Ai ka premtuar se këto përpjekje do të vazhdojnë me intensitet edhe në mandatin e ardhshëm, me synimin për zhvillimin e mëtejshëm të komunës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Kanë ndodhur shumë projekte në Gjakovë, ka ndodhur shumëçka që unë besoj mund të quhet pozitive, si në sensin e iniciativës private, të investimeve të mëdha kapitale, të transformimit të disa pjesëve të qytetit që kanë dukur se janë të pa transformueshme. Duhet t’u vëmë gurët e rrugës, që Gjakova kurrë më në asnjë kohë të mos kthehet pas. Kur unë e kam marrë detyrën, 47 prej 88 fshatrave të banuara në Gjakovë nuk kanë pasur ujë të pijshëm, tashmë kanë. Gjakova shumë shpejt do të bëhet e vetmja komunë në Kosovë që secila familje është me ujë të pijshëm të ujësjellësit”, ka thënë Gjini.
Ukë Blakaj, kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Istogut, të dielën është zotuar se prioritet i tij kryesor do të jetë furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët.
Ndërkohë, të dielën mbrëma, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka mbajtur tubim dhe ka prezantuar kandidatët për asamble.
Kurti: Malisheva, simbol i qëndresës dhe sakrificës, por është lënë pas dore
Lëvizja Vetëvendosje, tubimin kryesor të dielën e ka zhvilluar në Malishevë, ku kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i partisë, Albin Kurti, ka kërkuar përkrahjen e qytetarëve për kandidatin Valon Hoti.
Kurti ka thënë se Malisheva është simbol i qëndresës dhe sakrificës, por sipas tij, është lënë pas dore për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit dhe paaftësisë.
“Malisheva si komunë është mishërim i qëndresës dhe sakrificës. Ky vend ka dhjenë djem e vajza për lirinë, kanë dhënë jetën për Kosovën, ka dhënë gjak që flamuri ynë valojë i lirë, ka dhënë bukë në sofër, ka dhënë besë e nder në çdo situatë të rrezikshme, prandaj kushdo që flet për Malishevën, duhet të flasë me nderim të përjetshëm... Është e padrejtë që për të gjitha këto vite të tëra Malisheva është lënë anash e dëmtuar nga korrupsioni, e vonuar nga paaftësia...Kjo Unë jam këtu për të thënë se kjo padrejtësi mbaron më 12 tetor me fitoren e Valon Hotit. Fitorja e Valon Hotit është fitorja e Malishevës e fitorja e Malishevës është fitorja e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
E vetë Hoti, ka premtuar qeverisje të ndershme dhe investime në infrastrukturë bazike, duke vënë theksin te furnizimi me ujë të pijshëm.
“Sot është koha për t’i dhënë fund keqqeverisjes, sot Malisheva po zgjohet, sot zëri juaj, i qytetarëve të ndershëm po thotë mjaft me pandershmëri dhe mjaft me harresë. Me besim të ndërsjellë do ta kthejmë Malishevën në atë që ka qenë gjithmonë krenari-dinjitet dhe zhvillim...Besatohem me ju dhe besën do ta mbaj dhe besën do ta mbajmë... Asnjë shtëpi pa ujë, asnjë familje pa këtë të drejtë themelore, nuk do ta ndalë asnjë ditë pinën derisa çdo lagje e fshat i Malishevës të ketë ujë të pijes 24 orë”, ka thënë Hoti.
Kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka premtuar se nëse fiton më 12 tetor, mandatin do ta nisë me modernizimin e banesave kolektive dhe përmirësimin e hapësirave publike.
“Që nga viti i parë i mandatit, do të fillojmë me vendosjen e ashensorëve të rinj në të gjitha ndërtesat kolektive të lagjes Dardania. Do të punojmë intensivisht edhe në izolimin termik dhe fasadimin e këtyre banesave. Jemi të vetëdijshëm se hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe kemi nevojë për një aksion të menjëhershëm për lirimin e tyre nga uzurpimet. Qendrat tregtare te Santea, te Kurrizi dhe te Posta e Re do të rregullohen, rinovohen dhe funksionalizohen. Do të themelojmë ndërmarrjen e re komunale 'Tregu', e cila do të menaxhojë dhe mirëmbajë të gjitha tregjet e Prishtinës”, ka thënë ai.
