Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ditën e nëntë të fushatës e ka vazhduar në Kaçanik.
Derisa prezantoi kandidatin për kryetar komune, Betim Shalën, Abdixhiku u shpreh i bindur se Shala është zëri i qytetarëve.
“Betimi është ndryshe nga të tjerët. Ai nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi. Ai nuk flet me slogane boshe, por me gjuhën e së vërtetës. Ai nuk është larg njerëzve, por gjithmonë pranë tyre. Në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo rrugë të Kaçanikut, Betimi ka qenë me qytetarët, ka dëgjuar hallet e tyre, ka ndarë brengat e tyre. Sot, ai vjen para jush jo vetëm si kandidat i Lidhjes Demokratike, por si zëri i vetë qytetarëve”, u shpreh Abdixhiku, raporton “Ekonomia Online”.
Abdixhiku, mes tjerash kërkoi mbështetje të plotë për kandidatin Shala dhe listën e asamblesë.
“Dhe këto janë zotimet e Lidhjes Demokratike me Betim Shalën: ujë i pijshëm, qytet i planifikuar, shkolla moderne dhe çerdhe të reja. Por Betimi nuk është vetëm. Përkrah tij është një ekip i tërë i Lidhjes Demokratike për Asamblenë e Kaçanikut. Një ekip i përbërë nga gra e burra të ndershëm, profesionistë, qytetarë të përkushtuar. Ky ekip është garancia se fjala e dhënë kthehet në vepra. Ky ekip është ura që lidh pushtetin me qytetarët. Ky ekip është garancia se çdo vendim do të merret me përgjegjësi dhe transparencë. Prandaj, mbështetja duhet të jetë e plotë: për kryetarin dhe për listën e LDK-së.”, tha Abdixhiku.
Përveç në Kaçanik, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të vizitojë edhe Hanin e Elezit dhe takime me qytetarë do të mbajë edhe në Prishtinë.
