Partia Demokratike e Kosovës do t’i rrisë pagat për punëtorët shëndetësorë, ka thënë kandidati i kësaj partie për deputet, Bashkim Gllareva.
Derisa ka shpalosur programin e PDK-së për shëndetësi, Gllareva ka thënë se ai do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve të kësaj fushe.
“Kemi demotivim të skajshëm të punëtorëve shëndetësorë, humbje të dinjitetit, prandaj Partia Demokratike do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve shëndetësorë, duke ua rritur pagat, ofruar kushte dhe infrastrukturë të mirë, ndërtuar spitale të reja”, ka thënë Gllareva.
E derisa ka folur për sfidën që e pret partinë e tij, nëse ajo do të vijë në krye të vendit, Gllareva ka thënë se për shkak të keqmenaxhimit që LVV-ja ka bërë do të kenë problem me prokurimin dhe me furnizimin me barna. Ndërsa në të njëjtën kohë ai ka përmendur top-prioritetet e PDK-së në fushën e shëndetësisë.
“Do të jenë prioritet sigurimet shëndetësore, mbulimi 100% i barnave esenciale, ndërtimi i Qendrës Klinike Universitare të re ose ndërtimi i spitalit të Prishtinës, si dhe ndalja e rrjedhjes së trurit duke bërë politika të reja që parashohin dhënien e specializimeve, edukimin e stafit terciar dhe sekondar, si dhe mbështetja e nivelit primar shëndetësor”, ka theksuar ai.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Gllareva ka përmendur edhe infermierët, për të cilët ka thënë se do të përfitojnë rritje të pagës dhe kushte më të mira të punës.
Ndërsa sa përket furnizimit me barna, kandidati i PDK-së ka thënë se do të gjobiten të gjitha kompanitë të cilat nuk i sjellin barnat me kohë dhe se atyre do t’u pamundësohet marrja e një tenderi të dytë në lidhje me këtë çështje.