Zgjedhjet lokale

AAK-ja mohon se i ka dhënë votat Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës

Perparim Rama

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mohuar pretendimet se ka mbështetur Përparim Ramën në garën për kryetar të Prishtinës. Zyrtarë të partisë kanë deklaruar se pretendimet për mbështetje ndaj kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk qëndrojnë.

Një zyrtar i AAK-së, që ka folur për KOHËN në kushte anonimiteti, ka thënë se rezultatet aktuale janë në përputhje me trendin e zakonshëm të votës së partisë në Prishtinë, të ngjashme me zgjedhjet e kaluara kur kandidonte Daut Haradinaj.

“Edhe me Dautin kandidat kemi marrë më shumë vota për Kuvendin Komunal sesa për kandidatin për kryetar. PDK-së i ka ndodhur e kundërta – më shumë është votuar kandidati i tyre, Uran Ismaili, sesa vetë PDK-ja në Kuvendin Komunal”, ka thënë zyrtari i AAK-së.

Për krahasim, në zgjedhjet e vitit 2021, Daut Haradinaj mori 3874 vota, ndërsa për Kuvendin Komunal, AAK-ja pati 8647 vota. E në zgjedhjet e 12 tetorit, Bekë Berisha mori 2521 vota, ndërsa për Kuvendin Komunal, AAK-ja ka 7667 vota.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 12 tetorit, Përparim Rama, kryetari aktual, doli i pari në Prishtinë me 34.897 vota. Ai do të jetë në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, që ka 34.176 vota.