Mbështetje për kandidaturën e Çekut ka dhënë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili e ka quajtur atë kandidatin më të mirë që Prishtina ka pasur ndonjëherë.
“Prishtina ka një shans të artë, dhe ky shans quhet Hajrulla Çeku. Hajrulla Çeku është njeriu që e njeh Prishtinën më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeriu i punës konkrete dhe i rezultateve të prekshme. Ju tashmë e keni parë se si Hajrullahu e njeh kryeqytetin, por në të njëjtën kohë vazhdon ta studiojë atë, sepse ka qytetarin në mendje dhe shërbimin në zemër. Zgjedhjet e 12 tetorit nuk janë vetëm një votim për kryetar, ato janë një referendum për të ardhmen e kryeqytetit. Kësaj radhe, Prishtina ka kandidatin më të shkëlqyer, më të mirë në këtë shekull nga çlirimi”, ka thënë Kurti.
Në Prizren, kandidati i Vetëvendosjes Artan Abrashi ka prezantuar një plan për zhvillimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës. Ai ka premtuar përfundimin e rrugëve publike në çdo fshat.
E kandidati i LVV-së për Pejën, Taulant Kelmendi është fokusuar te rinia dhe arsimi, duke premtuar 500 bursa për studentët dhe 1000 bursa sportive për nxënësit çdo vit.
Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci ka premtuar ndryshim të pamjes së qytetit, përmes gjelbërimit të hapësirave, rregullimit të urës së Sitnicës dhe ndriçimit të rrugëve. Ai ka thënë se qëllimi i tij është ta bëjë Mitrovicën qytet të zhvillimit dhe mirëqenies.
Uran Ismaili: Projektet e mia për Prishtinën nuk varen nga Qeveria
Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari ka premtuar hapjen e rrugës “Bedri Shala” në qendër të qytetit.
Gjatë fushatës elektorale të dielën, ai ka thënë se mbyllja e kësaj rruge u ka shkaktuar probleme bizneseve që veprojnë aty, sidomos në furnizimin me mallra.
“Ne qysh në ditët e para do e hapim këtë rrugë dhe do e bëjmë të qarkullueshme, zakonisht prej orës 18:00 deri në 19:00 do t’i vendosim laurat tokësore të cilat do të na shërbejnë për bllokim, mirëpo asnjëherë të bllokohet furnizimi. Gjithashtu këtë rrugë mund ta shfrytëzojnë qytetarët që të shkojnë e të marrin shërbime mjekësore te QMF-ja dhe mos të sillen në perimetër 2 kilometrash për të marrë shërbime. Veç në mbrëmje kur e përfundoni punën, e bëjmë shesh”, ka thënë Hajdari.
Drenasi deri tash është qeverisur po nga PDK-ja me kryetar Ramiz Lladrovcin, i cili më 12 tetor kandidon me iniciativën e tij.
E Uran Ismaili, kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës, gjatë një tubimi në fshatin Llukar ka thënë se të gjitha premtimet që i ka dhënë deri tash janë realiste, se nuk i duhet mbështetja e nivelit qendror që të realizohen, e madje ka thënë se as nuk mund të bllokohen.
“Nuk kam dalë me projekte të cilat, e para nuk mund të realizohen, e dyta nuk ka buxhet, e treta më duhet qeveria ta pyes. Prishtina është qendër e cila e ka buxhetin e vet edhe mund të vendos vet. Ne nuk kemi nevojë ta pyesim askënd. Për të ndërtuar çerdhe, për të vendosur drita, për të shtrirë ujësjellësin, për të ndërtuar trotuare, për të ndërtuar infrastrukturë sportive, për ta ndërtuar një shesh në një fshat, për të gjitha këto nuk kemi nevojë të pyesim askënd”, ka deklaruar ai.
E në një tubim tjetër, në fshatin Vranidoll, Ismaili ka deklaruar se për 25 vjet Prishtina është keqqeverisur dhe asnjëherë për këtë çerekshekulli, besimi qytetar nuk është kthyer në punë dhe mirëqenie për ta.
