Zgjedhjet 2025

KQZ-ja pret që rezultatet të shpallen më herët sesa ka parashikuar

Rreth 12 mijë pako me fletëvotime janë tërhequr të hënën nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe pritet që gjatë ditëve në vijim të arrijnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Këto fletëvotime i takojnë votimit me postë dhe janë të fundit. Më herët janë tërhequr shumë të tjera. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë shprehur pritshmërinë që numërimi i të gjitha votave të përfundojë gjatë kësaj jave

Në Komisionin Qendror Zgjedhor kanë shprehur pritshmërinë që procesi i numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të përfundojë brenda kësaj jave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se edhe numërimi i votave me kusht do të fillojë së shpejti.

“Të gjitha përpjekjet e KQZ-së janë që numërimi i fletëvotimeve të mbetura, nga jashtë Kosovës – përmes postës, i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta të përfundojë gjatë kësaj jave”, ka thënë Elezi të hënën.

Për votim me postë nga jashtë vendit kanë aplikuar 58 mijë persona. Deri tash janë numëruar shumica e 28 mijë votave që janë tërhequr para natës së Vitit të Ri nga kutitë postare në Berlin të Gjermanisë dhe në Bernë të Zvicrës.

“Ndërkaq, më 2 janar, nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës do të arrijnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Këto vota kanë mbërritur pasditen e së hënës, por fillimisht do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit e më pas do të numërohen.

Po ashtu gjatë ditës së hënë edhe rreth 12 mijë pako të tjera me fletëvotime janë tërhequr nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe pritet që gjatë javës të mbërrijnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe të verifikohen e të numërohen.

Përfundimi i numërimit të votave i hap rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në planin e veprimit është paraparë që kjo të ndodhë më 19 janar, por me dinamikën aktuale të punës ekziston mundësia që rezultatet të shpallen më herët.

“Në planifikimet e KQZ-së, përfundimi i aktiviteteve në QKN është paraparë të bëhet deri më 7 janar, por kjo është arritur në mesditën e 3 janarit. Numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike dhe nga votimi me postë ishte planifikuar të bëhet nga data 7 janar, por ka përfunduar më 3 janar. Gjithashtu, edhe numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta ishte planifikuar të fillonte më 16 janar, por sipas planifikimeve kjo mund të fillojë gjatë ditës së sotme (e hënë v.j.).  Nga kjo mund të përfundojmë se edhe rezultatet përfundimtare të planifikuara për t’u shpallur më së largu deri më 19 janar, mund të shpallen shumë më herët”, ka thënë ai.

Elezi nuk ka dhënë një datë të saktë, duke theksuar se afatet varen edhe nga ankesat eventuale që mund të dorëzohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme lidhur me procesin e numërimit.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, subjektet politike kanë sërish të drejtë ankese në të dyja këto institucione.

Vetëm pas përfundimit të këtij procesi bëhet certifikimi i rezultateve zgjedhore, ndërsa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të marrë në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi obligohet të konstituohet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve.