Zgjedhjet 2025

Qytetari ankohet se nëna e tij që nuk di shkrim dhe lexim nuk u lejua të votonte

z

Foto: Driton Paçarada

Një votues është ankuar mëngjesin e së dielës se nëna e tij, që nuk di shkrim dhe lexim, nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën e votës sepse ai nuk është lejuar të jetë me të. Zenel Cërnaveri ka thënë se ka kërkuar informacion nga KQZ-ja nëse duhet të ketë ndonjë dokument, por se i është thënë se nuk i duhet.

Cërnaveri ka thënë se nëna e tij është në gjendje të mirë fizike për të ecur vetë dhe për ta hedhur votën në kuti, por se nuk di të lexoj fletëvotimin me emrat e kandidatëve.

“Isha sot të shkolla ‘Iliria’ të votoj me nënën, por paraprakisht në zgjedhjet lokale isha me nënën dhe nuk e lejuan të votojë. Nëna i ka 84 vjet, nuk din të shkruajë. Më thanë që duhet vërtetim. Isha të mërkurën në Matiqan te mjekët dhe i pyeta për dokument që ajo të votojë. Kam thirrë në KQZ, i pyeta se nëna i ka 84 vjet dhe çfarë dokumenti më duhet që unë ta asistoj nënën. Ata më thanë se nuk ke nevojë asgjë. I pyeta a jeni të sigurt se kështu më ka ndodhur, më thanë nuk ka problem. Kur shkova tash më nënën nuk na lejuan. Thanë ju duhet një dokument. Mbetëm pa votuar”, ka treguar ai për Kohën.  

E, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pasi vetë ka shfrytëzuar të drejtën e votimit të dielën ka shpjeguar procedurën e votimit për personat që nuk dinë shkrim e lexim,

“Për personat që nuk dinë shkrim dhe lexim nuk ka rregulla, ligji këtë kategori në 2023 e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. Sa i përket KQZ-së kemi një procedurë standarde edhe për këta persona, këtyre nuk iu mohohet e drejta e votimit, por këtyre personave asistimi nuk mund të bëhet prapa kutisë së votimit, asistimi i tyre bëhet vetëm deri tek kutia e votimit. Por mund të komunikojnë me këdo për të votuar, por votën duhet ta vendosin vetë”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet - 28 dhjetor, 2025

Kosova voton