Zgjedhjet 2025

KQZ-ja nuk jep ndonjë afat kur mund t’i shpallë rezultatet

Mbi 95 për qind e votave për kandidatë për deputetë janë numëruar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri të premten pasdite. Por, në këtë institucion ende nuk kanë dhënë një datë se kur pritet të përfundojë i gjithë procesi i numërimit dhe shpalljes së rezultateve, që do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve.

E këtë ditë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të 16 mijë e 165 fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se pas kësaj do të vazhdohet me numërimin e votave me postë, por theksoi se procesi i pranimit të fletëvotimeve të këtilla do të bëhet deri më 5 janar.

“Data të sakta se kur do të përfundojë numërimi i tyre, do të bëhet brenda disa ditësh. Pas procesit të numërimit të fletëvotimeve nga diaspora do të vazhdohet me numërimin e votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta. Të gjitha këto aktivitete kurdo që përmbyllen, i mundësojnë KQZ-së që të vijë deri tek shpallja e rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve”.

Elezi shprehu pritjen që procesi në Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllet në fundjavë.

“Deri të enjten në mesnatë (1 janar 2026) procesi është përmbyllur në Qendrat Komunale të Numërimit, në 5 komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë, ndërkaq po vazhdon në 6 komunat Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj. Pra, KQZ planifikon që aktivitetet në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllen në këtë fundjavë". 

Përfundimi i procesit të numërimit dhe certifikimit do të varet edhe nga ankesat në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa që mund t’i bëjnë kandidatë, por edhe subjektet politike. 

Në PZAP bënë të ditur se deri tani janë shqyrtuar të gjitha ankesat e parashtruara dhe është marrë vendim për to.

Në procesin e fundit zgjedhor, atë të shkurtit, rezultati është certifikuar 46 ditë pas datës së zgjedhjeve. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk u formua.

Por, në këto zgjedhje, Vetëvendosja ka siguruar mjaftueshëm vota për ta bërë qeverinë me deputetë të komuniteteve joserbe.

Në këtë parti, të premten nuk treguan nëse kanë kontaktuar ndonjë subjekt politik për t’i ofruar mundësinë për bashkëqeverisje.

Rezultatet preliminare të KQZ-së tregojnë se LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15 dhe AAK-ja 6. 20 ulëse të tjera u takojnë komuniteteve.