Zgjedhjet lokale

Abdixhiku: Muhaxheri, kryetar kampion

LDK ne Peje

Tubimi qendror i LDK-së është zhvilluar të shtunën në Pejë. Nga palestra “Karagaçi”, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje që të votohet masivisht Gazmend Muhaxheri, në mënyrë që të mos ketë nevojë për balotazh. E Muhaxheri ka numëruar punët në tri mandatet paraprake dhe projektet për mandatin e katërt që e synon

Gazmend Muhaxheri, i cili si kandidat i Lidhjes Demokratike (LDK) synon edhe mandatin e katërt të kryetarit të Pejës, ka dhënë një numër zotimesh për projekte kapitale, në tubimin elektoral të së shtunës në palestrën “Karagaçi”, ku mori pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai premtoi ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, një bibliotekë të re, si dhe një parkingu trekatësh në qendër të qytetit, e po ashtu edhe shkolla e çerdhe.

“Ndërtimin e sheshit ‘Ura e Zallit’, ‘Ura e re’, shëtitoren te ‘Ura e Zallit’, katër shkolla të reja, 4 çerdhe të reja, mbylljen e deponisë, impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Leshan dhe Krushevc. Do të ndërtojmë 60 kilometra rrugë asfalti nëpër qytet dhe fshatra, 10 kilometra rrugë në zonën industriale, 80 kilometra rrugë në Bjeshkët e Rugovës. Do të ndajmë subvencion për 40 hektarë mjedra, 300 traktorë, 1.4 milionë euro për sera. Do të ndërtojmë dy ura automobilistike të reja... Do të ndërtojmë hapësira gjelbëruese diku 50 ari buzë Lumëbardhit”, ka thënë Muhaxheri.

Kandidati i LDK-së promovoi edhe projektet e realizuara gjatë tri mandateve të tij, si ndërtimi i sheshit “Skënderbeu”, shtatë ura për këmbësorë, dy ura automobilistike, dhjetë shkolla e projekte të tjera.

E, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Peja ka qenë gjithmonë bastion i Lidhjes Demokratike dhe, sipas tij, do të mbetet pararojë e fitores në zgjedhjet e ardhshme.

Duke e quajtur Muhaxherin “kryetar kampion”, Abdixhiku e vlerësoi punën e tij në tri mandatet e kaluara, duke e cilësuar si model të qeverisjes lokale.

“Një njeri që ka fituar çdo betejë me punë, me dinjitet dhe me vizion. Ky njeri është Gazmend Muhaxheri – kryetari kampion i Pejës. Gazmend Muhaxheri është simbol i punës, i përkushtimit dhe i fjalës së mbajtur. Është njeriu që nuk premtoi kurrë më shumë se ç’bënte, por gjithmonë bëri më shumë se ç’premtonte. Është kryetari që e ka transformuar qytetin tonë nga themeli, që e ka kthyer Pejën në një emër të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve të saj”, ka thënë Abdixhiku.

Ai bëri thirrje për fitore në raundin e parë.

“Fitore dhe asgjë më pak se kaq. Fitore për Gazin që në raund të parë”, ka thënë Abdixhiku. “Peja është qyteti që kurrë nuk është dorëzuar. Është qyteti që kurrë nuk është lëkundur. Është qyteti që gjithmonë ka zgjedhur rrugën e drejtë. Peja ka qenë gjithmonë me LDK-në, Peja ka qenë gjithmonë me Rugovën”.

Gjatë ditës, edhe kandidatë të LDK-së që synojnë pushtetin në komuna të tjera, kanë zhvilluar aktivitet elektoral.

Në Prishtinë kandidati Përparim Rama që synon mandatin e dytë, ka vizituar shoqatën e grave pensioniste “Pojata”. Aty ka premtuar mbështetje për këtë kategori, duke theksuar se vizioni i tij është për një kryeqytet me mundësi për çdo brez.

Në Fushë-Kosovë kandidati Besnik Osmani ka premtuar investime e kushte më të mira sportive.

“Jemi në stadiumin ‘Isa Breznica’, këtu në Miradi të Epërme. Do të investojmë 500 mijë euro për një stadium që do t’i ketë rreth 350 ulëse dhe se do të plotësojë kërkesat për sportistët e këtij fshati dhe më gjerë. Edhe këtu, në Miradi të Poshtme do të ndërtojmë stadiumin e ri me një kapacitet 350 ulëse”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në Mitrovicë kandidati Gëzim Plakolli ka vizituar klubin e futbollit “Trepça”. Aty ka theksuar se për pesë vjet me radhë ky klub është lënë pa kushte bazike, por premtoi se me LDK-në kjo nuk do të ndodhë më.

Në Prizren kandidati Driton Selmanaj ka premtuar ndërtimin e një stacioni modern multimodal, që do t’i lidhte trenin, autobusin dhe autostradën në një pikë të vetme, për ta lehtësuar qarkullimin brenda dhe jashtë qytetit.

Ndërsa në Ferizaj, Visar Azemi ka premtuar transformimin e tregut të vjetër, ndërtimin e një parku modern për rekreacion, si dhe krijimin e hapësirave multifunksionale për art, kulturë dhe aktivitete të tjera.

Lexo përditësimet tjera
KQZ-Zgjedhjet

Dita e 15-të e fushatës