Të shtunën, ai e ka zhvilluar fushatën dorë me dorë me qytetarë në Ferizaj dhe Gjakovë dhe atyre u ka shpërndarë edhe kopje të programit, në të cilin janë të listuara premtimet kryesore në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në mesin e premtimeve është edhe ai për rritje prej 50 për qind të pensioneve
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, i është kthyer kampanjës që e ka karakterizuar atë të cilën e pati zhvilluar kryetari i parë i kësaj partie, Hashim Thaçi.
Të shtunën, ai e ka zhvilluar fushatën dorë me dorë me qytetarë në Ferizaj dhe Gjakovë dhe atyre u ka shpërndarë edhe kopje të programit, në të cilin janë të listuara premtimet kryesore në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në sheshin qendror të Ferizajt, i shoqëruar edhe nga kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ai ka bashkëbiseduar me qytetarë.
Një nga ta ia ka lavdëruar njerëzit që e rrethojnë.
“Ekipin e ke shumë të mirë”, i ka thënë një qytetar.
“Shumë”, i është përgjigjur Hamza.
Në mesin e qytetarëve me të cilët ka shtrënguar duart është edhe një mërgimtar.
“Nuk është mërgata siç propagandon ajo partia tjetër”, i ka thënë Hamzës ai.
E Hamza i është përgjigjur: “Mërgimtarët janë familjarë tanë. Jeni në shtëpinë e juaj, në vendin tuaj, në mes familjarëve tuaj. Bash për kë të doni votoni”.
Hamza, që është edhe kandidat për kryeministër, është zotuar për rritje deri në 50 për qind të pensioneve dhe të ndihmave sociale. Përmes një video-adresimi, ai premtoi se do t’i rrisë të gjitha pensionet për 50 për qind, për të gjitha kategoritë.
“Mbi të gjitha: Asnjë pension në Kosovë nuk do të jetë më i ulët se 250 euro. Kjo do të vlejë për pensionistët e moshës, pensionistët kontributdhënës, pensionet e kategorive të luftës, pensionet e aftësisë së kufizuar, pensionet invalidore dhe të gjitha kategoritë e tjera, pa përjashtim. Ashtu si do t’i rris për 50 për qind të gjitha ndihmat sociale”, ka thënë Hamza.
E në takim me përfaqësues të sektorit privat dhe me punëtorë në qytetin e Gjakovës, kryetari i PDK-së premtoi mbështetje për këtë sektor, të cilin e kategorizoi si kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai para tyre është zotuar për ndryshimin e Ligjit për tatimin në pronë për objektet afariste, për të cilin ka thënë se është miratuar gjatë qeverisjes aktuale.
“Nëse unë jam kryeministër, nuk do të rritet tatimi në pronë”, ka thënë ai. “Ja kam me e ndërru atë ligj se përnjëmend, të rritet tatimi në pronë për më shumë se 200 për qind është tepër shumë, është e papërballueshme”.
Në Gjakovë, kandidati i PDK-së për kryeministër është zotuar edhe për heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike, me qëllim të uljes së faturave për qytetarë e biznese.
“Si kryeministër, do të jem partner i sektorit privat: mbështetje, grante dhe politika që krijojnë vende pune dhe rrisin paga. Do ta ndryshojmë Ligjin për Tatimin në Pronë dhe do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, për fatura më të ulëta dhe më shumë zhvillim”, ka thënë ai.
Hamza zhvilloi takime elektorale edhe në Klinë e Pejë. Edhe në këto komuna prezantoi premtimet kryesore, të fokusuara në rritje të pagave.
Fushatë bënë edhe kandidatët për deputetë.
Enver Hoxhaj ka takuar pensionistë, për të cilët ka thënë se do të marrin kujdesin e merituar nëse PDK-ja fiton garën elektorale.
“Pensionistët janë ata të cilët ndërtuan një Kosovë me punë, sakrificë dhe dinjitet. Ata mbajtën familjet, ekonominë dhe shtetin, dhe idealin e Republikës në kohë më të vështira. Tani është radha që shteti të kujdeset për ju”, ka thënë Hoxhaj. “Nën udhëheqje të Partisë Demokratike të Kosovës, qeveria e ardhshme do t’i rrisë të gjitha pensionet mbi 50 për qind. Në qeverisjen tonë, dinjiteti i pensionistëve është i paprekshëm. Ky është obligimi ynë, ky është premtimi ynë”.
Ndërkaq, në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Hamza ka paralajmëruar vizita nëpër qytete të Kosovës, me synimin që të ketë takime të drejtpërdrejta me qytetarë dhe me përfaqësues biznesesh, si dhe për ta shpalosur programin e tij për punë, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.