KQZ-ja ka akredituar 761 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026. Ndërkaq, dy organizatave u është refuzuar akreditimi për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore dhe përdorimit të terminologjisë që bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës. Gjatë ditës, KQZ-ja ka miratuar vendimin për emërimin e rreth 14 mijë anëtarëve për vendvotimet e rregullta, ato me kusht dhe në përfaqësi diplomatike
Grupi i parë i vëzhguesve vendës e ndërkombëtarë janë akredituar të premten nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përveç atyre të propozuar nga dy organizatave të cilave u është refuzuar kërkesa për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se 29 organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga analiza që KQZ-ja ua ka bërë statuteve të organizatave që i ka refuzuar, ka rezultuar se njëra organizatë nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me proceset zgjedhore, ndërsa organizata tjetër në dokumentacionin e saj zyrtar i është referuar Kosovës me terminologjinë “Kosova dhe Metohia”.
“‘Odbor za kontrolu i opservaciju’ ka aplikuar për t’u akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë 07.06.2026. Zyra, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë ndërkombëtare, ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë ‘Kosovë dhe Metohi’”, ka thënë Buzhala. “Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”.
Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 ambasada dhe 1 institucion vendor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së premtes ka pezulluar partinë politike të regjistruar Eko Lëvizja e Gjelbër duke i dhënë afat prej 45 ditësh për të mbajtur Kuvendin Zgjedhor, në të kundërtën ky subjekt do të çregjistrohet.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendime të veçanta për emërimin e anëtarëve të trupave zgjedhore që do të angazhohen gjatë fazave të ndryshme në zgjedhjet e parakohshme, si brenda dhe jashtë vendit, më 6 dhe 7 qershor 2026.
Fillimisht, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta dhe me kusht të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 7 qershor. Sipas vendimit të KQZ-së, në 2,498 vendvotime për votimin e rregullt që janë pjesë e (911 qendrave të votimit, do të angazhohen 12,678 anëtarë, 1,043 prej të cilëve janë anëtarë rezervë. Për mbledhjen e radhës, është planifikuar emërimi edhe i rreth 700 anëtarëve për angazhim në vendvotime të rregullta në komuna të ndryshme të vendit. Ndërkaq, në 52 vendvotime për votimin me kusht, që janë në 38 qendra votimi, do të angazhohen 192 anëtarë. Anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve të emëruar nga KQZ, përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjëse për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.
Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, të cilët do të angazhohen në procesin e votimit që do të zhvillohet më 6 qershor. Sipas vendimit të KQZ-së, në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike – 17 ambasada dhe 13 konsullata – të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, do të angazhohen rreth 200 anëtarë, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike.
Lidhur me votimin jashtë vendit, KQZ mori vendim për emërimin e menaxherëve, zyrtarëve për asistim dhe stafit rezervë në Qendrat e Votimit në përfaqësi diplomatike, si dhe për autorizimin e zyrtarëve për tërheqjen e dërgesave postare nga kutitë postare të cilat i takojnë votimit përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.