Zgjedhjet 2025

KQZ-ja merr vendim që të gjitha votat të numërohen edhe një herë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të numërohen edhe një herë të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta, pasi gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së tyre janë evidentuar rreth 57 mijë vota të keqregjistruara për kandidatë

Afër 57 mijë është shkalla e vjedhjes së votave që janë evidentuar gjatë rinumërimit të vetëm një të katërtës së vendvotimeve. 

Këto gjetje kanë shtyrë të hënën Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të çojë në rinumërim të gjitha votat nga vendvotimet e rregullta. 

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pasi lexoi gjetjet e raportit të Këshillit për Operacione Zgjedhore, propozoi edhe ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, aty ku janë hasur shpërputhjet më të mëdha të rezultateve.

“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, tha Radoniqi. 

Të dyja propozimet u miratuan unanimisht.

Anëtari Almir Saiti propozoi që të rinumërohen edhe votat nga diaspora, kolegët e tij Sami Kurteshi dhe Muharrem Nitaj thanë se kjo nuk është e nevojshme, pasi këto vota janë numëruar në QNR, aty ku po kryhet rinumërimi. 

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor të vitit që shkoi. Në Qendrat e Votimit u numëruan votat e partive po atë ditë dhe dolën rezultatet preliminare. 

Nga 29 dhjetori deri më 3 janar, këto vota u verifikuan dhe u numëruan edhe votat e kandidatëve për deputetë në Komisionet Komunale Zgjedhore që janë 38 gjithsej, nga një për secilën komunë. Pastaj në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat e tjera që përfshijnë ato nga jashtë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Të martën e kaluar, pas pranimit të një raporti ku ishin gjetur abuzime në QKN, KQZ-ja vendosi të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet në 10 komuna e në 28 të tjera nga 10%. 

Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë datën e sotme, 19 janarin, për shpallje të rezultateve përfundimtare. 

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka përllogaritur kohën që do t’ia marrë KQZ-së të shpallë rezultatet përfundimtare. 

Sipas tij, procesi i rinumërimit do t’i marrë së paku edhe dy javë kohë. Pastaj afatet e ankesave lidhur me këtë proces 12 ditë, mundësia e apelimit në Gjykatën Supreme dy ditë, e kjo instancë ka 5 ditë afat për vendimmarrje. 

Cakolli theksoi se pas shterimit të këtyre procedurave dhe afateve mund të shpallen rezultatet përfundimtare. Edhe këto, më pas, mund të ankimohen, me afate të ngjashme sikur ato parapraket, që në total mund të zgjasin deri në 13 ditë.

“Në skenarin më optimal, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të muajit shkurt. E në rastin më të keq, në fund të shkurtit, apo edhe tek në fillim të marsit - në varësi të vendimmarrjes mbi ankesat potenciale”, tha Cakolli. 

Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë, e përmbyllja e atyre të 28 dhjetorit ka tejkaluar afatet e parapara. 
Kosova nuk ka buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe për pak javë përfundon edhe mandati i presidentes.