Zgjedhjet 2025

KQZ-ja ngre shqetësime, por KEDS-i garanton furnizim me rrymë gjatë zgjedhjeve

KEDS

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka finalizuar planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën, më 28 dhjetor, në të gjitha vendvotimet në vend.

Pas një takimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), KEDS-i të premten ka bërë të ditur se për ditën e zgjedhjeve do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, pranë secilit nga 949 vendvotimet do të ketë ekipe në afërsi për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë defekti, ndërsa do të funksionojë edhe një komision qendror teknik për monitorim dhe koordinim në kohë reale. Po ashtu, ekipet teknike do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës së votimit, me mbështetje të plotë logjistike dhe IT.

Megjithatë, gjatë diskutimeve në mbledhjen e KQZ-së sot janë ngritur shqetësime serioze lidhur me rrezikun e mungesës së energjisë elektrike në disa qendra votimi.

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ilir Gashi, ka deklaruar se gjithsej 888 qendra votimi mund të përballen me mungesë të energjisë elektrike, prej të cilave 666 vlerësohen me rrezikshmëri të lartë.

Gashi theksoi se 491 nga këto qendra nuk posedojnë gjeneratorë. Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente dhe të kenë komunikim të ngushtë ndërinstitucional për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji gjatë ditës së zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Besnik Buzhala, ushtrues detyre i kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së, ka thënë se KEDS-i në ditën e zgjedhjeve do të operojë me rreth 1,050 zyrtarë në terren dhe se bashkë me KOSTT-in ekziston një plan veprimi për menaxhimin e situatave të mundshme. Sipas tij, institucionet përgjegjëse do të marrin masa për çdo problem që mund të shfaqet.

Buzhala pranoi se KEDS-i mund të aplikojë shkyçje të energjisë në bazë të ngarkesave në rrjet, por shprehu shpresën se nuk do të ketë ndërprerje gjatë procesit zgjedhor. Ai sqaroi se vlerësimi i rrezikut është bërë në mënyrë objektive, bazuar në gjendjen e rrjetit të shpërndarjes dhe konsumin, i cili zakonisht arrin pikun mes orës 19:00 dhe 20:00.