Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Të martën pritet të përmbyllet numërimi i votave të kandidatëve

Rinumerimi

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Pas tri ditësh numërim në Qendrat Komunale të Numërimit, janë përpunuar rreth 75 për qind e fletëvotimeve nga vendvotimet e rregullta. Procesi është përmbyllur në 18 komuna, ndërsa me ritmin aktual pritet të përfundojë në fillim të javës së ardhshme. Por ende nuk ka filluar numërimi i afro 100 mijë votave të tjera, kryesisht të diasporës

Me ritmin aktual të punës në Qendrat Komunale të Numërimit, procesi i numërimit të votave për kandidatë nga vendvotimet e rregullta pritet të përfundojë më së largu të martën.

E niveli i numërimit në shkallë vendi ka arritur mbi 75 për qind, të mërkurën. Deri tani, procesi është përmbyllur në 18 komuna, kryesisht ato me numër më të vogël votuesish.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fazën përfundimtare të numërimit janë Leposaviqi, Kaçaniku, Skenderaj, Istogu, Klina dhe Rahoveci. E, në Prishtinë numërimi ka kaluar një të katërtën e votave, ndërsa në Prizren mbi 40 për qind. 

Në Gjilan procesi i është afruar 50 përqindëshit, ndërsa në të gjitha komunat e tjera janë numëruar më shumë se gjysma e votave.

Me këtë dinamikë pune, e fundit numërimin e votave do ta përfundojë Prishtina – në fillim të javës së ardhshme.

Megjithatë kjo nuk nënkupton përfundim të të gjithë procesit numërues për shkak se ka edhe vota të tjera që numërimi ende nuk ka nisur.

“Bëhet fjalë për fletëvotimet nga votimi nga 30 përfaqësi diplomatike, ku kanë votuar 22 mijë e 414 qytetarë, pastaj fletëvotimet nga votimi me postë në 23 kutitë postare nga ku janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, pastaj fletëvotimet nga votimi me kusht i mundësuar në 52 vendvotime, ku janë evidentuar 8 mijë e 751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta ku kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 144 votues”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se aktivitete po zhvillohen edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. 

Deri në mëngjesin e së mërkurës janë verifikuar afër 7 mijë e 300 zarfe nga diaspora, prej tyre të vlefshme janë mbi 98 për qind.

“Nga pjesa më e madhe e pakove që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë të tilla, prej të cilave janë aprovuar 7 mijë e 153, ndërkaq janë refuzuar 142. Arsyeja më e shpeshtë se pse janë refuzuar këto pak është se në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit”, ka thënë Elezi

Në QNR do të numërohen edhe afro 10 mijë fletëvotime që janë nga votimi me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara.