Zgjedhjet 2025

Personi me 8 aktgjykime, përfshirë për tentativë vrasje, u angazhua si vëzhgues

Një nga të dyshuarit për vjedhjen e madhe të votave në Prizren, më parë është dënuar tetë herë për vepra penale, përfshirë edhe për tentativë vrasje. Ndryshe nga komisionerët, gjendja penale e të cilëve verifikohet nga Këshilli Gjyqësor, kjo nuk vlen edhe për vëzhguesit, rol që e luajti personi me 8 aktgjykime, e që është edhe i afërm i kandidatit për deputetë nga PDK-ja, Fetah Paçarizi

G.P., djali i vëllait të kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Fetah Paqarizi, i dyshuar për falsifikim rezultatesh të votimit, kanosje dhe dhënie ryshfeti gjatë numërimit të votave në Prizren, është dënuar tetë herë më parë nga gjykatat e Kosovës.

Ligji e as rregullat zgjedhore nuk parashohin verifikim të gjendjes penale të vëzhguesve e kjo, sipas anëtarëve të KQZ-së, duhet të ndryshojë.

G.P., ndër të tjera, është dënuar një herë edhe për tentativë vrasje e aktgjykime, ndaj tij ka edhe për kanosje, lëndim të lehtë trupor dhe për vepra të tjera penale.

“29.10.2025 - Gjykata Themelore në Prizren - 2.500 euro gjobë për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, lëndim të lehtë trupor dhe kanosje; 29.04.2025 - Gjykata Themelore në Prishtinë - tetë muaj burgim për armëmbajtje pa leje; 09.02.2024 - Gjykata Themelore në Prizren – 200 euro gjobë për sulm; 05.04.2023 - Gjykata Themelore në Prizren - 1.200 euro gjobë për lëndim të lehtë trupor; 28.07.2022 - Gjykata Themelore në Prizren – 800 euro gjobë për kanosje; 15.11.2022 - Gjykata Themelore në Prizren – 900 euro për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje; 07.04.2021 - Gjykata Themelore në Prizren – 1.600 euro gjobë për lëndim të lehtë trupor; 13.07.2017 Gjykata Themelore në Ferizaj – 2 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasje në tentativë (U fal me dekret nga ish-presidenti Hashim Thaçi)”, janë aktgjykimet ndaj G.P., të siguruara nga KOHA.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se edhe në të kaluarën kanë pasur probleme me vëzhguesit me precedent penal në Qendrën e Numërimit të Rezultateve. 

Sipas tij, gjendja penale e komisionerëve verifikohet në Këshillin Gjyqësor para angazhimit të tyre, porse kjo nuk vlen për vëzhguesit, rol që pati G.P. në procesin e fundit zgjedhor.

“Ky aspekt është tashmë pjesë e mësimeve që i kemi marrë dhe ne nuk mund ta lejojmë që një gjë e tillë të na rishfaqet prapë dhe të na ripërsëritet. Ne edhe gjatë procesit të kaluar zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në QNR kemi pasur prezencë të vëzhguesve që kanë pasur precedent penal dhe në njëfarë mënyre kanë ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e procesit për çka jemi detyruar të komunikojmë me organet e rendit – në mënyrë që të largohen nga këtu dhe definitivisht është tashmë e nevojshme që qoftë edhe brenda kuadrit aktual ligjor ne ta rregullojmë çëshjten e nominimeve, por edhe të akreditimit të vëzhguesve në atë mënyrë që njerëz me precedentë penale të mos jenë pjesë e vëzhgimit të proceseve zgjedhore”, ka thënë Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja. 

Edhe Arianit Elshani, që përfaqëson PDK-në në KQZ, e sheh të domosdoshëm rishikimin e kritereve për angazhim të vëzhguesve. 

“Kriteret lidhur me akreditimin e vëzhguesve dhe komisionerëve janë të përcaktuara me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat zgjedhore të KQZ. Menjëherë pas certifikimit të rezultateve do të analizojmë të gjitha gjetjet e këtyre zgjedhjeve dhe do të bëjmë adresimin e menjëhershëm të të gjitha ndryshimeve që janë në kompetencë të KQZ-së, duke përfshirë këtu kriteret për vëzhguesit dhe komisionerët në rregullat zgjedhore të KQZ-së”, ka thënë Elshani.

E anëtari i AAK-së, Muharrem Nitaj, është shprehur se pas rinumërimit në KQZ do të adresohen të gjitha problematikat, qoftë edhe ato që lidhen me reformën zgjedhore.

“KQZ-ja është duke pritur rinumërimin e votave dhe certifikimin e zgjedhjeve, i cili besojmë se do të përfundojë rreth datës 10 shkurt. Menjëherë pas kësaj date KQZ-ja do të mblidhet në një sesion disaditor pune, do t'i analizojë të gjitha aspektet e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe do të dalë me propozime konkrete, që nga operacionet zgjedhore e deri te propozimet për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet”, ka thënë ai. 

Vetëm në Prizren mbi 6.700 vota janë devijuar në favor të rezultatit zgjedhor të kandidatit të PDK-së, Fetah Paçarizi. Manipulim rezultati pati edhe në komunat e tjera, gjë që e ka detyruar KQZ-në të vendosë për rinumërim të plotë në nivel të vendit. 

Të dyshuarit G.P. i është caktuar masa e paraburgimit, bashkë me 22 komisionerë nga Prizreni.
Gjatë intervistimit, ai i ka mohuar pretendimet e Prokurorisë në lidhje me manipulimet e votave të kandidatëve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas aktvendimit për paraburgim, G.P. në cilësinë e vëzhguesit dyshohet për kanosje dhe dhënie ryshfeti ndaj komisioneres A.V. në Prizren, e cila po ashtu është në mesin e të arrestuarve. Po sipas aktvendimit, ai ka shfrytëzuar ‘userin’ e saj për të futur në sistem numër të madh votash të paqena. A.V. e ka mohuar veprën e marrjes së ryshfetit, duke thënë se i pandehuri G.P., pa pëlqimin e saj, ia ka futur 50 euro në xhep.