Zgjedhjet 2025

VV-ja me fitore rekorde, por Kurti s’përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore rekorde në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, bazuar në rezultatet preliminare. Kur janë numëruar mbi 95 për qind e të gjitha votave, Vetëvendosje kryeson me 50.50 për qind, pasuar nga PDK-ja me 20.49 për qind dhe LDK-ja me 13.37 për qind. AAK-ja është e katërta me 5.55 për qind. 

Pos që ka thyer rekordin me përqindje të votave, Vetëvendosja ka thyer edhe rekordin për vota të marra, mbi 461 mijë. E kreu i  Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thyer rekordin për vota të marra me rreth 380 mijë vota. 

Kurti në një intervistë për “KosovaPress” të dielën ka thënë se qeveria e re do të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Por, i pyetur për çështjen e presidentit dhe nëse do të përkrahin Vjosa Osmanin edhe për një mandat pesëvjeçar, Kurti ka thënë se janë disa pika tjera të rëndësishme. Por, ai s’e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja në pranverë.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten apo ta zgjedhim presidentin. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, tha Kurti. 

Kurti e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit. Ai thotë se është vështirësi e konsiderueshme të sigurohet qëndrimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit. 

“Tash, ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin. Unë besoj që këto janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi. Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, deklaron ai.

Duke folur për mundësitë që partitë e opozitës, dhe veçanërisht LDK-ja, të qëndrojnë në sallën plenare kur votohet presidenti, Kurti tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.

“Për besë nuk e di. Ky viti 2025, me një qasje bllokuese e barrikaduese të partive opozitare, më ka çuditur edhe mua. Po të më thoshte dikush para një viti që viti 2025 do të ishte ashtu siç u bë, mund të dukej me shumë pak gjasa ose pa asnjë gjasë. Mirëpo ja që ndodhi. Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor”, tha Kurti. 

Osmani ka konfirmuar më herët qëllimin për të kandiduar edhe për një mandat si presidente.