Zgjedhjet lokale

Çeku në Prishtinë premton reforma në arsim, Abrashi në Prizren mbështetje për “Handikosin”

Hajrulla Çeku

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi aktivitetet e saja nëpër Kosovë duke zhvilluar takime me profesionistë, organizata dhe komunitete të ndryshme. Kandidatët për kryetarë komunash prezantuan planet dhe premtimet e tyre, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shprehu mbështetjen e tij në disa qytete kyç

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarë në qytete të ndryshme të Kosovës zhvilluan takime me grupe të profesionistëve dhe komunitete, duke prezantuar premtimet dhe programet e tyre.

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, zhvilloi një takim me grupin e logopedëve, ku diskutoi për shërbimet mbështetëse dhe rëndësinë e rolit të tyre në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve. Në një postim në Facebook, Çeku theksoi se këto takime me profesionistë të ndryshëm synojnë dëgjimin e sfidave të tyre dhe adresimin e tyre përmes programit të Vetëvendosjes. 

Ai shtoi se reformat në Prishtinë nuk do të kufizohen vetëm në ndërtimin e çerdheve dhe shkollave të reja, por edhe në përmirësimin e sistemit arsimor brenda tyre.

Ndërkaq kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e VV-së, Artan Abrashi, zhvilloi takim me organizatën “Handikos”, ku theksoi rëndësinë e kujdesit për personat me aftësi të kufizuara. 
“’Handikos’ prej dekadash tregon përkushtimin e palodhur. Një shoqëri që nuk kujdeset për kategoritë më të ndjeshme nuk mund të justifikojë asnjë punë tjetër. Kujdesi për ta është test i vërtetë i përgjegjësisë sonë si institucione dhe komunitet,” ka shkruar Abrashi në Facebook, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme gjatë mandatit të tij.

Në mbështetje të Abrashit, kryeministri në detyrë Albin Kurti vizitoi Prizrenin të dielën, ku kërkoi votën për kandidatin e Vetëvendosjes. Ai theksoi lidhjen emocionale me këtë qytet dhe rëndësinë që ka Prizreni për të, duke u zotuar se me Abrashin kryetar do të rikthehet qeverisja e mirë.

Përveç këtyre takimeve, Vetëvendosje vijoi aktivitetet në terren, duke realizuar takime me banorët e Petrovës në Prizren, me qytetarë në Gllarevë të Klinës, si dhe vizita te fermerët në Dubravë të Therandës dhe në pishinën e Banjës në Malishevë.

“Fermerët Sedat Ndrecaj në Sallagrazhdë, Avni Gashi në Dubravë dhe Besim Mamaj në Nepërbisht janë dëshmitarë dhe dëshmia e rezultateve pozitive të granteve dhe subvencioneve bujqësore në zhvillimin e fshatit dhe bujqësisë në Therandë. Investimet e kombinuara me përkushtimin e fermerëve kanë sjellë modernizim, rritje të prodhimit vendor dhe krijim të vendeve të punës. Ata janë shembujt konkretë se si mbështetja institucionale dhe puna individuale po e bëjnë bujqësinë një shtyllë të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik dhe social. Mbështetja e qeverisë për bujqësinë do të vazhdojë dhe asaj do t’i shtohen kujdesi e përkrahja edhe nga niveli lokal, me Hamdi Bytyqin, kryetar të ardhshëm të Suharekës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Vetëvendosje organizoi tubimin e saj të përbashkët një ditë para fillimit zyrtar të fushatës, ku kryetari Albin Kurti deklaroi se partia do të punojë për ta çliruar çdo komunë nga “hajnia e partive të vjetra”.

“Ne së bashku e kemi shpëtuar Kosovën nga prangat e korrupsionit dhe nga tendencat për ndarje, prandaj jemi ne që sërish së bashku duhet ta çlirojmë e do ta çlirojmë secilën komunë nga prapambeturia e hajnia e partive të vjetra”, ka thënë ai.

Të shtunën Kurti mori pjesë në hapjen e fushatës në Mitrovicë me kandidatin e Vetëvendosjes, Faton Peci, duke e cilësuar fitoren e tij si garanci për realizimin e projekteve në punësim, arsim modern, shëndetësi cilësore dhe transport publik. Ai përmendi gjithashtu kandidatët e Vetëvendosjes në katër komunat mbi lumin Ibër të cilët, sipas tij, janë të guximshëm dhe të vendosur që veriu të ecë përpara me drejtësi dhe zhvillim.