Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Deçani do ta ketë qeverisjen që meriton, po që se e zgjedh LDK-në dhe kandidatin e saj Jeton Mushkolaj, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Me Jeton Mushkolajn, Deçani do të ketë kryetarin që merr përgjegjësi. Kryetarin që nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. Kryetarin që nuk fsheh sfidat, por sjell zgjidhje. Kryetarin që nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si shërbim. Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i LDK-së”, deklaroi para qytetarëve Abdixhiku.
Ai premtoi investime në turizëm, infrastrukturë moderne dhe përmirësim të shërbimeve publike.
“Deçani do të ketë qeverisjen që meriton” u shpreh Abdixhiku, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin si kandidatin Mushkolaj, ashtu edhe listën për Asamblenë Komunale.
“Programi ynë për Deçanin është i qartë. Është program i punës dhe i zhvillimit. Është program i guximit dhe i vizionit. Deçani do të bëhet qendër e turizmit malor. Me bukuritë e falura nga Zoti, me natyrën e saj të pasur, kjo komunë ka potencialin për të qenë vend i vizitorëve nga mbarë bota. Me LDK-në, ky potencial nuk mbetet më në letër. Do të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë që çojnë në bjeshkë, në qendra për vizitorë, në marketing që e bën Deçanin emër të njohur turistik në Evropë. Deçani do të ketë infrastrukturë moderne. Lagjet dhe fshatrat nuk do të mbeten më të harruara. Rrugët do të rregullohen me standarde bashkëkohore. Ujësjellësi do të jetë funksional. Kanalizimet do të jenë të sigurta. Ndriçimi publik do të garantojë siguri për çdo qytetar”, shtoi ai.
