Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë vizitës në Pejë, ka kërkuar votën për kandidatin e partisë së tij për kryetar, Taulant Kelmendin. Kelmendi premtoi masa sociale nga lindja deri në pleqëri. Në qytete të tjera, kandidatët e LVV-së prezantuan projekte si parqe në Lipjan, çerdhe në Ferizaj e transport publik në fshatra të Mitrovicës. Ndërkaq në Prishtinë kandidati për kryetar, Hajrulla Çeku, u zotua se do të sjellë frymë të bashkëpunimit
Votë për kandidatin për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka kërkuar kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një vizite në këtë qytet të shtunën, në kuadër të fushatës zgjedhore.
Kurti para banorëve të Pejës tha se ndryshimi politik që e ka përfshirë Kosovën para gati pesë vjetësh, ka nevojë që ta përfshijë edhe Pejën. Ai tha se vota për Kelmendin do t’i sjellë komunës një kryetar për të gjithë qytetarët, duke përmendur se edhe programi i tij qeverisës, në qendër e ka kujdesin e mirëqenien e banorëve të të gjitha moshave.
“Taulant Kelmendi edhe është i ri, edhe ka përvojë. Prej kohës si aktivist politik i LVV-së, e deri tash që është zëvendësministër i Arsimit, ne kemi bashkëpunuar shkëlqyeshëm, i ka kryer të gjitha detyrat dhe është shumë punëtor, i ndershëm dhe patriot”, ka thënë Kurti.
E Kelmendi u shpreh se do të qeverisë ndryshe nga kryetari aktual, Gazmend Muhaxheri, i cili sipas tij është përkujdesur më shumë për asfalt e beton sesa për njerëzit.
“Në programin tonë, në paketën e mirëqenies, kemi menduar prej lindjes. Çdo foshnjë që lind, 250 euro subvencionim i drejtpërdrejtë, e deri tek mosha e tretë, e cila ka mbështetje në listën e barnave dhe ilaçeve, ku 50 për qind e faturës do të mbulohet nga komuna”, ka thënë Kelmendi.
Pos Pejës, Kurti ka vizituar edhe Deçanin për t’i dhënë mbështetje kandidatit të partisë së tij për kryetar të Komunës, Faton Selmanaj. Aty ka thënë se Deçanit i duhet një kryetar që nuk bën ankesa por kërkesa dhe që punon e bashkëpunon me qeverinë qendrore në të mirë të komunës dhe qytetarëve.
Fushatë kanë zhvilluar edhe kandidatët tjerë për kryetarë komunash.
Në Prishtinë , pretendenti për të parin e komunës, Hajrulla Çeku, është zotuar se do të sjellë frymë të bashkëpunimit në kryeqytet. Ai ka thënë se për shkak të ndarjeve të thella e mungesës së bashkëpunimit, shumë ide mbeten të parealizuara. U zotua se do ta ndryshojë këtë mënyrë veprimi dhe se do ta kanalizojë energjinë e rinisë, kulturës, biznesit e krijimtarisë në veprime konkrete.
“Unë kam punuar gjithmonë për dialog, jam kundër ndarjeve, kundër polarizimit dhe këtë frymë do ta sjellë edhe në krye të qytetit tonë. Do të punoj me të gjithë ata që vendosin interesin e Prishtinës përpara, me partitë, bizneset, organizatat, mediat, çdo grup të shoqërisë”, ka thënë Çeku.
Park të ri në Lipjan është zotuar se do të ndërtojë kandidati i Vetëvendosjes për kryetar, Ilir Qeriqi. Me hapësira për ecje, lojë, sport e argëtim, Qeriqi ka thënë se ky park do të vihet në dispozicion për të gjitha gjeneratat e kësaj komune.
“Ky është plani ynë për parkun e ri të Lipjanit: Një hapësirë e gjelbër, moderne dhe e gjallë për çdo qytetar. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për gjelbërim, ky park është përgjigje ndaj kësaj mungese. Një vend ku natyra do të marrë frymë, ku qytetarët do të gjejnë qetësinë e tyre dhe ku shëndeti i komunitetit do të vihet në plan të parë”, është shprehur Qeriqi.
Në Lloshkobare të Ferizajt, kandidati për kryetar të kësaj komune, Enver Haliti, ka premtuar funksionalizimin e çerdhes menjëherë pas marrjes së mandatit.
Edhe në Mitrovicë është premtuar kopsht fëmijësh. Kandidati për kryetar Faton Peci, pas vizitës në fshatrat Shipol dhe Lushtë, është zotuar për ndërtimin e një çerdheje, sigurim të transportit publik, rregullim të udhëkryqeve e krijim të hapësirave gjelbëruese.
E në Skënderaj, kandidati Hysni Mehani, derisa ka kërkuar votë për vete, ka kërkuar edhe ndëshkim për partitë tjera të cilat sipas tij nuk e kanë prioritet interesin publik.
“U bënë tash sërish bashkë. Kjo logjika që sërish mblidhemi ne ujqit e bëjmë një marrëveshje, e mandej çka e pret qytetarin nuk është gajle. E këtë duhet ta luftojë secili prej nesh”, ka thënë ai.
Në Dragash, kandidati për kryetar, Filiz Mustafa, ka premtuar ndërtimin e stacionit të autobusëve i cili, siç ka thënë është një nga zotimet kryesore infrastrukturore të tij.
