Zgjedhjet 2025

Zgjedhjet në KOHË: A e luftoi korrupsionin Qeveria Kurti?

Krasniqi: Do të ishte mirë që një SPAK të bëhet edhe në Kosovë

33 min. më parë / 23 dhj 2025 22:53
bk

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është treguar funksionale në Shqipëri, e sipas tij një mekanizëm i tillë antikorrupsion duhet të themelohet edhe në Kosovë.

“Ne e kemi shembullin e Shqipërisë ku në masë ka funksionuar, Prokurori i Posaçme, dhe ishte lajm i mirë që z. Dumani u pa së paku në Kosovë, ose tek Ambasada britanike pasi i përfundoi mandati në Shqipëri. Është shembull i mirë që ka funksionuar në Shqipëri dhe do të ishte mirë një mekanizëm i tillë antikorrupsion”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se një mekanizëm i ngjashëm me SPAK-un aktualisht nuk funksionon në Kosovë.

“Veprimet e bëjnë një mekanizëm të nevojshëm ose të dëshmuar ose jo. Ideja është të kemi një autoritet që heton në mënyrë aq profesionale sa SPAK-u. Pak rëndësi ka kush është kryeministër, ministër, ish-kryeministër, ish-kryetar partie, çfarë merita ka në historinë e vendit, sepse sic e dini edhe z. Meta dhe z. Berisha kanë qenë... Meta i burgosur, Berisha ende në hetim”.

Berisha: Prokurorët e përjashtuar shkaku i aferave, sot janë avokatë sekserë

1 o. më parë / 23 dhj 2025 22:26
Durim Berisha

Analisti politik Durim Berisha ka kritikuar funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe qasjen e institucioneve në luftimin e korrupsionit, duke thënë se problemet mbeten të pazgjidhura.

Sipas Berishës, qeveria dhe ministrat mund t’i ikin lehtësisht përgjegjësisë për luftimin e korrupsionit shkaku i rendit aktual kushtetues. Ai ka theksuar se vendi ka nevojë për reformë të thellë strukturore, duke vlerësuar se procesi i vettingut nuk është zgjidhje e mjaftueshme.

“Vettingu i largon disa njerëz të korruptuar e të padijshëm, por i zëvendëson me persona potencialisht po aq të korruptuar dhe të padijshëm”, ka deklaruar Berisha në debatin në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai ka theksuar se në të kaluarën ka pasur gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në afera dhe përgjime, të cilët janë larguar nga sistemi i drejtësisë, por sot veprojnë si avokatë. Sipas tij, shumë prej tyre nuk ushtrojnë profesionin e avokatit në mënyrë të ndershme, por funksionojnë si ndërmjetës të paligjshëm.

“Ke pas gjyqtarë e prokurorë që janë përfshi në afera e përgjime, kanë dalë prej sistemit të drejtësisë, e sot janë avokatë dhe thonë që gabimin më të madh ishim kanë t’u e bo pasi u kënaqëm t’u bo pare. Pse t’u bo pare? Sepse ata nuk janë avokatë, janë sekserë. Këto janë sekrete publike”, ka thënë ai.

Berisha: Refuzimi i përgjegjësisë, strategji e VV-së - kështu veproi edhe në opozitë

1 o. më parë / 23 dhj 2025 22:15
Durim Berisha

Analisti politik Durim Berisha ka thënë se strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje gjithmonë ka qenë refuzimi i përgjegjësisë. 

“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka qenë e tillë. Kurrë nuk ka pranuar përgjegjësi. As në Komunën e Prishtinës. Refuzimi i përgjegjësisë dhe gjithmonë hedhja e fajit te tjetri, është strategji dhe standard i Vetëvendosjes”, ka thënë Berisha në “Zgjedhjet në KOHË”. 

Ndërkohë aktivistja politike Anita Shabani-Cacaj ka thënë se në “histori të Kosovës dhe të vendeve të rajonit, Albin Kurti është i vetmi politikan, kryeministër, që del publikisht e i mbron ministrat kur i ka nën akuzë”.

Sefaj: Kurti, kryeministri i parë që ka mbrojtur të akuzuarit për korrupsion

1 o. më parë / 23 dhj 2025 21:54
Ali Sefaj

Ali Sefaj, njohës i çështjeve politike, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se për herë të parë në Kosovë një kryeministër po mbron të akuzuarit për korrupsion, në vend se të mbrojë sinjalizuesit dhe të luftojë dukuritë korruptive.

Sipas Sefajt, nga deklaratat publike dhe “lufta mediale” e zhvilluar nga qeveria, shpeshherë është e paqartë nëse synimi ka qenë luftimi i korrupsionit apo sulmi ndaj Prokurorisë. Ai ka theksuar se, si zyrtar institucional me rol të përafërt me atë të sinjalizuesve, ka njohuri të drejtpërdrejta për mënyrën se si janë trajtuar këto raste.

“Është qeveria e parë që i ka zhveshur sinjalizuesit nga mbrojtja, ndonëse ka qenë e obliguar t’i mbrojë. Madje, në pozitat e zyrtarëve për sinjalizim janë vendosur persona lojalë ndaj kabinetit qeveritar”, ka deklaruar Sefaj në debatin “Zgjedhjet në KOHË”.

Ai ka shtuar se shumica e sinjalizuesve që kanë dalë publikisht, fillimisht i kanë raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit te ministrat përkatës dhe, në disa raste, edhe te vetë kryeministri, duke qenë se bëhej fjalë për raste me vlera milionëshe.

Sipas Sefajt, në vend që këto raste të trajtoheshin seriozisht dhe sinjalizuesit të mbroheshin, kryeministri i ka kthyer ata tek personat e dyshuar për korrupsion.

“Kemi për herë të parë një kryeministër që i mbron të akuzuarit për korrupsion”, ka theksuar ai.

Në fund, Sefaj ka vlerësuar se, ndonëse edhe qeveritë e mëhershme kanë pasur probleme dhe lidhje të dyshimta, nuk ka pasur më parë një qasje të tillë ku, sipas tij, sulmohen Policia, mediat, Prokuroria dhe gjykatat, vetëm pse ato po kryejnë detyrat e tyre ligjore.