Ndërtimi i një Qendre Klinike Universitare të Re, pagë jo më pak se 1,000 euro për infermierët, dhe fuqizim i mjekësisë familjare, janë disa nga prioritetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në fushën e shëndetësisë.
Këtë plan e ka shpalosur kandidati i LDK-së për deputet, Bujar Gashi, në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Ai ka thënë se kjo parti ka një program konkret, i cili parashihet të jetë i suksesshëm, derisa ka dhënë detaje në lidhje me ndërtimin e një qendre të re të klinikave.
“ Në kuadër të programit të LDK-së, parashihet ndërtimi i një Qendre Klinike Universitare të re jashtë kësaj që është sot, pasi kjo e tanishmja nuk i plotëson kriteret aktuale duke marrë parasysh që është ndërtuar në vitin 1964, dhe sistemi i ndërlidhshmërisë së klinikave e bën të pamundur funksionimin e saj si Qendër Klinike Universitare. Ajo do të ndërtohet në dy faza brenda 6 vjetëve”, ka shtuar Gashi.
Ai ka thënë se pjesë e këtij program është edhe ndërtimi i spitalit të kryeqytetit, digjitalizimi i sistemit shëndetësor, fuqizimi i mjekësisë familjare e çështje të tjera.
Kandidati i LDK-së ka folur edhe për sigurimet shëndetësore, për të cilat ka thënë se është në mesin e top-prioriteteve.
“Sigurimet shëndetësore janë top-prioritet, por duhet t’u paraprijë një sistem informativ shëndetësor i mirëfilltë paraprakisht. Brenda vitit të parë do të rregullohet sistemi informativ shëndetësor, sigurimet shëndetësore do të fillojnë të aplikohen në vitin e dytë”, ka thënë Gashi.
E në rast se partia e tij vjen në pushtet, Gashi ka thënë se do të sigurojnë punësim për çdo mjek të përgjithshëm, të cilëve, siç ka thënë, po ashtu do t’u jepet mundësia edhe e specializimit.
Ai ka folur për barnat esenciale për të cilat ka thënë se do të mbulojnë komplet listën esenciale të barnave, duke premtuar rritje prej 20% të buxhetit për këto barna.