“Kualiteti i jetës tonë është në udhëkryq. E ardhmja e Prishtinës, e ardhmja e vendit tonë është në udhëkryq. 25 vjet i kemi jetuar, e i kemi provuar edhe i kemi parë. Mirëpo është mirë që pas 25 vjetëve të mendojmë qysh kemi mundësi që të bëjmë diçka që na jep neve kualitet, 4 vjet që na kthen neve diçka, jo që i jep politikës diçka e ata e marrin për vete”, ka thënë Ismaili.
Në Gjilan, kandidati i PDK-së për kryetar, Riad Rashiti, është zotuar se do të jetë përbashkues dhe në shërbim të qytetarëve pa dallim. Sipas tij, Gjilani mund të marrë zhvillimin e merituar vetëm me të në krye të komunës.
“Nuk do t’i ndajë asnjëherë qytetarët tanë në ne dhe ata, sepse qyteti ynë meriton unitet, meriton zhvillim, meriton një të ardhme më të mirë. Prandaj, me 12 tetor, le ta kthejmë shpresën në fitore, le t’i japim Gjilanit drejtimin që e meriton dhe le ta bëjmë bashkë ndryshimin e madh për Gjilanin”, ka deklaruar Rashiti.
E në tubimin e Partisë Demokratike në Podujevë, kandidati për kryetar, Isak Shabani ka thënë se nën udhëheqjen e tij do të ndryshojë qasja e qeverisjes. Ai ka premtuar transparencë e llogaridhënie në çdo hap.
“Ne nuk premtojmë gjëra boshe, unë personalisht nuk premtoj mrekulli. Premtoj përkushtim, premtoj punë të ndershme, premtoj një komunë që punon dhe jo që flet, një administratë që i hap dyert e jo që mbyllen, një qeverisje që e sheh qytetarin në sy e jo nga dritarja”, ka thënë Shabani.
Tubim, të dielën ka mbajtur edhe Forumi Rinor i PDK-së. Kryetarja Arbnora Salihu ka thënë se Partia Demokratike u jep mundësi të rinjve, e si dëshmi për këtë ka përmendur kandidaturat e Jona Arifit për Kamenicën, Arian Tahirit për Mitrovicën dhe Ervin Shabanit për Gjakovën, të gjithë pjesë e Forumit të të rinjve të partisë.
“Historia e PDK-së nuk shkruhet pa të rinjtë e saj. Në çdo proces të rëndësishëm për vendin, rinia ka qenë aty si forcë që ka ndërtuar besim, qëndrueshmëri dhe bashkëpunim, dhe për këtë, me krenari të thellë themi se çdo i ri dhe çdo e re që i bashkohet Rinisë Demokratike të Kosovës, ka portë të hapur drejt suksesit, ka mundësi për të bërë ndryshim, ka vend për të lënë gjurmë”, ka thënë ajo.
Selmanaj premton unazë të madhe në Prizren, Ferati projekte milionëshe në Istog
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka prezantuar të dielën planin për ndërtimin e Unazës së Madhe të qytetit.
Sipas tij, ky është projekti më i madh infrastrukturor në komunë, që do t’i japë zgjidhje përfundimtare qarkullimit të automjeteve.
“Kostoja e këtij projekti në gjatësinë e tij që kap diku 32 kilometra, do të kushtoj diku rreth 210 milionë euro, ato para normalisht që nuk do të mund të sigurohen vetëm nga Komuna e Prizrenit. Por jemi të bindur që me fondet e Qeverisë së Kosovës dhe me ndihmën e fondeve të shumë mekanizmave financiar ndërkombëtar do ta bëjmë këtë projekt të realizueshëm. Jemi të bindur që ky projekt i madh historik infrastrukturor do t’i japë zgjidhje përfundimtare lëvizjes dhe qarkullimit të lirë të automjeteve në komunën tonë”, ka thënë ai.
Selmanaj ka thënë se përpos Unazës së Madhe, e ka në plan edhe një projekt tjetër infrastrukturor.
“Për ta kompletuar gjithë infrastrukturën rrugore përpos unazës së madhe, ne do të vazhdojmë edhe përfundimin e projektit të unazës së mesme të qytetit, që nënkupton transiti i ri aktual që fillon nga hyrja e Prizrenit deri tek rrethi Arbanës do të vazhdoj në drejtim të Hoqës së qytetit dhe nga aty do të vazhdoj tek rrethi Vlashnjës, që më pas lidhet me mozaikun strukturor të unazës së madhe”, ka theksuar Selmanaj.
