Zgjedhjet 2025

Policia finalizon planin operativ për sigurinë e zgjedhjeve

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka hartuar dhe ka nisur zbatimin e urdhrit operativ “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, sipas njoftimit, janë mbajtur të premten dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e këtij urdhri operativ.

Takimi i parë u zhvillua me drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë, ndërsa në takimin e dytë morën pjesë edhe përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si dhe të institucioneve të tjera relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, prezantoi përgatitjet e deritanishme dhe angazhimet policore gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se procesi deri më tani ka qenë i qetë dhe pa incidente. Ai kërkoi nga të gjithë menaxherët rajonalë dhe qendrorë mbikëqyrje të shtuar dhe angazhim maksimal të zyrtarëve policorë, me profesionalizëm dhe integritet të lartë, për ta përmbyllur me sukses edhe këtë aktivitet institucional.

Më pas, Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional shpalosi detajet e urdhrit operativ, duke përfshirë detyrat, angazhimet, bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve brenda strukturës policore, si dhe me institucionet tjera relevante.

Policia ka ritheksuar përkushtimin për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me synimin për të garantuar ushtrimin e lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët.

Në këtë kuadër, Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike [email protected] ose në stacionet policore më të afërta.