Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se sot (e mërkurë) ka nisur procesi i intervistimit të komisionerëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit, autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetaj.
“...ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë”, thuhet në njoftim.
Në Pejë, kandidati që pati më së shumti dallime në vota ishte Taulant Kelmendi i Lëvizjes Vetëvendosje. Pas rinumërimi, atij iu hoqën 955 vota. Gjithashtu, Skender Thaqit e Gramos Agushollit të kësaj partie iu hoqën 387 respektivisht 360 vota.
Te Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Halitit iu hoqën 458 vota.
Edhe në partitë e tjera pati ndryshime në vota, por në numra më të vogël.
Për manipulime me vota, deri tash në Prizren janë në paraburgim 28 persona, ndërsa në Malishevë 15.
Veprime hetimore janë ndërmarrë edhe në komunat e tjera.