Premtim për mbështetje të bujqve ka bërë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, para qytetarëve në Junik. Këtë mbështetje ai ka thënë se do ta bëjë nëpërmjet kartës E-Fermeri, me anë të së cilës ata do të mund ta përcjellin me anë të telefonave të gjithë procesin e aplikimit për përfitim të subvencioneve.
Nga Juniku, Kurti ka premtuar po ashtu se në qeverisjen e ardhshme do ta realizojë edhe sistemin e drenazhimit dhe të ujitjes, në përkrahje të punës së bujqve. Në ditën e tetë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kandidati i LVV-së për kryeministër është zotuar për investime prej gjysmë miliardi euro në Brezovicën ndërsa rreth 250 milionë euro ka premtuar se do t’i investojë për organizimin e lojërave mesdhetare të 2030-tës. Investime Kurti ka premtuar edhe për qendrën e re turistike “Dukagjini” e Bjeshkët e Nemuna i ka kualifikuar si jashtëzakonisht të përshtatshme për këtë qendër.