Pas nisjes së numërimit të votës së diasporës, është rritur numri i ulëseve që Vetëvendosja do t’i ketë në Kuvend. Njohësit thonë se ajo do të mund t’i arrijë deri në 53 mandate. Në këtë parti dhe në ato që kanë qenë në opozitë, nuk treguan nëse kanë gatishmëri për koalicion.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShtetasit e Kosovës që votuan në ambasada e konsullata, e votuan Lëvizjen Vetëvendosje në shkallën 83 për qind. Ndërkaq, nga rreth 40 për qind e votave që janë dërguar me postë, kjo parti ka 68.5 për qind.
Bleron Baraliu, i cili ka kryer një numër projeksionesh deri tash, ka thënë se nëse përqindja aktuale e votave me postë do të mbetet e njëjtë deri në përfundim të numërimit, Vetëvendosja do të arrijë të sigurojë 52 mandate në Kuvend, e nëse arrin performancë rreth 75 për qind në votat e mbetura, e siguron edhe mandatin e 53-të.
Analisti Basri Muja thotë se ky rezultat ia mundëson Vetëvendosjes ta formojë Qeverinë me aleatët e deritashëm.
“LVV-ja bashkë me aleatët e saj dhe me deputetët nga joshumicë serbe mund ta arrijë një shumicë prej 61-62 deputetëve. Sado që është një shumicë e ngushtë, megjithatë është e mjaftueshme për formimin e Qeverisë”, ka thënë Muja.
Bazuar në të dhënat e përmbledhura të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, aktualisht Vetëvendosje ka siguruar 50 mandate, që krahasuar me rezultatin preliminar janë dy më shumë.
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë kanë ndryshuar rezultatin edhe për dy parti opozitare. PDK-ja do t’i ketë 23 ulëse, apo 1 më pak sesa në rezultatin preliminar dhe LDK-ja do t’i ketë 19 ulëse po ashtu 1 më pak sesa kishte në rezultatet e para.
Profesori i Juridikut, Enver Hasani, thotë se ky rezultat tregon domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja, ku përfshihet kryetari i Kuvendit, Qeveria dhe presidenti.
“Ai që me Kushtetutë ka më së shumti vota, ai duhet me e pritë marrëveshjen, pa marrëveshje nuk mund të formohen organet, harroje atë. Për të gjitha.... Prapë mund, nëse shkojnë në zgjedhje, do besoj më shumë do të jetë fatale për pushtetin aktual, më shumë fatale sesa për opozitën”, u shpreh Hasani.
KOHA ka kërkuar qëndrim nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nëse do t’iu bëjë ftesë partive opozitare për bashkëqeverisje, apo do ta formojë Qeverinë vetëm me pakicat joserbe, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së shtunës.
Edhe në partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë treguar se si do t’i përgjigjeshin një ftese të mundshme të Vetëvendosjes për bashkëqeverisje.
Bazuar në rezultatin e projektuar, Vetëvendosja mund ta bëjë shumicën me aleatët, si për zgjedhjen e kryeparlamentarit, e po ashtu edhe të qeverisë. Por, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve.