Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 19-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Çfarë premtimesh kanë dhënë kandidatët për kryetar të komunave? Në cilat komuna kanë qenë liderët e partive e çfarë kanë premtuar ata?

Agjenta e PDK-së:

1. Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas mban konferencë për media.

Vendi: Para ndërtesës së Komunës së Drenasit
Koha: 13:30

2. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me qytetarët e Komunës së Klinës. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Vendi: Shkolla Fillore “Ismet Rraci”
Koha: 19:00

3. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Prishtinës.

Vendi: Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë
Koha: 18:00

4. Partia Demokratike e Kosovës mban tubim zgjedhor me gratë e Komunës së Shtimes.

Vendi: Shkolla e Mesme Profesionale

Koha: 18:00

Agjenda e LDK-së:

E mërkurë, 1 tetor 2025
18:00, Ferizaj (Vendi: Ujëvara Resort)

E enjte, 2 tetor
18:00, Viti (Vendi: Palestra e Sporteve në shkollën fillore “Dëshmorët e Vitisë”)

E premte, 3 tetor
19:00, Suharekë (Vendi: Shtëpia e Kulturës “Ukë Bytyçi”)

E shtunë, 4 tetor
19:00, Obiliq  (Vendi: Shtëpia e Kulturës “Xhavit Haziri”)

E diel, 5 tetor
19:00, Prishtinë Dega I (Vendi: Salla e sportit në shkollën fillore "Zenel Hajdini")

Krasniqi: Lipjani ka nevojë për një njeri të vendosur si Shukri Buja

1 o. më parë / 1 tet 2025 14:19
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar mbrëmë në Lipjan në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Shukri Buja.

Krasniqi duke bërë thirrje që më 12 tetor të votohet numri 191 dhe PDK-ja ka thënë se njeriu i vetëm që di të bëjë punë të mëdha dhe ka vizion për zhvillimin e Lipjanit është Buja.

“Shumë prej jush më keni thënë Lipjani ka nevojë për një njeri të vendosur, për një njeri që e njeh punën dhe jo më për eksperimente politike. Dhe keni të drejtë, jam pajtuar me ju, sepse nuk ka kohë më për lojëra, nuk ka më kohë për aventura e për eksperimente. Është koha për kthim të zhvillimit, është koha për projekte konkrete, është koha për një kryetar, i cili jo vetëm që e njeh Lipjanin në katër anët e tij, por që e ka këtë angazhim për Lipjanin çdo ditë të jetës së tij dhe nuk ka punë tjera. Shukri Buja është ai njeri”, ka theksuar ai.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja ka thënë se ekipi i tij përbëhet nga 53 profesionistë të fushave të ndryshme, me të cilët do ta realizojë programin e tij për ma mirë.

“Të ju flas për veten ju më njihni. Unë kam dalë në terren kohë të gjatë deri sa i kam identifikuar problemet, kam identifikuar projektet, kam biseduar lagje më lagje, fshat më fshat, nga dy, nga tri herë. Në veçanti në Lipjan me ekipet e partisë, me qytetarët, me shtresat e ndryshme dhe këto që sot do t’i prezantojmë janë propozimet tuaja, janë idetë tuaja”, ka thënë Buja.

“Rrezik”, PDK-ja me aksion në Komunën e Drenasit

1 o. më parë / 1 tet 2025 14:15
Komuna e Drenasit

Photo: Ekonomia Online

Aktivistë të PDK-së kanë rrethuar Komunën e Drenasit me shirita të verdhë në të cilën shkruhej “Rrezik”, raporton "Ekonomia Online".

Aksioni është mbajtur si reagim ndaj kryetarit aktual të Komunës, Ramiz Lladrovci, pas publikimit të një audoincizimi nga VOX Kosova. Në atë audoincizim dëgjohet Ramiz Lladrovci teksa bisedon me biznesmenin Labinot Halilaj, që është edhe kandidat për asamble nga lista "Për Drenasin Kampion" të Ramiz Lladrovcit. Ata diskutojnë për vlerën se sa mund të fitohet në rast se ndërtohet në një parcelë të komunës, e poashtu përmendet edhe mundësia e mbindërtimit.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, ka thënë se ai audioincizim është “fotografi e pastër e qeverisjes së Lladrovcit”. 

