Zgjedhjet 2025

Haxhiu: Rinumërimi total mund të korrigjojë vetëm pjesërisht dëmin

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së

Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i rinumëruar tërësisht votat e rregullta pas konstatimeve të mospërputhjeve të mëdha te votat e kandidatëve, mund të korrigjojë vetëm pjesërisht dëmin. 

Haxhiu në një postim në Facebook, ka thënë se duhet anuluar edhe votat me postë që janë pranuar nga KQZ-ja jashtë afatit ligjor. 

Haxhiu për këtë ishte ankuar edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por ankesa iu refuzua si e pasafatshme. 

“Nuk ka demokraci me metoda staliniste. Stalini kishte deklaruar: ‘Nuk ka rëndësi kush voton, por kush i numëron votat’. Kjo u bë realitet në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Ndërhyrja në numërimin e votave është krim i rëndë kundër demokracisë. Çdo person që ka manipuluar vullnetin e qytetarëve duhet të mbajë përgjegjësi të plotë ligjore. Përgjegjësia fillon nga lart: Presidentja, që caktoi zgjedhjet në ditë festash, për t’i shërbyer Kurtit, duke kufizuar monitorimin vendor dhe ndërkombëtar të procesit zgjedhor; KQZ, që pranoi dhe numëroi vota jashtë afatit ligjor; Numëruesit që devijuan drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve. Asnjë institucion dhe asnjë individ nuk duhet t’i shpëtojë llogaridhënies. Deputetët e zgjedhur me vota të manipuluara nuk kanë legjitimitet. Vota e lirë është e shenjtë. Demokracia nuk negociohet. Procesi zgjedhor është dhunuar. Votat janë manipuluar dhe vjedhur nga numëruesit, ndërsa votat me postë janë pranuar nga KQZ në kundërshtim të hapur me Ligjin e Zgjedhjeve. Rinumërimi total mund të korrigjojë vetëm pjesërisht dëmin. Për sa kohë që në rezultat përfshihen vota të pranuara jashtë afatit ligjor, integriteti i zgjedhjeve mbetet i cenuar dhe rezultati i komprometuar”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. Haxhiu nuk mori votat e nevojshme për t'u bërë deputet. 

KQZ-ja ka marrë vendim të hënën në mbledhje që të rinumërohen votat e rregullta në të gjitha komunat. 

“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, tha kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.