Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha në Mitrovicë se kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës, Gëzim Plakolli, nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. E në Prishtinë, kandidati Përparim Rama, ka prezantuar projektin për zgjerimin e linjave të autobusëve urbanë në drejtim të fshatrave të kryeqytetit, si dhe përfundimin e asfaltimit të rrugës në lagjen “Kodra e Trimave”
Të shtunën, Lidhja Demokratike (LDK) e ka fokusuar fushatën parazgjedhore në Mitrovicë, ku është prezantuar kandidati për kryetar komune, Gëzim Plakolli, si dhe kandidatët për anëtarë të Kuvendit Komunal. Aty, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Plakolli u del problemeve përballë.
Abdixhiku e përshkroi kandidatin për kryetar komunë si një figurë të ndershme, të përgjegjshme dhe të përkushtuar, që sipas tij, ndodhet çdo ditë pranë qytetarëve dhe sfidave të tyre.
“Një kryetar që nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. Një kryetar që nuk i fsheh sfidat, por sjell zgjidhje. Një kryetar që nuk i lë qytetarët në harresë, por i bën ata pjesë të qeverisjes. Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i Lidhjes Demokratike. Ky është dallimi i Gëzim Plakollit”, ka thënë Abdixhiku. “Gëzimi nuk është vetëm. Përkrah tij është një ekip i tërë, lista e Lidhjes Demokratike për Asamblenë Komunale të Mitrovicës. Janë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë, qytetarë që nuk hyjnë në politikë për privilegje, por për shërbim. Ky ekip është garancia që fjala e dhënë do të kthehet në vepra. Ky ekip është ura mes qytetarëve dhe qeverisjes lokale. Ky ekip është garancia që vendimet do të merren me përgjegjësi e transparencë”.
Para elektoratit, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja është gjithmonë aty ku qytetarët kërkojnë shpresë, stabilitet dhe punë konkrete.
“Ne jemi partia e zhvillimit, e ligjshmërisë, e demokracisë dhe e orientimit euroatlantik. Në Mitrovicë, si kudo tjetër në Kosovë, LDK-ja mbetet garancia e ndryshimit të vërtetë”, ka thënë ai.
E, në Prishtinë, kryetari Përparim Rama, i cili synon ta marrë edhe një mandat si kandidat i LDK-së, foli për zgjerimin e linjave të autobusëve urbanë drejt fshatrave të kryeqytetit dhe për përfundimin e asfaltimit të rrugës në lagjen Kodra e Trimave. Ai vizitoi edhe stadiumin e ri në Hajvali, që sipas tij pritet të përfundojë së shpejti.
E kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, prezantoi në fshatrat Miradi e Poshtme, Miradi e Epërme dhe Vragoli, programin e tij dhe listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal. Ai tha se çdo projekt apo investim do të synojë përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe se ata do të jenë partnerë të barabartë në vendimmarrje.
“Synimi ynë është një qytet modern, funksional dhe i drejtë, ku qytetari është gjithmonë në qendër të vendimeve dhe ku secili ndihet i mbështetur dhe i fuqizuar për të kontribuar në të ardhmen e tij dhe të komunitetit tonë”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, në Lipjan, kryetari Imri Ahmeti, i cili i është rrekur garës për mandatin e ri, prezantoi projektin për ndërtimin e rrugës “Qamil Olluri”, që do të lidhej me magjistralen Prishtinë-Lipjan si pjesë e planit për lehtësimin e qarkullimit. Në Dobrajë të Madhe promovoi stadiumin e ri, që u hap zyrtarisht me një ndeshje mes veteranëve të KF Arbëria dhe veteranëve të KF Uniteti.
Në Pejë, kryetari Gazmend Muhaxheri që synon mandatin e radhës, ka promovuar punën e bërë deri tash. Ai tha se janë ndërtuar 11 palestra të reja.
“Rinia jonë ka sot hapësira moderne për sport dhe zhvillim, nga qyteti deri në fshat”, ka thënë Muhaxheri. “Ky është ndryshimi që shihet dhe jetohet çdo ditë”.
Ndërkaq, kryetari i Istogut Ilir Ferati, që po kështu synon edhe një mandat si kandidat i LDK-së, në një tubim me banorë të lagjes Mulaj në Orroberdë, vendosi gurthemelin e Shtëpisë së Kulturës. Ferati theksoi se ky projekt përfaqëson angazhimin e përbashkët për zhvillim kulturor dhe komunitar.
E, kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, premtoi se qytetarët nuk do të përballen më me mungesë të ujit të pijshëm. Ai është zotuar se çdo shtëpi në Prizren do të ketë ujë të pastër dhe të pijshëm pa ndërprerje.
Problemin e ngjashëm e ngriti edhe kandidati për kryetar të Shtimes, Kastriot Shabani, i cili premtoi ndërtimin e infrastrukturës së re që, sipas tij, do ta zgjidhë përfundimisht problemin.
Në Viti, kryetari Sokol Haliti që është në garë më mandatin e ri, foli për investimet në sport. Sipas tij, deri tash janë ndërtuar fusha, palestra dhe stadiume dhe premtoi edhe investime të reja.
