Zgjedhjet 2025

Kurti: S’ka amnisti për ata që manipuluan votat

kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse t’i hetojnë deri në fund manipulimet me vota.

Ai ka thënë se adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit.

“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka theksuar tutje se dyshimet duhet të hetohen dhe manipuluesit duhet të ndëshkohen.

109 persona janë arrestuar të prenten lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Prizrenit. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se 109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa ka theksuar se katër partitë kryesore në vend “i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë”.

Kryeziu ka theksuar të premten se manipulimi do të ishte i pamundur po të mos kishte kompromis në mes të komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike. 

Edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë të premten ka njoftuar se ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për dyshimet për manipulime me vota për kandidatët për deputetë në Komunën e Malishevës. Në njoftim, Prokuroria ka thënë se hetimet do të synojnë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante.

Malisheva ishte prej komunave që pati 100 për qind vota të rinumëruara.