Ardian Shala, kandidati i LDK-së për kryetar të Suharekës, ka deklaruar se synon ta kthejë komunën “në rrugën e zhvillimit e dinjitetit”, duke theksuar rëndësinë e arsimit cilësor dhe turizmit lokal. Sipas tij, LDK-ja ofron qeverisje të përgjegjshme dhe me standarde që i mungojnë komunës aktualisht.
E në Istog, kryetari Ilir Ferati që synon edhe një mandat, ka thënë se projektet e realizuara në 4 vjetët e fundit, kanë transformuar qytetin. Ai ka paralajmëruar investime të reja në infrastrukturë.
“Po ndaj me ju disa nga projektet që do ta transformojnë qytetin e Istogut: Kolektori kryesor i ujërave të zeza, projekt që kap vlerën 4.2 milionë euro; Rregullimi i shtratit të lumit Istogut, projekt që kap vlerën prej 2.5 milionë euro; Rindërtimi i zonës së brendshme të qytetit, projekt që kap vlerën prej 3.5 milionë euro; Ndërtimi i infrastrukturës mbrojtëse dhe rekreative të Bollovanit, projekt që kap vlerën prej 3.5 milionë eurosh, Ndërtimi i objektit të ri të nënstacionit të zjarrfikësve në Gurrakoc projekt që kap vlerën prej 350 mijë eurosh”, ka deklaruar Ferati.
Në Pejë, Gazmend Muhaxheri, kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër, ka theksuar se vizioni për një qytet të gjelbër dhe të shëndetshëm ka nisur të bëhet realitet. Ai ka prezantuar punimet e përfunduara në shëtitoren buzë Lumbardhit, që tashmë është bërë pjesë e shtegut të shëndetit.
“Ideja e qytetit të Pejës si qytet i gjelbër dhe vital ka vazhduar të realizohet, ky është shtegu i shëndetit por këtë vend e kemi lidhë me shëtitoren buzë lumëbardhit dhe tash qytetarët e Pejës i kanë dy qasje në Shtegun e Shëndetit, një që i çon deri te ish-shkolla Vaso Pasha dhe kjo tjetra i bie te lagjja e Kapeshnicës dhe vazhdojnë shëtitjen buzë shëtitores”, ka thënë Muhaxheri.
Në Gjilan, kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli, ka deklaruar se prioritet i tij do të jetë përfundimi i objekteve sportive dhe rikthimi i qytetit si qendër e sportit dhe kulturës. Sipas tij, shumë infrastrukturë sportive është lënë pas dore nga pushteti aktual.
Ismajli ka prezantuar edhe planet e tij për Lagjen Qendra në Gjilan.
“Premtimet kryesore për lagjen Qendra: Investim në krijimin e një hapësire turistike dhe ekonomike për zejtarinë tradicionale; Rregullimi i çezmës së Balecit dhe hapësirës përreth; Investim në një kënd lojërash për fëmijë pranë stadiumit; Trotuar nga shkolla “Musa Zajmi” deri te Xhamia në Balec”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa në Rahovec, kandidati Burim Krasniqi, gjatë një takimi në fshatin Xërxë, ka prezantuar listën e projekteve që planifikon t’i realizojë në rast se fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor.
Muharremaj: Si gjithmonë ju shërbejmë pa dallime, më 12 tetor fitojnë qytetarët
Kryetari aktual i Komunës së Suharekës, njëherit kandidat nga AAK-ja për një mandat tjetër, Bali Muharremaj, ka thënë se e ka dëshmuar qeverisjen e tij gjithëpërfshirëse. Sipas Muharremajt, pas 12 tetorit, fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët.
“Më 12 Tetor fitojnë Qytetarët. Pastaj ne si gjithmonë ju shërbejmë me përkushtim dhe pa dallime. Ne nuk ofendojmë dhe nuk e urrejmë askend. E duam Suharekën me zemër. Faleminderit miqëve dhe mbështetësve të kandidatit për asamble komunale Sedat Gashi”, shkroi Muharremaj në Facebook.