“Ai që thirrej në qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit”, ka thënë Hajdari në një prononcim për media pas aksionit. 

Lladrovci të martën e quajti publikimin e asaj bisede tendencë për shantazh politik, sepse sipas tij, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, e ka kapur frika e humbjes në Komunën e Drenasit duke i parë sondazhet për fituesin e zgjedhjeve atje.

“Sigurisht, e ka kapë frika Memli Krasniqin dhe kryesinë e tij, ata që votuan kundër nominimin tim, është e drejtë me votu por jo me i shti në telashe 26 anëtarë të kryesisë që i shantazhon dhe i urdhëron me ardhur në Drenas me punu e me i fitu zgjedhjet por nuk i fiton zgjedhjet”, ka deklaruar Lladrovci.

Lladrovci ka publikuar edhe një bisedë përmes aplikacionit Viber, me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitakun, më datën 18 shtator të vitit të kaluar, të cilën Lladrovci e ka pyetur se a është vepër penale incizimi i paautorizuar i një bisede.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor. 
 

Ismaili paraqet planet për Kolovicën

4 o. më parë / 1 tet 2025 11:40
Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sonte do të mbajë tubimin e radhës në lagjen Kolovicë, ku pritet të prezantojë pesë zgjidhjet e tij për një Prishtinë funksionale dhe projektet konkrete për këtë lagje. Takimi do të mbahet në “Shkollën e Gjelbër” duke filluar nga ora 19:00, ku Ismaili ka ftuar qytetarët e zonës t’i bashkohen.

Ai ka theksuar se Kolovica është një nga lagjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të kryeqytetit, por që për vite me radhë është lënë pas dore nga pushteti lokal. “Kolovica është lagje e madhe dhe e rëndësishme që meriton kujdes, jo lagje që duhet të lihet në harresë,” ka deklaruar Ismaili në paralajmërimin e tij.

Projektet identifikuese të planifikuara të Ismailit për Kolovicën përfshijnë:

Ndërtimin e një çerdheje të re për lagjen;

Qendër komunitare multifunksionale;

Palestër vertikale në tri nivele për sporte të ndryshme;

Legalizimin e pronave dhe hartimin e planit rregullues për lagjen;

Ndriçim të plotë në çdo rrugë dhe hapësirë publike;

Përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe trotuareve;

Terrene sportive dhe hapësira rekreative;

Autobusë modernë me pritore të ndriçuara dhe transport publik të qasshëm nga çdo pjesë e lagjes.

Ky tubim në Kolovicë është pjesë e turit të Uran Ismailit në të gjitha lagjet e fshatrat e Prishtinës, ku po shpalos projektet konkrete të hartuara mbi nevojat e qytetarëve dhe të orientuara drejt një qeverisjeje funksionale e gjithëpërfshirëse.

Osmani: Laborator dhe rëntgen i ri në QMF e “Dardanisë”, shërbime të reja edhe gjatë fundjavës

4 o. më parë / 1 tet 2025 11:25
Besnik Osmani

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike në Fushë-Kosovë, Besnik Osmani, ka njoftuar se qytetarët tashmë mund të përfitojnë shërbime më cilësore shëndetësore në lagjen “Dardania”.

Sipas Osmanit, laboratori i ri në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) të “Dardanisë” tashmë është në funksion, duke mundësuar kryerjen e analizave laboratorike pranë vendbanimit të qytetarëve, pa nevojën për të shkuar në QKMF-në qendrore.

Po ashtu, siç ka njoftuar ai, ka nisur përdorimi i rëntgenit të ri, që rrit saktësinë e diagnostikimit dhe minimizon ekspozimin ndaj rrezatimeve.

Lajmi më i rëndësishëm, sipas Osmanit, është se nga java e ardhshme do të ofrohen shërbime edhe gjatë fundjavës, duke përfshirë të shtunën, në QMF-në e “Dardanisë”.

Osmani ka theksuar se këto investime synojnë kujdes më të madh dhe shërbime më afër qytetarëve.