Kryetari i Ferizajt dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për një mandat tjetër, Agim Aliu, shpalosi programin e tij për Infrastrukturë, Zhvillim Urban dhe Mjedis. Ai tha se zona “Ferizaj i Ri” do të projektohet për këmbësorë dhe biçikleta, me gjelbërim e lidhje të shumta, ndërsa do të ndërtohet edhe “Bulevardi i Rinisë”. Aliu premtoi edhe Unazën e Brendshme për lidhjen e lagjeve me rrugët kryesore, një rrugë të re për Kodrën e Sherretëve, fizibilitet për objektin e ri të Komunës dhe parking nëntokësor.
Në Prishtinë, kandidati Uran Ismaili prezantoi zotimet e tij për lagjen Vellusha, që përfshijnë ndërtimin e një çerdheje të re, qendre komunitare multifunksionale, rrugë me ndriçim publik, rinovimin e shtëpisë së pleqve dhe zgjerimin e ngrohjes qendrore.
Në Prizren, kryetari aktual Shaqir Totaj ka përuruar ndërtimin e gjashtë rrugëve me gjatësi 2 km dhe një park në fshatin Grazhdanik.
Në Drenas, kandidati Petrit Hajdari tha se komuna do të mbetet “bastion i pathyeshëm i PDK-së”.
Në Istog, kandidati Ali Nimanaj prezantoi vizionin për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore-aromatike, duke thënë se ky potencial do të shndërrohet në motor ekonomik për fermerët e zonës.
“Do të nisim fizibilitetin për ndërtimin e objektit të ri të Komunës dhe parkingun nëntokësor, me financim nga niveli qendror. Furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijes kërkon Digën në Firajë dhe ujëmbledhësin në Jezerc, projekte kapitale kombëatre me vlerë mbi 100 milionë euro. Vazhdojmë lobimin për miratim dhe financim nga Qeveria, në koordinim edhe me komunat fqinje. Impianti i trajtimit të ujrave të zeza, mbi 40 milionë euro, prioritet mjedisor dhe shëndetësor me bashkë-financim të Qeverisë dhe të Komunës tonë. Parku i Ri i Qytetit, 1.4 hektarë, me shtigje ecjeje e kënde lojërash për fëmijë”, ka thënë Aliu.
“Këto janë zotimet e mia për Vellushën: Çerdhe e re për fëmijët e lagjes; Ndërtimi i Qendrës Komunitare Multifunksionale; Organizimi dhe mbulimi i kabllove elektrike; Rrugë të sigurta me ndriçim publik në çdo rrugë dhe hapësirë publike; Rishikimi i planit rregullues të lagjes; Zgjerimi i ngrohjes qendrore; Rinovimi i shtëpisë së pleqve. Në Vellushë janë rrënjët e Prishtinës dhe kjo lagje meriton zhvillim dhe jo mungesë investimesh”, ka thënë Osmani.