Kastrati: Çdo i ri që ka përfunduar shkollën në Kamenicë, e ndien boshllëkun e rrugëve të zbrazëta
Kandidati për kryetar të Kamenicës nga PSD-ja, Qëndron Kastrati, e ka quajtur sfidë serioze zbrazjen e këtij qyteti, veçanërisht largimin e të rinjve. Sipas, Kastratit, kjo situatë nuk guxon të lihet pa ndryshim.
“Çdo i ri që ka përfunduar shkollën këtu, e ndjenë boshllëkun e rrugëve të zbrazëta, mungesën e gjallërisë e heshtjen që shpesh e prekë çdo lagje dhe fshat. Nuk guxojmë të lejojmë që koha të kalojë pa ndryshim. E dimë se si ndihen prindërit tanë. Për shumë prej tyre, dita kalon midis punës, shtëpisë dhe kafesë në lagje me të njëjtët njerëz. Një ritëm që përsëritet”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Sipas tij, shumë familje ndjehen të lëna pas dore.
“Të moshuarit meritojnë më shumë. Disa përballen me sfida shëndetësore dhe kanë nevojë për kujdes, të tjerë janë plot energji, por ndihen të lënë pas dore. Ky është realiteti që e përjetojnë shumë familje në Kamenicë. Pra nuk po kthehem vetëm për të shtruar rrugë e shërbime publike. Po kërkoj besimin për këtë vizion: një vend ku çdo gjeneratë ka mundësi, ku hapësirat publike janë të gjalla”, ka thënë mes tjerash Kastrati.
Kurti nga Skenderaj: Pabarazitë me ish-komandantin, që kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e luftës
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka qëndruar në Skenderaj, në mbështetje të kandidatit për kryetar nga radhët e LVV-së, Hysni Mehani.
Nga atje, Kurti ka hedhur akuza ndaj pushtetit aktual të kësaj komune, e më konkretisht ndaj Sami Lushtakut i cili është kandidat i PDK-së për kryetar të kësaj komune.
“Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur. Funksionet publike janë për shërbim me përkushtim e jo për pasurim me sundim”, ka shkruar në faqen e tij në Facebook, Kurti.
Kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë komunë, Hysni Mehanin, Kurti e quajti zgjidhje për problemet me të cilat përballet Skenderaj.
“Me Hysni Mehanin shërbejmë me pasion, dije e punë. Skenderaj me të në krye pas 12 tetorit me pendën e Kuçicës gjen zgjidhje për problemin me ujë të pijes, ndërtojmë çerdhe të reja për fëmijët, realizojmë ngrohtoren e qytetit, trafikun publik, pishinën gjysmë-olimpike, parqet me lodra për fëmijë, parkun teknologjik inovativ, shteg për ecje e vrapim si dhe zvogëlojmë numrin e drejtorive komunale me qëllim orientimin e buxhetit për më shumë investime kapitale”, tha Kurti.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
Bekë Berisha: Pse “Kodra e Trimave” është lënë anash? A nuk janë edhe ata Prishtinë?
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, ka vizituar lagjen “Kodra e Trimave”, ku edhe u takua me banorë atje.
Kandidati Berisha thotë se kjo lagje është lënë anash.
“E pse gjithë Kodra e Trimave është lënë anash? Pse? A nuk janë edhe ata Prishtinë? A nuk kanë të drejta zhvillimi? Sot, Beka bashkë me kandidatin Fadil Arifi, e kthyen vëmendjen aty ku duhet me qenë prej moti, në Kodrën e Trimave.
Kandidati i AAK-së, prezantoi edhe planin e tij për këtë lagje.
“Koeficient ndërtimi i barabartë me të gjitha lagjet tjera të Prishtinës. Zonë industriale për biznese, që të rinjtë e lagjes të mos largohen, po me punu e me ndërtu jetën këtu. Zhvillim urban që sjell jetë, jo vetëm ndërtime”, shkroi Berisha në Facebook.
Berisha ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesit e Shoqatës së të Shurdhërve. Ai thotë se ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë të tyre në shoqëri.
“Në këtë takim plot energji pozitive, Beka theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë të tyre në jetën shoqërore dhe krijimin e mundësive reale për punësim në profesionet ku ata shkëlqejnë. Sepse…Të jesh i barabartë nuk është privilegj, është e drejtë!”, shkroi në faqen e tij në Facebook.
