Lëvizja Vetëvendosje ka thyer rekordin e vendosur në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 2021, ku pati marrë 50.28% të votave.
Tek po vazhdon numërimi i votave me postë, LVV-ja tashmë ka kaluar 50.30% të votave.
Deri pasditen e së dielës janë numëruar 11.545 vota të dërguara me postë ose 45% të atyre që deri tash kanë mbërritur në Kosovë.
Nga këto vota Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 72% të votave ose 8320 sosh.
Lidhja Demokratike ka marrë 10%, Partia Demokratike 8.6%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6% dhe Partia Liberale Egjiptiane 1.1%.
Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se do të vijojë edhe numërimi i afro 13 mijë votave të tjera.
“Gjatë javës në vazhdim, në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9.900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2.860”, ka thënë Elezi.
Të premten KQZ-ja ka tërhequr 28 mijë e 500 pako me fletëvotime nga dy kuti postare, ato në Berlin të Gjermanisë dhe në Bernë të Zvicrës.
E pjesa tjetër do të tërhiqet të hënën.
Numri total i personave që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhje përmes kësaj forme votimi është 58 mijë.
Votat me postë janë pjesë e votimit nga jashtë vendit, proces ky që ka zgjatur nga mesi i dhjetorit deri një ditë para datës së zgjedhjeve, 27 dhjetor.
Një formë tjetër e votimit nga jashtë është ajo e votimit fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Numërimi i këtyre votave ka përfunduar të shtunën.
Nga mbi 16 mijë vota, LVV i ka marrë 13.899 ose 86.7%, PDK-ja 973 vota ose 6% e LDK-ja 762 vota ose 4.8%.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, me postë kanë votuar 61 mijë persona.
Në KQZ kanë njoftuar se pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave dhe pas shqyrtimit të ankesave të mundshme nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme do të shpallen rezultatet përfundimtare.