KQZ: Deri në ora 09:00 në 24 përfaqësi diplomatike votuan mbi një mijë votues
Në ora 05:00 me kohën lokale të Kosovës në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll ka filluar votimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit, si dhe nga ora 07:00 ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike në Evropë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën për media ka treguar se në 24 përfaqësi diplomatike ku edhe ka filluar procesi i votimit, deri në orën 09:00 nga 19 mijë e 187 votues, kanë votuar 1 mijë e 659 prej tyre.
“Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit që janë nga 24 përfaqësi diplomatike ku ka filluar procesi i votimit deri në ora 09:00 nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 8.64 për qind, apo një mijë e 659 prej tyre”, tregoi Elezi.
Ai ka shtuar se në përgjithësi janë 29 përfaqësi diplomatike.
“Numri i përgjithshëm i shtetaseve të Kosovës për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës është 19 mijë e 187 votues. Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme pasi në listën votuese që janë dërguar në këto përfaqësi janë vetëm emrat e shtetase që kanë zgjedhur këtë mënyrë të votimit”, tregoi ai.
I gjithë procesi i votimit pritet të mbyllet në ora 19:00, përjashtimisht ajo në konsullatën e Kosovës në Stamboll, që sipas kohës lokale të Kosovës do të përfundojë në ora 17:00.
“Pjesa më e madhe e procesit të votimit në shumicën e përfaqësive diplomatike mbyllet në ora 19:00 sipas kohës lokale në Kosovë, në përjashtim të konsullatës së Kosovës në Stamboll e cila sipas kohës lokale në Kosovë përfundon votimin në ora 17:00, ndërkaq në katër përfaqësi diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada votimi mbyllet sipas kohës lokale të vendit tonë, në ora 01:00, pak pas mesnatës”, sqaroi Elezi.
Sot votimi në përfaqësitë diplomatike
Nga ora 07:00 deri në orën 19:00, mbi 19 mijë votues të regjistruar jashtë shtetit kanë të drejtë të votojnë në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Për këtë mundësi votimi janë regjistruar saktësisht 19 mijë e 187 votues.
Procesi i votimit zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës, në 18 shtete të ndryshme.
Me ligjin e ndryshuar për zgjedhjet janë tri mënyra votimi nga jashtë, ai nëpërmjet dërgimit të pakos së fletëvotimit nëpërmjet postës në kutitë jashtë vendit, në adresën e KQZ-së brenda Kosovës si dhe nëpërmjet votimit fizik në përfaqësitë diplomatike.
Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së.
Shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë vetëm nëse paraprakisht nuk janë regjistruar për të votuar nëpërmjet postës apo nëpër përfaqësitë diplomatike në shtetet ku janë me qëndrim.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës. Votimi nëpërmjet postës përfundon sot. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit apo në kutitë postare më të afërta.
Me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete - në Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Maqedoni Veriore, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Më 14 dhjetor, dy ditë pas afatit të paraparë, KQZ-ja e ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Shkelja e afatit ka ndodhur për shkak se është vonuar procesi i shtypjes së fletëvotimeve.
Vota e mërgatës ka dominuar si temë në javët e fundit, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e dhjetë Qendrave Alternative të Votimit, pas ankesës së Lidhjes Demokratike (LDK). Vendimin e PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka apeluar në Gjykatën Supreme, por edhe kjo instancë e ka hedhur poshtë, duke e mbajtur në fuqi vendimin e PZAP-së.
Trendi i votave nga diaspora ka pësuar rritje në tri palë zgjedhjet e fundit. Nga 5 mijë e 201 vota në vitin 2017, më 2019 kanë qenë 19 mijë e 789, më 2021, 56 mijë e 375, ndërsa afro 80 mijë për zgjedhjet e 9 shkurtit të 2025-tës.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre, të konsideruar gjithnjë e më strategjike në garën zgjedhore. Takime mobilizuese dhe thirrje për pjesëmarrje aktive janë mbajtur në qendrat kryesore të diasporës shqiptare në Evropë, edhe para nisjes zyrtare të fushatës në Kosovë.