Totaj premton dy mijë vendparkingje në katër lokacione
Kryetari i Komunës së Prizrenit, njëherit kandidat për një mandat tjetër nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, ka premtuar dy mijë vendparkingje që sipas tij, do e zbusnin kërkesën e madhe në qytet, si rrjedhojë e vizitorëve të shumtë.
“Puna për adresimin e parkingjeve në Prizren ka nisur. Këto janë 4 lokacionet ku synojmë të krijojmë rreth 2 mijë vendparkingje - që e zbusin kërkesën e madhe në qytet për shkak të vizitorëve të shumtë!”, ka shkruar Totaj në faqen e tij në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
Krasniqi në Podujevë: Çdo votë për numrin 191 është një mundësi më shumë për ndryshim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar të shtunën në Podujevë në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Isak Shabani.
Krasniqi në një tubim në mesin e llapjanëve, ka thënë se Shabani është njeri i dëshmuar, patriot dhe profesionist i shkëlqyer.
“Çdo votë është një mundësi më shumë për ndryshim, çdo votë është një mundësi më shumë drejt fitores. E nga sot dëshiroj ta përmbyll me mesazhin se për Podujevën ma mirë është me numrin 191 dhe me PDK-në. Ma mirë për Podujevën është me Isak Shabanin”, ka theksuar lideri i PDK-së.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës Podujevës, Isak Shabani duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen, u zotua për zhvillim ekonomik, subvencione në bujqësi, modernizim të shkollave e shërbime shëndetësore cilësore.
“Ne nuk premtojmë gjëra boshe, unë nuk premtoj mrekulli. Premtoj përkushtim, premtoj punë të ndershme, premtoj një komunë që punon, jo që flet, një administratë që hapë dyer, jo që mbyllë, një qeverisje që e sheh qytetarin në sy, jo nga dritarja”, ka thënë Shabani.
Memli Krasniqi: Gjilani më mirë me Riad Rashitin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një tubim në Gjilan ka thënë se kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Riad Rashiti është njeriu i duhur për ta udhëhequr Gjilanin.
“Ma mirë për Gjilanin është me Riad Rashitin, ma mirë për Gjilanin është me të gjithë ju bashkë, sepse vërtetë koha për Gjilanin ka ardhë dhe ne do ta bëjmë bashkë realitet programin e Riadit dhe të PDK-së”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Rashiti tha se PDK-ja e ka ekipin më të mirë, listën më të mirë dhe programin më të mirë që do t’i jap kësaj komune drejtim të ri.
“Nuk do të dalloj qytetarët tanë asnjëherë në ne dhe ata, sepse qyteti ynë meriton unitet, zhvillim dhe një të ardhme ma të mirë. Prandaj, më 12 tetor le ta kthejmë shpresën në fitore”, ka thënë Rashiti.
Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor.
Shahini takohet me banorët e fshatit Prugovc, bisedojnë për problemet infrastrukturore
Kandidatja për kryetare të Prishtinës nga PSD-ja, Besa Shahini, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Prugovc. Shahini në këtë takim tha se bisedoi për problemet infrastrukturore me të cilat përballen banorët e këtij fshati.
“Vetëm 12 km larg qytetit, por i shkëputur për shkak të mungesës së infrastrukturës. Biseduam për 200 metra rrugë që nuk shtrohen tash e 4 vite, ndriçimin që mungon, stacionin e autobusit pa pritore dhe mungesën e linjës së rregullt të autobusit”, shkroi në Facebook, Shahini.
Çeku për artistët: Janë mbështetur nga MKRS-ja, do të mbështeten edhe nga komuna
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, nga “Lagjja e Artistëve” në Ulpianë, ka premtuar mbështetje për këtë komunitet. Çeku theksoi se artistët i ka mbështetur edhe sa ka qenë në krye të Ministrisë së Kulturës.
“Shumë nga nismat e tyre janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, ndërsa prej 12 tetorit e në vazhdim do të kenë përkrahje edhe nga Komuna. Në kuadër të platformës “Prishtina 2035”, kemi paraparë dhjetëra masa të qarta për zhvillimin e artit dhe veprimtarive krijuese në qytet, nga hapësirat shumëpërdorimëshe komunitare në çdo lagje e fshat, deri te rezidencat vjetore për 30 artistë dhe fondi emergjent për përkrahjen e tyre shoqërore.”, ka shkruar Çeku në Facebook, pas një takimi që zhvilloi në lagjen Ulpiana.
