Rritja e pagave, pensioneve e shtesave janë premtimet kryesore të partive politike gjatë fushatës së deritashme zgjedhore. Njohës të çështjeve të ekonomisë dhe të zhvillimeve politike thonë se realizimi i tyre do të ketë efekt afatshkurtër në mirëqenie. Sipas tyre, partitë janë fokusuar në këto premtime për të fituar vota, e duke lënë anash identitetin e tyre ideologjik
Premtimet kyç të partive politike në fushatën zgjedhore janë rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe e skemave sociale.
Disa nga to kanë premtuar pagë minimale deri në 1 mijë euro, rritje të koeficientit në vlerë të 150 eurove, rritje për 50 për qind të pagave në sektorin publik, pensione prej 300 eurosh, shtesa për të porsalindurit 200 euro e të tjera.
Sipas ekonomistit, Fidan Qerimi, Kosova nuk ka buxhet aq të madh për t’i inkorporuar të gjitha këto premtime, të cilat po qe se do të realizoheshin, do të sakrifikonin investimet kapitale që kanë efekt më afatgjatë në mirëqenien e qytetarëve.
“Niveli i buxhetit nuk është që po na ndryshon. Nuk kemi mundësi buxhetore që t’i rrisim pagat dhe pensionet. Ne e kemi një nivel të njëjtë përafërsisht të buxhetit dhe do të duhej të heqim dorë prej investimeve kapitale, prej shpenzimeve që i bën qeveria për mirëqenien e popullatës dhe i drejton në këto paga dhe pensione. Padyshim do të kemi zvogëlim të këtyre investimeve kapitale”, ka thënë Qerimi.
E njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, thotë se fokusi i partive është kryesisht në premtime për rritje pagash e pensionesh pasi thekson se ato pranohen më mirë nga elektorati.
Sipas tij, partitë kanë hequr dorë nga identiteti i tyre ideologjik dhe japin premtime vetëm për të përfituar vota.
“Tek ne shumica e partive politike operojnë me programe të ngjashme dhe pa dallime të qarta mes të djathtës dhe të majtës. Kjo ndodhë edhe për faktin se partitë politike shpesh adaptojnë diskurse pragmatike dhe populiste vetëm e vetëm për të fituar vota, duke hequr dorë nga identiteti i tyre ideologjik”, ka thënë Muja.
Premtimet aktuale të partive politike, sipas ekonomistit Qerimi kanë ndikim jetëshkurtër në mirëqenien e qytetarëve.
“Ndoshta kërkesa e qytetarëve nuk është kjo që të kemi reforma, që të kemi përmirësim të performancës ekonomike, por më tepër po merremi me patriotizëm dhe me një politikë shumë ditore me të cilat do të mund të përfitonim në afat shumë të shkurtër. Por, mendoj që duhet të fokusohemi në afatgjatë dhe afatmesëm për efektet ekonomike”, ka thënë Qerimi.
E Muja thotë se premtime për paga e pensione kanë lënë në hije tema të tjera të rëndësishme për të cilat qytetarët kërkojnë qartësi politike.
“Ta zëmë politika e jashtme, dialogu me Serbinë, raportet me BE-në dhe SHBA-në, këto janë çështje kyç për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës, por fatkeqësisht gjatë tubimeve zgjedhore deri më tani në masë të madhe janë anashkaluar”, ka theksuar Muja.
Fushat e partive politike do të zgjasë deri më 28 dhjetor në orën 7 të mëngjesit, kur hapen qendrat e votimit.