Gazetarja që merret me çështjet e shëndetësisë, Saranda Ramaj, e ka cilësuar propagandë të Vetëvendosjes mënyrën se si ishte tentuar të paraqitet amendamentimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore.
Sipas saj, LVV-ja me në krye Albin Kurtin dhe ministrin Arben Vitia janë munduar ta paraqesin si ligj të ri, edhe pse kjo nuk ka ndodhur. Ajo ka thënë se VV-ja ka menaxhuar me këtë sektor nën pritjet që kanë qenë prej saj.
“Fakti që kanë pasur 50 për qind të votave nënkupton pushtet absolut për të bërë dhe për ët shtyrë çdo gjë që planifikon. Nëse nisemi nga ky parim, mendoj se është jashtëzakonisht nën pritjet që secili njeri, qoftë edhe kundërshtari më i ashpër i VV-së. Mendoj se pritjet kanë qenë më të mëdha”, ka thënë ajo në “Zgjedhjet në KOHË”.
Ramaj ka thënë se VV-ja nuk mund të arsyetohet se zbatimi i këtij ligji është bllokuar nga opozita, që amendamentimin e ligjit e ka çuar në Kushtetuese si pjesë të të gjitha vendimeve të marra në një seancë të Kuvendit, të cilin e ka kontestuar si të plotë.
“VV-ja duhet ta ketë parasysh dhe ta lexojë publiku drejt këtë çështje... Ligji për sigurime shëndetësore është prej vitit 2014. Nuk ka bërë VV-ja ligj të ri. Ka amendamentuar. E ka ndryshuar ligjin në fuqi. Dhe me ligjin në fuqi nuk ka qenë asnjëherë moszbatimi fakti që ka ndonjë zbrazëti në ligj. Moszbatimi ka ndodhur sepse kjo ministri kur qeverisej edhe në të kaluarën s’ka krijuar parakushtet për funksionim. Ndër to është sistemi i informimit shëndetësor. Në situatë hipotetike hajde të themi në shkurt e zhbllokon ligjin. Çka ndodh? A fillojnë në mars sigurimet. E premtojnë por s’do të ndodhë as në mars as në dhjetor të 2026-s. Sepse pa krijimin e parakushteve s’do të ndodhë. Ajo që po bën VV-ja është se po e shfrytëzon faktin se një seancë që ishte shumë e kontestuar nga opozita dhe i ka çuar krejt pikat që janë miratuar në atë seancë, i kanë kontestuar sepse ka konsideruar se nuk janë plotësuar kushtet e parapara për të mbajtur atë seancë dhe të gjitha janë në gjykatë. Por parakushtet a i ka krijuar parakushtet kjo ministri? Absolutisht që jo. A ka listë të shërbimeve si parakusht? A kemi lidhjen mes Regjistrit Civil me MSH-në?” ka thënë Ramaj. “Ideja është që kjo qeveri, iu ka përshtatur fakti që ky ligj ka përfunduar në Kushtetuese sepse në fushatë mund ta përdorin si arsyetim se është bllokuar. Në aspektin real edhe kur është amendamentuar ligji, qysh nga kryeministri Kurti, ministri Vitia e vartësit tjerë e kanë prezantuar si ligj të ri dhe po fillojnë sigurimet. Mendoj se ka qenë propagandë dhe s’ka pasur të bëjë me realitetin”.
Ramaj e ka vlerësuar përparësi në këtë mandat ngritjen e buxhetit për shëndetësi.
Çështjen e investimeve kapitale ajo e ka cilësuar “pikë të zezë” të mandatit.