Petrit Hajdari premton hapjen e rrugës së bllokuar nga zgjerimi i sheshit në Drenas
Kandidati për kryetar të Drenasit nga PDK-ja, Petrit Hajdari, ka premtuar hapjen e rrugës që lidhë bizneset dhe lagjet përtej sheshit. Sipas tij, kjo do të mundësonte qasje më të lehtë për çdo qytetar.
“Kjo rrugë ka mbetur e bllokuar prej zgjerimit të sheshit dhe janë bllokuar disa biznese të cilat nuk e kanë mundësinë e furnizimit. Ne, qysh ditët e para do e hapim këtë rrugë dhe do e bëjmë të qarkullueshme.”, u zotua Hajdari i cili poashtu shtoi se hapja e kësaj rruge do t’ua lehtësonte qytetarëve edhe marrjen e shërbimeve mjekësore, duke e shmangur rrugën më të gjatë që aktualisht e bëjnë.
Gjithashtu Hajdari tha se kjo rrugë në mbrëmje sërish kthehet shesh duke i vendosur laurat tokësore.
Hajdari, në rrjetin e tij social Facebook, ka shkruar edhe për një takim me qytetarë në fshatin Poklek të Vjetër të Drenasit. Hajdari tha se në këtë fshat u pritën ngrohtësisht nga qytetarët.
“Në Poklek të Vjetër qytetarë entuziastë që e duan PDK-në e mbi të gjitha Drenasin na pritën ngrohtësisht. Ky besim është forca që po e kthen fushatën tonë në një rrugëtim të përbashkët drejt fitores së Drenasit. Vala e fitores ka nisur e me 12 tetor zyrtarizohet. Drenasi po hap kapitull të ri”, shkroi kandidati Petrit Hajdari.
Ferati premton projekte milionëshe: Do ta ndryshojmë Istogun
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka treguar planet konkrete për mandatin tjetër, që synon ta fitojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai në një video përmendi projekte milionëshe që tha se “do ta trasnformojnë qytetin e Istogut”.
“Me energji, ide të qarta dhe përkushtim po ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët me progres real dhe një vizion që na bashkon të gjithëve. Sepse çdo shtyllë e programit bart një qëllim, të vazhdojmë rrugëtimin tonë së bashku, për të ardhmen që duam
. Rrugëtimi ynë vazhdon! #LDK113 I juaji, Iliri”, shkroi ai në Facebook.
Ismaili me të rinjtë e Kodrës së Trimave: Zbatimi i 5 Zgjidhjeve nis pas 12 tetorit!
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, është takuar me të rinjtë e Kodrës së Trimave, me të cilët thotë se ka biseduar për energjinë e ndryshimit dhe për rëndësinë e votës më 12 tetor.
Sipas tij, Prishtina funksionalizohet vetëm kur zgjedhin ndryshimin përmes votës.
“Prishtina funksionale bëhet vetëm atëherë kur secili prej nesh e zgjedhim ndryshimin përmes votës. Kodra e Trimave e ka kuptuar: me 12 tetor e përcaktojmë bashkë të ardhmen tonë dhe të gjithë Prishtinës,” tha Ismaili.
Besnik Osmani: Fitorja më 12 tetor është e pashmangshme
Kandidati për kryetar të komunës së Fushë-Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besnik Osmani ka vizituar familjen Sylejmani.
Në rrjetin social Facebook ai ka shkruar se fitoren në këtë komunë e kanë të sigurt.
“Sonte na mirëpriti me shumë dashuri dhe respekt familja Sylejmani në Vragoli. Përkrahja e tyre e sinqertë dhe pa asnjë alternativë është dëshmi se qytetarët e dinë mirë drejtimin që duan. Me këtë përkushtim dhe me këtë besim, fitorja më 12 tetor është e pashmangshme! Faleminderit të gjithëve që po na besoni qeverisjen e mirë për komunën tonë, dhe shumë respekt për familjen Sylejmani! Fushë Kosova PËRTEJ!”, ka shkruar ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor ku qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe asambleistët e kuvendit komunal.